Transformimi në pak ditë i Apolonisë, flet Omeri: Kemi një “ekspert” në stol

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 27, 2022 | 23:03

Transformimi në pak ditë i Apolonisë, flet Omeri: Kemi një “ekspert” në stol

Apolonia është transformuar në këtë fazë të dytë dhe Stefano Omeri meritat ia jep trajnerit. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori skanon ecurinë e deritanishme dhe me bindje e thotë që në fund të sezonit jo vetëm do të blindojnë zonën “play off”, por do t’i kalojnë edhe ndeshjet shtesë. Autori i 6 golave dhe po aq asiteve flet edhe për formën e tij.

Omeri

Nga humbja në Lezhë te fitorja e thellë me Bylisin. Si u transformua në pak ditë Apolonia?

Ndryshimi nuk është brenda pak ditësh, pasi që kur ka hyrë janari jemi transformuar. Gjendemi në pozita më të mira në renditje dhe jemi rritur ndjeshëm në lojë. Tashmë ne nuk pësojmë më aq lehtë dhe nga ana tjetër shënojmë më shumë.

Faza e dytë e kampionatit nuk i ngjason kurrsesi së parës. Çfarë përmirësoi Apolonia?

Fillimi ishte i vështirë. Vinim nga një kategori më lart dhe u goditëm disi psikologjikisht. Nga ana tjetër, e nisëm kampionatin në Kategorinë e Parë me trajner të ri dhe të huaj. Edhe grupi ishte relativisht në moshë të re dhe po vuanim mungesën e eksperiencës.

Pavarësisht të gjithave, së bashku me trajnerin Juri Kanarsa shtuam orët në stërvitje dhe u përmirësuam ndjeshëm në lojë, sidomos në aspektin taktik. Afrimet e janarit ishin tejet cilësore, u forcuam shumë sidomos në mesfushë. Falë punës së përditshme, u rikthyem në lojë për elitën dhe Apolonia nuk do ndalet me kaq në kampionat.

Cili është virtyti më i madh i këtij ekipi?

Nuk kemi asnjë lloj hatërmbetjeje dhe gjithsecili jep maksimumin në fushë. Kuptohemi shumë mirë dhe kjo vërehet lehtësisht në fushën e blertë, ku aksionet tona nisin nga porta në portë. Ju kujtoj këtu golin e Krasniqit, i cili erdhi nga një aksion model.

Edhe gjashtë ndeshje deri në javën e fundit. Të presim të njëjtën grintë nga Apolonia?

Prisni sërish një Apoloni sulmuese, sepse po kalojmë një moment të mirë në kampionat. Kemi hyrë në fazën më të nxehtë të kampionatit dhe jemi maksimalisht të motivuar për javët e mbetura.

Gjashtë gola dhe gjashtë asiste. Si e vlerësoni kampionatin e Omerit?

Të them të drejtën, për mua ka rëndësi më shumë fitorja, sepse në fund të fundit të gjithë për këtë përpiqemi. Si kur shënoj edhe kur asistoj, them se është njësoj. Po ndihmoj skuadrën për të arritur objektivin sezonal.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"