Trajneri Birçe u “trash” zërin futbollistëve të Flamurtarit, zbulohen kërkesat e teknikut para Luftëtarit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2019 | 12:25

Trajneri Birçe u “trash” zërin futbollistëve të Flamurtarit, zbulohen kërkesat e teknikut para Luftëtarit

Luan Birçe “trash” zërin në stërvitje. Trajneri i Flamurtarit ka vendosur rregull dhe disiplinë, por ka nisur edhe drejtimin me dorë të hekurt. “Panorama Sport” mëson se Birçe nuk ka ndërmend të tolerojë asnjë lojtar. Në formacion do të jetë vetëm ai që e meriton, punon dhe stërvitet më shumë. Kjo është filozofia e trajnerit vlonjat, por e përçuar edhe te skuadra. Duket së qëndrimi i prerë i Birçes ka ardhur pasi ka vënë re se disa lojtarë që janë aktivizuar në formacionin kryesor nuk e kanë justifikuar sa duhet besimin.

luan birce

Trajneri Birçe ua ka bërë të ditur lojtarëve këtë fakt edhe gjatë seancës stërvitore. “Ka lojtarë që nuk janë në nivelin e duhur. Lojtarët duhet ta meritojnë formacionin. Me mua do të luajnë në formacion vetëm ata lojtarë që paraqiten në nivelin e duhur, si dhe punojnë dhe ata që japin maksimumin në seancat stërvitore. Ata që nuk e meritojnë, nuk do të jenë. Të jemi të qartë për këtë”, është shprehur Birçe.

luan birce

KUSHTI

Trajneri Luan Birçe ka kërkuar nga skuadra që në ndeshjen e javës që vjen me Luftëtarin, e cila do të luhet në Vlorë, të japë maksimumin. Sipas Birçes, kjo është një sfidë që duhet fituar dhe gjatë mbledhjes me lojtarët e bëri të qartë këtë gjë. “Jemi në një situatë jo të mirë dhe na duhen pikët. Në ndeshjen e radhës duhet që të jepni maksimumin. Luani në shtëpi, në Vlorë, dhe përpara sportdashësve tanë, ndaj duhet të fitojmë. Nuk duhet të zhgënjejmë asnjëherë në fushën tonë”, ka vijuar trajneri Birçe.

Flamurtari2

PSIKOLOG

Luan Birçe vijon të bëjë psikologun përpara skuadrës. Kreu i pankinës vlonjate u ka kujtuar peshën e fanellës futbollistëve. Sipas Birçes, lojtarët duhet ta respektojnë atë. “Respekt për fanellën. Kjo është ajo që unë kërkoj nga ju. Duhet që këtë gjë ta keni shumë parasysh. Pesha e fanellës së Flamurtarit është shumë e rëndë, kështu që duhet të bëni të pamundurën për ta respektuar atë. Të jeni krenarë që keni veshur këtë fanellë që përfaqëson një klub legjendar dhe me emër. Përqendrim në lojë dhe të jeni sa më të qetë. Respektoni edhe veten tuaj. Po ashtu, duhet që në të gjitha ndeshjet të bëjmë një lojë sulmuese. Kjo është ajo që unë kërkoj dhe këmbëngul më shumë te ju”, u ka thënë Birçe lojtarëve.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"