Trajneri i Vorës beson se skuadra e tij e përballon Besëlidhjen, Bardhi: Gabimet të ndaluara, e nisim mbarë 2021-shin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 6, 2021 | 11:15

Trajneri i Vorës beson se skuadra e tij e përballon Besëlidhjen, Bardhi: Gabimet të ndaluara, e nisim mbarë 2021-shin

Vora do të presë sot Besëlidhjen, në një sfidë përcaktuese për mbijetesën. Gerald Çani beson se grupi do ta përballojë kundërshtarin. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, 24 orë para kësaj ndeshjeje, ai komenton edhe afrimet e bëra në merkato. “Kam besim te skuadra dhe afrimet e fundit, madje besoj se të mitë do të arrijnë ta menaxhojnë mirë situatën deri në fund të sezonit dhe se ekipi nuk do të bjerë nga kategoria. Llogarisni ndonjë ekip tjetër për të rënë më poshtë”, tha trajneri, që i mëshon faktit se takimi kundër Besëlidhjes është i një rëndësie të veçantë.

ERZENI BESELIDHJA

“E kam thënë edhe herë të tjera që skuadrat janë aty-aty dhe ndeshja e nesër (sotme) merr një rëndësi të veçantë, sepse një trepikësh ndaj lezhjanëve i forcon mjaft pozitat tona. Do të mundohemi të zhvillojmë një lojë të mirë. Besëlidhja ka një skuadër të mirë me kualitete dhe do të jetë ndeshje e vështirë për ne. Gjithsesi, ne e kemi përgatitur skuadrën tonë për të fituar dhe për të mos lënë asnjë pikë”, ka përfunduar tekniku i vorakëve.

Besëlidhja u ka dhënë fund përgatitjeve për transfertën ndaj Vorës, që do të zhvillohet sot në Pezë-Helmës. Objektivat për të cilët luan Besëlidhja dhe deficiti prej 8 pikësh në renditje, e detyrojnë skuadrën lezhjane të hyjë në fushë vetëm për të fituar. Trajneri Sinan Bardhi beson te fitorja, gjë që e pohon edhe për “Panorama Sport”. “Shtyrja e kampionatit ishte më se e domosdoshme, por rifillimin po e prisnim me padurim. Kemi ditë që përgatitur sistematikisht, ndaj jemi gati. Vora ka një skuadër mjaft të mirë e me kualitete, ndaj ka marrë vlerësimin tonë. Objektivat që kemi dhe pozicioni në tabelë, na detyron t’i harrojmë rezultatet negative. Jemi më shumë se të karikuar për këtë 90-minutësh. Pikat e dobëta që kishim i kompensuar me afrimet dhe tashmë jam i bindur se kam formatuar skuadrën e duhur për realizimin e objektivave që kemi. Kemi rritur konkurrencën dhe rrjedhimisht cilësinë e skuadrës dhe kjo më jep shpresë, që fazën e dytë do ta nisim me rezultat pozitiv”, përfundoi tekniku i lezhjanëve.

ABDULLA DUSHKU/ PRENG GJIKOLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"