Trajneri i Besës “qan” humbjen, Gjyla: Nuk mburrem kot, fituam se vlerësuam kundërshtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 5, 2020 | 19:29

Trajneri i Besës “qan” humbjen, Gjyla: Nuk mburrem kot, fituam se vlerësuam kundërshtarin

Trajneri i Besës “qan” humbjen ndaj Lushnjës. Ndriçim Kashami shpreh keqardhje që u iku fitorja nga duart. “Duhet ta kishim mbyllur takimin në pjesën e parë. Humbëm shumë raste. Nominimi si pretendent krijon nervozizëm në skuadër. Pasoja e golit të barazimit ishte shokuese. Lushnja e filloi me ritëm pjesën e dytë. Nuk është çështje lojtarësh, taktikash, por është psikologjike. Ndeshja nuk ishte për t’u humbur, por ndeshjet fitohen edhe kot, humben edhe kot”, tha kavajasi.

gjyla

Ilir Gjyla u gëzohet pikëve dhe më shumë se kaq nuk mund të priste në javën e parë. Trajneri i Lushnjës pas ndeshjes tha: “Jam i kënaqur me këtë nisje të mbarë. Unë kam vite mbi shpinë dhe nuk para mburrem kot. Mendoj që futbolli është matematikë. Mbledh pikë dhe është llogari. Kurrë nuk kam thënë që do të fitoj. E dinim me kë do të luanim dhe bëmë llogaritë tona, respektuam kundërshtarin.

Pjesën e parë m’u duk se çunat e kishin mbivlerësuar. Kavaja është për t’u vlerësuar, por jo për t’u mbivlerësuar. Hymë pak me frikë edhe për moshën e tyre. Ka lojtarë që debutonin sot (dje). Po të shohësh pjesën e parë, loja e disa të rinjve është e frikshme. Nuk qarkulluam dhe ishim si të ndrojtur. Në pjesën e dytë, ndryshuam diçka më shumë nga ana psikologjike. Ajo që më gëzon mua më shumë është forma fizike. Fitoren e merituam”.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"