Triumfi në Champions i Vllaznisë, Matija: Fitorja nuk është rastësi, do tentojmë edhe me PAOK-un

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 23, 2017 | 17:20

Triumfi në Champions i Vllaznisë, Matija: Fitorja nuk është rastësi, do tentojmë edhe me PAOK-un

Presidenti i Vllaznisë në futbollin e femrave, Lazer Matija, u shpreh entuziast për suksesin e arritur dje. Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, Matija u shpreh se suksesi ndaj vendëseve të Sarajevos nuk ishte rastësi.

vllaznia femra

“Të them të vërtetën kemi punuar shumë jo vetëm këtë vit, por në vazhdimësi. Sot (dje), ndaj ekipit vendës, e dinim se do të ishte një ndeshje e vështirë, pasi e njihnim si rival duke qenë se jemi ndeshur edhe më parë. Por që për këtë turne jemi grumbulluar prej shumë ditësh, njëherësh bëmë edhe disa afrime cilësore përpos grupit aktual që kishim në dispozicion.

Në fakt, e kërkuam fitoren që në fillim me rastet për shënim. Skuadra u përgjigj shumë mirë taktikisht kërkesave të stafit teknik dhe në fund u shpërblyem. E kërkuam fatin dhe se fitorja ishte e pritshme, jo rastësi. Duhet ta pranojmë që Vllaznia ka mjaft kualitete, ka punuar fort sistematikisht në gjithë këto sezone për të mbërritur këtu ku është tani me meritë”, tha fillimisht presidenti Matija.

lazer matija

Në sfidën e radhës, Vllaznia do të ketë edhe rivalin direkt që i çon të te kualifikimi, me grekët e PAOK-ut. Edhe pse një rival i fortë, presidenti Matija nuk i fsheh ambiciet për një tjetër rezultat pozitiv, përse jo. “PAOK-u është një kundërshtar i fortë, gjithsesi ne shkojmë sërish me pretendime. E kemi vlerësuar maksimalisht dhe do të kërkojmë për një tjetër rezultat pozitiv”.

OLGERT SERANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"