U dënua me gjobë rekord nga FSHF për sharje në Facebook, reagon klubi vlonjat: Nuk është faqja jonë zyrtare

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 30, 2023 | 12:32

U dënua me gjobë rekord nga FSHF për sharje në Facebook, reagon klubi vlonjat: Nuk është faqja jonë zyrtare

Labëria bën pas. Një ditë pasi morën gjobën prej 100 milionë lekësh, në klub kujtohen që nuk është faqja e tyre. Ata nuk mbajnë përgjegjësi për statusin plot të shara dhe fyerje në “Facebook”, duke u distancuar nga gjithçka është shkruar.

Laberia-Butrinti

Është ky reagimi zyrtar i skuadrës së krijuar vetëm në vitin 2019. “Panorama Sport” kontaktoi me administratoren Liljana Meço, e cila ka folur shumë shkurtimisht: “Distancohemi nga deklaratat që janë shkruar. Ato nuk janë zyrtare të klubit. Marrëdhëniet tona me FSHF janë shumë korrekte dhe të mira”.

WhatsApp Image 2023-12-28 at 6.44.58 PM WhatsApp Image 2023-11-09 at 7.13.01 PM

HISTORIA E LABËRISË – Labëria administrohet nga një grua. Liljana Meço është administratorja e klubit qysh në nisje të rrugëtimit të këtij klubi. Por nismëtarët e themelimit të kësaj skuadre, janë dy vëllezërit Genci dhe Elton Lalaj. Klubi ka nisur aktivitetin e vet në vitin 2019. Një rrugëtim që nisi nga Kategoria e Tretë dhe atëherë ka fituar duelin me Rrëshenin, për të milituar në Kategorinë e Dytë.

Vëllezërit Lalaj prej vitesh jetojnë në Amerikë, ku kanë bizneset tyre. Përtej oqeanit kanë krijuar edhe një ekip futbolli që e kanë quajtur gjithashtu “Labëria”. Menduan që një të tillë ta sillnin edhe në Vlorë, meqë origjina e tyre është nga Kuçi, një fshat 60 kilometra larg Vlorës. Ata kontaktuan për nisjen e projektit Arlind Rustemin dhe Idrizi Sherifajn, ky i fundit sot është trajner i Orikut.

Të dy e pranuan ofertën për krijimin e ekipit. Rustemi, veç trajner, u emërua edhe drejtor klubi, ndërsa Sherifaj zëvendëstrajner. Në përbërjen e ekipit u afruan edhe shumë lojtarë nga akademia e Flamurtarit dhe ish-futbollistë të klubit vlonjat. Ky është viti i tretë që skuadra militon në Kategorinë e Dytë, ndërsa si objektiv kanë ngjitjen në të Parën. Pronarët e klubit i kanë kushtuar rëndësi ndërtimit të akademisë, por edhe investimeve në infrastrukturë. Ata ndërtuan fushën në zonën e Nartës, me specialistë të ardhur nga Turqia, dhe një vit më vonë edhe tribunat.

Kërkuan nga Bashkia e Vlorës të merrnin edhe ishstadiumin e Nartës, për ta shndërruar në një kompleks sportiv, por kjo gjë nuk u miratua për shkak të pronësisë-shtet të sipërfaqes së tokës. Në Vlorë pranë ekipit vjen shpesh njëri nga pronarët, Elton Lalaj. Por si ai ashtu edhe Genci qëndrojnë pranë skuadrës me financime. Madje ndjekin çdo ndeshje, edhe pse në SHBA orari është i papërshtatshëm. Klubi në historinë e tij të brishtë trevjeçare ka pasur si drejtues edhe aktorin e teatrit “Petro Marko”, Artan Islami (për pak muaj), si dhe ish-drejtorin e Flamurtarit Vangjel Laluci (për një sezon). Në periudhën e Lalucit, trajner ishte Dritan Resuli që sot drejton Flamurtarin.

Sezonin e fundit në drejtimin e klubit është rikthyer sërish Arlind Rustemi, ndërsa trajner Taulant Kuqi. Këtë sezon nga klubi u shkëput Sherif Idrizaj, pasi mori drejtimin e Orikut si trajner. Ndërkaq klubi vijon që të administrohet nga Liljana Meço, me profesion ekonomiste. Kjo e fundit merret me të gjithë administrimin financiar të klubit dhe ka kontakte të ngushta me presidentët e klubit.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"