Trajneri i Orikut nuk i druhet Pogradecit: U zhvillua kampionat i pistë, meritojmë ngjitjen!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 14, 2022 | 13:42

Trajneri i Orikut nuk i druhet Pogradecit: U zhvillua kampionat i pistë, meritojmë ngjitjen!

Besmir Shabani thumbon kundërshtarët. Trajnerit nuk i del inati me fundin e garës në Kategorinë e Dytë. Enkas për “Panorama Sport” ai thotë se u luajt pistë, ndonëse Oriku diti ta tregonte veten në fushë. Bregdetarët udhëtojnë me ide të qarta në Peqin për të fituar dhe ngjitur.

Kridens Meta, Oriku logo

“Oriku dha më të mirën gjithë sezonin. Bëri atë që duhet të bënte në fushën e lojës. Jashtë fushe nuk u treguam të fortë për arsye që tashmë dihen nga vendimet e FSHF dhe kundërshtarëve që luajtën në mënyrë të pistë.

Ne nuk e kemi filozofi të luajmë në atë mënyrë. Luajmë ndershëm dhe në fushë. Fitorja me Veleçikun tregoi se ne jemi kampioni i Kategorisë së Dytë në fushë.

Kundërshtarët pastaj luajtën më mirë jashtë fushe dhe kjo u vërtetua”, tha fillimisht numri një i pankinës. Oriku do të luajë me Pogradecin në stadiumin e Peqinit.

Shabani tha se nuk i druhet dhe beson se do ta kapin Kategorinë e Parë. “Sa i përket ndeshjes me Pogradecin, duhet vlerësuar maksimalisht.

Pogradeci është një skuadër që luan futboll, luan bukur, luan pastër. Por nuk i trembemi aspak. Ne kemi lojtarë që kanë luajtur në Superiore dhe jo më në Kategorinë e Parë. E kemi grupin të plotë. Nuk i trembemi.

Do të hyjmë në fushë për të fituar. Është një ndeshje specifike. Ndeshje finale, teke. Presioni është mbi ata, kuptohet. Ata janë pak më lart. Do të luajmë sikundër bëmë me Veleçikun, të bashkuar, kështu që nuk i druhemi aspak.

Do bëjmë lojën tonë dhe do të luajmë me karakter. Kemi pasur mbështetjen e administratorit Jazaj edhe financiarisht. Nuk i trembemi aspak Pogradecit, shkojmë në Peqin që të fitojmë”, përfundon Shabani.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"