“Titulli i Tiranës u vulos në Shkodër”, rrëfehet Ilion Lika: Shokët e lojës tani janë me bark, unë “fit”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 20, 2022 | 22:41

“Titulli i Tiranës u vulos në Shkodër”, rrëfehet Ilion Lika: Shokët e lojës tani janë me bark, unë “fit”

Kjo stemë do veç titullin”. Kjo ishte fjalia që përdori Ilion Lika në prag të ndeshjes së parë të sezonit. Portieri luajti titullar në ndeshjen e parë të këtij kampionati dhe realisht kjo i solli fat Tiranës. Bardheblutë fituan titullin, ndërsa Lika ishte një nga krahët e Shehit në pankinë.

ilion lika

Në një intervistë të gjatë për “Panorama Sport”, Lika rrëfen vitet e rinisë, të fshehtat, si dhe tregon përse është në formë. Më pas analizon Tiranën dhe atë që skuadra tregoi në fushën e lojës. Lika këshillon të gjithë që të punojnë dhe të kenë një objektiv në jetë. Vetëm kështu ecin përpara.

Ilion, ju jeni tashmë kampion i Shqipërisë. Pak e dinë që ishit ju ai që e nisi këtë sezon si titullar…

Kënaqësi shumë e madhe të fitosh. Titulli është i merituar dhe shumë i bukur. E dominuam komplet kampionatin dhe për më tepër kur këmbën e djathtë në ecurinë drejt këtij trofeu e vura unë. Isha ajo lokomotiva që shtyva vagonët dhe thashë: “Ecni tani” (qesh).

Cili është ndryshimi mes skuadrave që kanë fituar titullin?

Flas atë të para dy viteve dhe kësaj aktuales? Para dy vitesh, ishim skuadër me më shumë eksperiencë. Tamam në moshë dhe lojtarë shumë të mirë. Këtë vit ishte një skuadër më e re, më energjike, me lojtarë të talentuar, por për mua skuadrat ishin shumë të mira.

Cila ishte forca e kësaj skuadre?

Të dyja skuadrat kanë forcën e tyre më të madhe grupin. Kjo është bërë rrugë, por nga ana tjetër që një skuadër të funksionojë, duhet të jetë grup. Pa grup nuk del as individi. Ne me të vërtetë ishim si familje nga ndeshja e deri tek e fundit. Ju e shihni që ne kemi dalë kampionë dhe akoma duam të fitojmë.

Disa herë Shehi ju ka përmendur si një nga krahët në skuadër…

Fat i madh është për lojtarët e rinj që kanë afër lojtarët me eksperiencë. Kohët kanë ndryshuar. Unë kam eksperiencë edhe në kohën kur nuk ndodhte një gjë e tillë. Kur ne luanim dhe ishim të rinj, lojtarët e vjetër kanë qenë ndryshe. Nuk është se të jepnin dorën, madje të shihnin si rival.

Fati është për këta djem që kanë afër lojtarë si ne “të vjetrit” që nuk janë as xhelozë për performancën e tyre. Këtu fus edhe Visarin që pavarësisht se është në rolin tim, është kolegu im. Ai po bën një performancë shumë të mirë. Mua nuk më bën xheloz, veçse më kënaq performanca e tij. E kam vëlla të vogël dhe do të vazhdoj ta ndihmoj edhe në të ardhmen. Nuk më shqetëson faqe kjo gjë. Në futbollin e mëparshëm ka qenë problem.

Aq e fortë ishte Tirana që e dominoi këtë sezon?

Bëmë një skuadër shumë të mirë, të fortë, energjike. Nuk patëm ulje-ngritje. Patëm një vijë loje dhe ishim shumë mirë. Kemi pasur vazhdimësinë. Ne nxirrnim shkëndija që në stërvitje. Normalisht kur stërvitesh fort, këtë gjë do ta shfaqësh në ndeshje. Ne nuk e kthyem kokën pas.

Ecëm drejt dhe nuk patëm presion. Kjo, për meritë edhe të presidentit që nuk ushtroi presion. Trajneri me qetësinë e vet punoi shumë mirë si dhe Tefiku që ka qenë një barrierë e fortë e problemeve të jashtme. Nuk ramë asnjëherë poshtë. Skuadrat e tjera patën shumë ulje-ngritje. Ky ka qenë çelësi i suksesit.

