“U bëra mbrojtës, që të markoja… binjakun”, rrëfimi special i futbollistit të Besës: Sa erdha, njerëzit po më shihnin çuditshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2021 | 21:26

“U bëra mbrojtës, që të markoja… binjakun”, rrëfimi special i futbollistit të Besës: Sa erdha, njerëzit po më shihnin çuditshëm

Bind Kevin Nunjes da Silva Amarante. Pasi e ndoqën në miqësoren me Besëlidhjen, klubi i ka ofruar edhe kontratë. Mbrojtësi ka nënshkruar zyrtarisht për 2.5 vite, duke u bërë afrimi numër 3 në këtë merkato janari.

Kevin

Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, 23- vjeçari rrëfen se erdhi në Shqipëri vetëm prej të vëllait. Zbulon arsyen pse luan si qendërmbrojtës dhe jo qendërsulmues. Është befasuar nga mikpritja që në ditën e dytë në Kavajë, ndërsa rrëfen sa çuditshëm e shihnin njerëzit në rrugë me binjakun në krah.

Kevin është zyrtarisht lojtar i Besës, çfarë kontrate firmosët?

Kam firmosur për 2.5 vite. Do të mbyll këtë sezon, por do të jem edhe për dy të tjera. Shpresoj dhe uroj që sezonin tjetër, bashkë me vëllain të luajmë në Kategorinë Superiore me Besën.

Është hera e parë që vini në Kavajë apo keni qenë më herët për të vizituar binjakun tuaj?

Po edhe jo. Them “po”, pasi më është dukur sikur e njoh aq mirë Shqipërinë prej vëllait. Duke pasur kontakt të përditshëm me të, më ka folur aq shumë për vendin tuaj, njerëzit dhe Besën e tij.

Kaina

Ajo që më ka habitur e kënaqur njëkohësisht, është mikpritja dhe respekti që shqiptarët kanë për të huajt. Madje, pa i njohur mirë. Këtë e ndjeva edhe vetë që në ditën e parë prej shokëve të ekipit, stafit, por edhe qytetarët në rrugë. Ata përshëndetnin Kainën dhe më shinin me çudi, pasi i dukeshin 2 Kaina (qesh).

Dy binjakë në fushë, por në role të ndryshme. Pse zgjodhët të bënit qendërmbrojtësin dhe jo qendërsulmuesin?

Kemi luajtur futboll që kur ishim fëmijë dhe dikush duhet ta markonte Kainën, ndaj u bëra mbrojtës (qesh).

Mos ndoshta për t’u dalluar nga Kaina?

Por edhe që të jem larg tij, që të dallohemi… (qesh).

Gjëja më e veçantë që ju ka treguar Kaina për Shqipërinë?

Edhe pse kohë pandemie, këtu të rinjtë nuk duan t’ia dinë dhe kafet janë plot në çdo orë. Pastaj, parë nga jashtë, njerëzit duken të paorganizuar në kërkimin e të drejtave të tyre apo dhe detyrimeve. Mbizotëron një qetësi sikur të gjithë jetojnë shumë mirë e nuk u mungon asgjë. Lidhur me futbollin më ka treguar luftën e fortë që bëhet në fushë e ku ka mjaft futbollistë të rinj të talentuar.

Përse zgjodhët Besën dhe a kishit oferta të tjera?

Mos u habitni, por do ta them. Kam pasur oferta jo vetëm në Portugali, por edhe nga ekipet shqiptare. Besën e zgjodha prej vëllait dhe trajtimit që i bëhet atij.

Pastaj jeta nuk është ato 2 orë stërvitje në ditë, ajo vazhdon gjatë 24 orëve. Në këtë kuptim, ku ka më mirë sesa të kalosh kohën tjetër të lirë me vëllain tënd dhe sidomos kur e ke binjak. Shto këtu klimën fantastike të Kavajës, bregdetin afër dhe gjithçka. Kur i ke të gjitha këto dhe vëllain afër, nuk kisha si t’i thosha “jo” kësaj mundësie.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"