U dëmtua dhe dorëzoi shiritin e kapitenit, Plaku rikthehet me një gol tri pikësh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 31, 2017 | 22:13

U dëmtua dhe dorëzoi shiritin e kapitenit, Plaku rikthehet me një gol tri pikësh

U dëmtua në momentin më të mirë, qëndroi tri javë jashtë fushave dhe dje u rikthye me një gol që vlejti tri pikë për Kamzën. Sebino Plaku bëri liderin në takimin kundër Laçit, ku si për çudi, nuk mbajti shiritin e kapitenit. “Asnjë polemikë. Duke qenë se këtë periudhë që kam munguar e ka mbajtur Halili, ramë dakord që të vazhdonte ai me shiritin. Nuk doja që edhe ai të mërzitej”, tregon Plaku në një bisedë për “Panorama Sport”, menjëherë pas ndeshjes në Laç.

plaku

Më pas sulmuesi futet në temë teksa flet për golin dhe momentin jo të mirë që kaloi prej dëmtimit. “Normalisht që jam i lumtur që kthehem me një gol kaq të rëndësishëm. U dëmtova në momentin më të mirë dhe pata ato problemet e përshtatjes në fillim. Nuk ishte e lehtë, pasi dëmtimi ishte i rëndë. Jam futur para kohe me grupin, por falë Zotit nuk kam shqetësime. Duhet të qëndroja 6 javë jashtë fushave, por riaftësimi zgjati vetëm tri javë. Tashmë rëndësi ka që po ecim mirë”, shton sulmuesi, i cili flet edhe për objektivat e skuadrës.

“E zgjodha Kamzën me bindje të plotë, sepse kisha dëshirë të shfaqja vlerat e mia në një skuadër që kishte afruar lojtarë cilësorë. Kemi krijuar një grup të mirë, por shpresoj të kemi vazhdimësi. Ekip i mirë është ai që ka vazhdimësi. Skuadrat që vijnë nga kategoritë inferiore e kanë pak të vështirë. Situata për mua ka qenë e qartë, sepse kam biseduar me presidentin për objektivat. Duhet të kemi mentalitet fituesi, të pretendojmë, pse jo edhe për zonën europiane. Gjithsesi, rivalët tanë janë ata që luftojnë për të qëndruar në kategori. Së pari, ne duhet të mbijetojmë, por çdo gjë varet nga vazhdimësia”, përfundoi Plaku.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"