Tripleta e parë në karrierë, bomberi Oshafi: Dua “Këpucën e Artë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 1, 2022 | 23:55

Tripleta e parë në karrierë, bomberi Oshafi: Dua “Këpucën e Artë”

Skema me tre sulmues shpërblen Tomorin. Klodian Arbëri vendosi që për të parën herë të ndryshonte vendosjen e ekipit në fushë dhe kjo dha rezultat. Edhe pse përballë kishin Shkumbinin që prej javësh po lëngon, rezultati nuk mund të zhvlerësohet. E gjetën 5 herë rrjetën, por ai që shpërtheu ishte Aldrit Oshafi.

oshafi

Me tripletën e tij u ngjit në kuotën e 10 golave dhe tashmë mund të ketë të drejtën që të garojë edhe për “Këpucën e Artë” të Kategorisë së Parë. Ai është në delir, pasi kjo është e para herë që shënon tre gola në një ndeshje. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, 24-vjeçari paralajmëron se ky është vetëm fillimi, pasi ka ruajtur ende gola edhe për 9 javët e ardhshme. “E kam të pamundur që ta fsheh gëzimin pas kësaj triplete. Kurrë më parë nuk kisha shënuar tri herë në një ndeshje, ndaj do ta mbaj mend gjatë. E megjithatë, ky është vetëm fillimi.

Dëshira për të pasur të njëjtin ritëm nuk më mungon dhe punën do ta shtoj. Shpresoj vetëm që të kem më shumë fat. ‘Këpuca e Artë’? Pse jo. Derisa shkova në kuotën e 10 golave, pse të mos konkurroj edhe unë për kurorën e goleadorit. Besoj se eksperienca e Klodian Arbërit do të më ndihmojë, ai e ka provuar këtë ndjesi kur Tomori u shpall nënkampion. Do më duhet një dorë nga shokët e skuadrës ama.

Goli më kishte munguar shumë, edhe pse kam qenë shumë pranë tij këto javë. Kjo tripletë është vërtet një tregues i formës sime në rritje. Unë dua që këtë sukses t’ia dedikoj familjes, por pa lënë aspak mënjanë edhe stafin teknik dhe shokët e skuadrës. Sa i përket garës në vazhdim, më duhet të them se sikurse e kanë bërë të qartë edhe tekniku Arbëri dhe drejtuesit më të lartë të Tomorit, ne do të vijojmë të respektojmë kampionatin deri në fund të tij duke mos bërë lëshime. Këtë e treguam qartë edhe ndaj Shkumbinit. E merituam, por fitorja mund të kishte qenë edhe më e thellë se këto shifra”, përfundoi beratasi.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"