Tri mungesa te Besa, Bubeqi: Asnjë justifikim për kthesën, dua fitore me Maliqin!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2021 | 23:34

Tri mungesa te Besa, Bubeqi: Asnjë justifikim për kthesën, dua fitore me Maliqin!

Përtej entuziazmit që mbretëron, Besës po i prishen planet nga dëmtimet. U bënë ditë që tre futbollistë nuk po stërviten me ekipin dhe kjo po tensionon jo pak stafin teknik. Kapiteni Ledjon Muçaj, mbrojtësi Emiljano Çela dhe qendërmbrojtësi Agim Dajçi kanë probleme shëndetësore dhe është gati e sigurt që nuk do të luajnë të dielën përballë Maliqit.

bubeqi besa

Në mungesë të një stoli solid, Dorjan Bubeqit i shtohet dhimbja e kokës. E megjithatë, është i vendosur për diçka: do kthesën. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri thotë: “Disa futbollistë për arsye shëndetësore, gjendje gripale dhe temperaturë, nuk janë stërvitor rregullisht këtë javë. Nuk e di nëse bëhen, minimalisht për stol. Nuk mund ta fsheh se me kontigjentin që kam, 3 mungesa do të ishin shumë. Vijmë nga dy ndeshje që kemi lënë 5 pikë, ndaj duhet reagim. Lojtarët janë të vetëdijshëm që kanë zhgënjyer dhe këtë e kanë pranuar edhe publikisht.

Janë po ata aktorët kryesorë, që mund e duhet të bëjnë ndryshimin. Përtej mungesave ne jemi koshientë se nuk kemi alternativë tjetër veç fitores. Ua kam bërë të qartë lojtarëve gjatë gjithë kohës së ndërprerjes së kampionatit se ajo që na ndodhi me Apoloninë apo Shkumbinin mund të na ndodhë me çdo kundërshtar, nëse ne nuk japim maksimumin dhe gabojmë aq lehtë siç ka ndodhur në dy javët paraardhëse. Vërtet Maliqi nuk është Bylisi apo Erzeni, por bëhet i fortë si ata, nëse ne nuk dëshmojmë në fushë diferencat. Gjithçka do të varet vetëm nga angazhimi ynë dhe ajo çfarë do japim në fushë.

E kam thënë disa herë dhe do ta përsëris, se Besa ka një grup me lojtarë cilësorë dhe me përvojë, që janë në gjendje të mundin këdo, por vetëm nëse secili prej tyre jep më të mirën e tij. Ata nuk janë lojtarë të rinj dhe besoj edhe te profesionalizmi dhe detyrimi që kanë ndaj klubit, fanellës dhe tifozëve. Këtë impenjim pres ndaj Maliqit edhe në vijim, që të rritemi në klasifikim aty ku përbërja, fanella që mbajmë na e imponon”.

FERIZ FERIZAJ-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"