Trajneri i Pogradecit shpall objektivat: Gati dy afrime, këtë vit luftojmë për Superioren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 13, 2019 | 14:16

Trajneri i Pogradecit shpall objektivat: Gati dy afrime, këtë vit luftojmë për Superioren

Pogradeci e ka nisur krejt ndryshe këtë sezon. Nuk është pritur korriku apo gushti për të filluar merkaton, pasi që në ditët e para të qershorit kanë siguruar dy afrimet e para.

festim fetollari

Klubi ka rikthyer në ekip sulmuesin Endri Çekiçi dhe mesfushorin Ildian Shyti, duke ua rrëmbyer respektivisht klubeve si Besa dhe Bylisi. Por, drejtuesit nuk kanë në plan që ta lënë me kaq. Idetë janë të qarta, që grupi të kompletohet duhet edhe një tjetër mesfushor dhe një portier. Emrat ende nuk zbulohen, e megjithatë shumë shpejt do të ketë zhvillime në këto “operacione”.

PLANI – Është vetë Festim Fetollari që zbardh planin e liqenorëve, ndërsa paralajmëron se kjo verë do të jetë realisht e “nxehtë” referuar afrimeve. Nëse në sezonet e fundit e kanë nisur kampionatin me idenë për t’u ngjitur dhe rrugës kanë çeduar, këtë herë e kërkojnë me çdo kusht rikthimin në mesin e më të mirëve. U bë 7 vite që pogradecarët enden në Kategorinë e Parë, ndaj në klub po hedhin hapa të sigurt që në fund të sezonit 2019-2020 të fitojnë të drejtën për t’u rikthyer në Superiore.

Gjatë deklaratës së dhënë për “Panorama Sport”, është vetë trajneri që shpjegon se çfarë do të ndodhë me merkaton dhe zbulon objektivat. “Do të bëjmë afrime cilësore për të luftuar për Kategorinë Superiore. Çdo vit e kemi pasur një synim të tillë, por ka ardhur koha që t’ia dalim. Është pikërisht ky shkaku që edhe punën e kemi nisur më herët këtë vit, pasi nuk duam që t’ia lëmë asgjë rastësisë.

Do të jetë garë e fortë dhe këtë e kemi të qartë, por nëse ndërtojmë grupin e duhur, mund t’ia dalim. Jemi drejt mbylljes së marrëveshjes edhe me dy futbollistë të tjerë. Emra nuk mund të them, por rolet mund t’i zbardh. Bëhet fjalë për një mesfushor dhe një portier. Dhe nëse vjen akordi, mund të thuhet se grupi do të kompletohet, përderisa pjesën tjetër e kemi”, u shpreh fillimisht tekniku i liqenorëve. Më tej, ai foli edhe për fazën përgatitore, ndërsa zyrtarizoi axhendën. “Grumbullimi i ekipit fillon në datën 15 korrik. Mendoj se deri atëherë do të jemi të plotë dhe do të fillojmë nga puna për sezonin e ri”, përfundoi Fetollari.

ROMEO XINXIFI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"