Kur e kuptuat që do të dilnit kampionë?

U kuptua tek ecuria e ekipit në fazën e dytë. Pastaj kur fituam në Shkodër me përmbysje, thashë se ky kampionat ishte yni. Ishte ndeshja me 10 vetë.

Koha për Ilionin është vetëm koncept dhe e ndalur. Në këtë moment jeni futbollisti më i madh në Superiore dhe në aktivitet?

Vazhdoj të stërvitem si të rinjtë. Kam akoma dëshirë të stërvitem dhe të luaj, kam vullnet. Jam i gatshëm ta ndihmoj klubin Tirana që e falënderoj për çdo gjë. Është klubi që më ka bërë ky që jam. Është klubi që më ka zgjatur karrierën time. Pa asnjë lloj interesi, dua të falënderoj presidentin, stafin, drejtorin që kanë dhe vazhdojnë të kenë besim tek unë. Ky është një borxh imi që dua t’ua laj.

Çfarë duhet të bëjë kjo skuadër që të mos gabojë si vitin pas titullit?

Fat i madh është që presidenti ka eksperiencë, e njeh mirë futbollin. Ka mësuar nga gabimet e mëparshme. Kemi një trajner me eksperiencë, drejtori po. Të gjithë i kanë kaluar në duar gabimet dhe gjasat janë që të mos përsëriten më. Boshti është, madje duhet të bëjmë edhe përforcime dhe të tentojmë gjëra të mëdha në Champions dhe, pse jo, të provojmë të bëjmë ciklin e Skënderbeut. Për këtë duhet edhe pak fat.

U shkuat shumë pranë grupeve në Europa League dy vite më parë…

Patjetër. Kualiteti është. Futbolli po tregon se nuk ka disnivele të mëdha. Nëse është dëshira, po qe se ke pak fat dhe Zotin me vete, si në ndeshjen me Crvenën që mund ta kishim ndaluar nëse na nderonte fati, pse jo.

Batha ju “vjedh” një shok?

Hoxhallarit i uroj suksese. Ishte shok dhe lojtar i mirë. Lojtar deciziv në skuadër. Megjithatë, Tirana tregon se ka zemër të madhe. Presidenti e lejon lojtarin të ikë e të zhvillohet jashtë shtetit. Tani qëndrojnë shokët e rinj, që më duket si fëmijët e mi sesa si shokë. Kam plot shokë, stafin, ish-lojtarët që janë në skuadër. E rëndësishme që Hoxhallarit t’i bëhet mbarë, por do të takohemi sërish me njëri-tjetrin.

Si është për një njeri që luan futboll, ndërsa shokët e tij e kanë lënë futbollin?

Është pak e habitshme. Në një moment i ke shokë, më pas rivalë. Është ndjesi e veçantë. Është edhe kënaqësi nga një anë edhe mburrem, sepse kur i shoh me bark ashtu dhe unë “fit”… s’kam ç’të them më.

Fjala punë çfarë do të thotë për Ilionin?

Puna është suksesi. Me punë, besim dhe vullnet arrin gjithçka. Pa punë nuk mund të arrish rezultatet. Këtë duhet ta ngulisë në kokë çdo i ri dhe i vjetër. Puna të rrit në karrierë dhe të çon atje ku nuk ta pret mendja.

Cila është këshilla për ata që duan të luajnë në nivele të mëdha?

Ekipi ynë ka shumë elementë të talentuar dhe që mund të bëjnë mirë edhe jashtë vendit. Duhet të kenë besim, vullnet dhe të punojnë jashtë orarit të stërvitjes. Duhet të kenë uri për të fituar, por këtë e kanë. Ne e kemi mbyllur sezonin, por Taulanti feston te goli i katërt, shoh edhe Enurin që luan me shpirt, sepse nuk dua të harroj askënd. Kjo duhet. Puna dhe dëshira të çojnë përpara. Titulli është një objektiv. Të gjesh një skuadër jashtë, të fitosh Kombëtaren janë objektiva. Pa objektiva nuk ecën përpara.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"