U harruan të përmendeshin, shpërthejnë ish-lojtarët e Sopotit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 15, 2018 | 15:38

U harruan të përmendeshin, shpërthejnë ish-lojtarët e Sopotit

Nuk kanë munguar pakënaqësitë në Librazhd pas evenimentit të dekorimit me certifikata mirënjohjeje të disa veteranëve me rastin e përurimit të stadiumit të ri. Edhe pse dita e festës kaloi në një harmoni për t’u pasur zili, duket se pakënaqësitë nuk mund të fshihen. Dhe ku tjetër veçse në rrjetet sociale pakënaqësitë mund të shprehen lirshëm. Ai që i ka shprehur hapur ato është ish-mbrojtësi dhe ish-kapiteni, Alfred Hoxha.

Alfred Hoxha

Dhe pse i ftuar në ceremoni për të qenë pjesë e ekipit të veteranëve që do luanin kundër trupit diplomatik, emri i Hoxhës apo edhe i disa të tjerëve nuk u përmend fare në ceremoni. Hoxha, Hajdari, Karaj, Lezi, Bahiti, Rama, Belba, Karaj, Hasballa, Alla, Facja, Malluta dhe të tjerë as që u përmendën dhe kjo me qëllim sipas ish-futbollistëve. Kështu janë shprehur në komentet e tyre në rrjetin social “Facebook” ish-lojtarët.

REAGIMI

“Respekte për ata sportistë që e përfaqësuan Sopotin në ditët më të vështira, ku çdo gjë ishte pasion dhe sakrificë. Sidomos për ata që dhanë gjithçka për këtë klub kur ky ishte drejt shpërbërjes dhe pa asnjë kacidhe derdhën gjak për ta mbajtur aty ku i takonte. Ishin ato vite ku shpërblimi ynë ishte një duartrokitje, një brohoritje pas një goli, emocione që nuk mund të zëvendësohen nga një copë letër që ju specialistët ndër vite, së fundmi historianë pa memorie, i jepni ose nuk i jepni sipas dëshirës tuaj.

alfred-hoxha

Shumë emra mund të përmend që me dashje u anashkaluan, por për mua dhe shokët e mi të harruar nuk vlen ajo copë letër, por publiku, i cili ka qenë vlerësuesi ynë më i mirë. Dy dekadat e fundit kam qenë unë me shokët e mi të harruar që kemi mbajtur mbi shpatulla shumë gjëra, pasi oportunistët kanë qenë aty gati me lupë në dorë për të na gjykuar a thua sikur ishin Zoti”, shkruante Hoxha.

Ky koment i Hoxhës ka mjaftuar që edhe të tjerë ish-futbollistë të replikojnë dhe duke përdorur ironinë, të shprehin hapur pakënaqësinë lidhur me harresën që ju bë atyre në këtë ceremoni.

Ledion Qoshku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"