Turbina krenohet me Laroshin, ftesë nga Shpresat dhe oferta nga Superiorja për portierin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 29, 2021 | 16:58

Turbina krenohet me Laroshin, ftesë nga Shpresat dhe oferta nga Superiorja për portierin

Nuk i ka mbushur ende 20 vjeç, por duket sikur ka një jetë që luan futboll. Me staturën e një lideri, jo vetëm në portë, por edhe në fushë për skuadrën e tij. Bëhet fjalë për gardianin cërrikas, kapitenin Vokli Laroshi, i cili është kthyer në një nga shtyllat e Turbinës këto dy sezonet e fundit kur u katapultua në ekipin e parë. Nëse cërrikasit arritën të mbijetonin edhe këtë sezon në të Parën dhe nuk e vunë asnjëherë në diskutim, një pjesë kryesore të meritës e ka pikërisht 19-vjeçari. Titullar i padiskutueshëm në portë, Laroshi ka ditur të tregojë vlerat e tij edhe me një skuadër në letër “të vogël”, duke bërë që në fund të meritojë një ftesë edhe nga tekniku i Kombëtares U21, Alban Bushi. Një arritje e cila nuk vjen për herë të parë për të, sepse sa herë ka pasur grumbullime, ka qenë një nga futbollistët në vëzhgim nga tekniku i Kombëtares.

laroshi

FTESA NË KOMBËTARE – Të marrësh një ftesë në Kombëtaren Shpresa aktualisht nuk është e lehtë. Talentet e rinj kuqezinj nuk mungojnë dhe për më tepër që nuk është e lehtë të rivalizosh nga futbolli shqiptar. Aq më pak, nga Kategoria e Parë, futbollistët që luajnë me ekipet elitare në Europë. Mirëpo, Laroshi shihet si rasti tipik që një talent arrin ta tregojë veten dhe cilësitë e tij edhe kur nuk është pjesë e një ekipi elitar. Madje, ai është i vetmi futbollist i grumbulluar me Shpresat që nuk është pjesë e një skuadre që militon në Superiore. Kjo tregon se 19-vjeçari bën diferencën në krahasim me shokët e tij. Nuk është hera e parë që Laroshi grumbullohet nga Bushi në Kombëtaren Shpresa. Kjo vjen në vazhdën e disa thirrjeve të grumbullimeve të mëparshme, nga të cilat tekniku i U-21 ka marrë përgjigjet që kërkonte, duke besuar në aftësitë e tij.

I VETMI NGA PREFEKTURA – Elbasani është një ndër qarqet që ka furnizuar vazhdimisht me futbollistë ekipin kombëtar, duke mos përjashtuar as Shpresat. Mirëpo, vitet e fundit ka pasur vetëm një përfaqësues që ka mbajtur deri diku lart nderin e këtij qarku dhe ai është pikërisht Vokli Laroshi. Asnjë futbollist tjetër nga qarku i Elbasanit nuk ka marrë ftesë në këtë grumbullim, duke bërë që t’ia shtojë akoma më shumë vlerat dhe cilësitë cërrikasit. Gjithsesi, rrugëtimi i tij në nivelet e larta duket se sapo ka nisur dhe kjo ftesë konsiderohet vetëm si fillimi i një karriere që e pret Laroshin.

HAPI I MADH – Duket se Kategoria e Parë i “rri ngushtë” Laroshit dhe me shumë gjasa sezonin e ardhshëm gardianin cërrikas do ta shohim në një ekip të Superiores ose jashtë vendit. Nuk kanë qenë të pakta skuadrat elitare në vendin tonë që kanë marrë informacion në lidhje me performancën e tij dhe mundësitë që për sezonin e ri ta bëjnë pjesë të tyre. Pas përfundimit të këtij sezoni, 19-vjeçari është një lojtar i lirë dhe nuk ka pengesa për të vijuar karrierën diku tjetër, pasi i mbyllet edhe kontrata që ka me ekipin e Turbinës. Burime të besueshme të gazetës pohojnë se kanë nisur sinjalet e para nga disa skuadra të Superiores për ta afruar në gjirin e vet. Por, për momentin Laroshi nuk ka dashur të nxitojë për të bërë zgjedhjen e tij, për faktin se ofertat nuk i mungojnë. Sakaq, synimi kryesor është të vijojë karrierën jashtë vendit dhe mësohet se interesimi i menaxherëve që e kanë parë nga afër, ka qenë vërtet i madh. Pritet që kjo verë të jetë e nxehtë për të dhe është ende mister se ku ai do të vijojë karrierën për sezonin e ardhshëm.

MARIGLEN MIRAKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"