Tomori kërkon daljen nga zona “e ftohtë”, Arbëri plan për pikët: Nuk shoh renditje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 12, 2022 | 10:59

Tomori kërkon daljen nga zona “e ftohtë”, Arbëri plan për pikët: Nuk shoh renditje

Tomori u ka dhënë fund përgatitjeve dhe është gati për të rinisur garën. Kalendari nuk është treguar fort “i mëshirshëm” me ta, pasi sot do të presin Flamurtarin që do të rimarrë kreun në Kategorinë e Parë.

Arberi

Në Berat e dinë që nuk do ta kenë të lehtë përballë një skuadre që ka më shumë se tre muaj që nuk e njeh humbjen, por nuk pezmatohen. Këtë e thotë edhe vetë trajneri Klodian Arbëri, në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”.

Ai mundohet që të karikojë të tijtë dhe të shtojë dozën e entuziazmit, ndonëse do t’u duhet të luajnë me stadium bosh. Tifozët janë të dënuar edhe këtë javë dhe kjo mund të quhet mungesa më e madhe për skuadrën, pa llogaritur atë të kapitenit Ervis Çaço (i skualifikuar prej 4 kartonëve të verdhë).

“Kemi punuar shumë gjatë për këtë ndeshje. Duke përfituar nga ndalesa e garës, kemi korrigjuar shumë. Mund të them që jemi gati. I kemi dhënë vlerësimin që meriton Flamurtarit, një skuadër që vjen në Berat me statusin e pretendentes. E dimë që ata duan fitoren dhe rimarrjen e kreut, por edhe ne kemi planin tonë. Jemi përgatitur me shumë përgjegjësi, pasi duam që të përballemi denjësisht dhe si të barabartë me ta. I kemi shanset për të dhënë dhe marrë maksimumin nga kjo javë. Luajmë në fushën tonë mbi të gjitha, ndonëse kemi fatin e keq, që të mos kemi tifozët në krahë. Sigurisht që nuk do të jetë aspak e thjeshtë të realizojmë këtë objektiv, por jam i bindur që i kemi shanset tona. Besoj maksimalisht te forca e skuadrës. E megjithatë, ua kam bërë të qartë futbollistëve të mi, që kjo do të jetë thjesht një ndeshje radhe. Nuk kemi pse ta shikojmë Flamurtarin nga renditja. Mjafton që të luajmë futboll dhe të kemi etje për të marrë pikë. Kemi gjetur ritmin dhe ambicia për të bërë mirë nuk na mungon”, ka përfunduar tekniku i Tomorit.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"