Tirana rikthehet tek trofetë, thyen Flamurtarin dhe “rrëmben” Superkupën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 12, 2018 | 18:43

Tirana rikthehet tek trofetë, thyen Flamurtarin dhe “rrëmben” Superkupën

Tirana në basketboll për femra është rikthyer te trofetë e munguar, ndërsa të mërkurën në mbrëmje është shpallur fituese e Superkupës së Shqipërisë. Më tepër sesa fitimi i këtij trofeu simbolik, që vë përballë kampionen në fuqi, Flamurtarin me fituesen e Kupës, Tiranën, ky triumf i vajzave bardheblu të drejtuara nga trajneri Roland Avrami ka sinjalizuar edhe një betejë interesante në gjysmë- finalet e “play-off”-it, për titullin në Kampionatin Kombëtar të Basketbollit të Femrave. Në fakt, sfida e djeshme, ka qenë një ndeshje mjaft e tensionuar, emocionuese dhe të hapur deri në sekondat e fundit.

tirana basket femra

Por, fundi ka qenë një triumf plotësisht i merituar për ekipin bardheblu. Ndeshja në shumë raste paraqitet me nervozitet nga të dyja skuadrat, por më të qeta ishin vajzat kryeqytetase, të cilat ngritën trofeun e dytë sezonal. Për sa i përket kronikës së lojës, ndeshja ka qenë mjaft e tensionuar, ku lojtaret gabojnë shumë herë gjatë ndërhyrjeve, duke i detyruar shpeshherë gjyqtarët që t’i ndëshkojnë me gabime personale. Minutat e para janë të ekuilibruara, por pas pikës së 11-të është Tirana që ka një epërsi të lehtë, duke u shkëputur 16-12 dhe udhëheq periodën 19-14.

Vlonjatet barazojnë 19-19 shifrat me nisjen e periodës së dytë, por shumë shpejt bardheblutë marrin frenat e lojës në dorë, duke u shkëputur deri në 11 pikë. Skuadra e Avramit mundohet të menaxhojë diferencën e pikëve, por loja tensionohet përsëri në fund, kur gjyqtarët i japin teknikë trajnerit Avrami për protesta, por gjithsesi Tirana del fituese 43-35. Në fraksionin e dytë, loja bëhet mjaft interesante ku me fillimin e periodës së tretë, Flamurtari nis gradualisht të ngushtojë shifrat deri në 2 pikë, por mjaft lojtare të Tiranës ngarkohen me nga 3 dhe 4 gabime personale.

ga

Gjithsesi, bardheblutë arrijnë të komandojnë dhe udhëheqin 53-48, duke shkuar në periodën e fundit me 5 pikë diferencë. Tirana nis shkëputjen, por tashmë ka ardhur dhe largimi i Popoviç, që del me 5 personale dhe pasohet nga Gera Bujari, por vlonjatet përsëri nuk përfitojnë. Kur diferenca shkon në vetëm dy pikë, Tirana tregohet më e qetë dhe përfiton nga disa gabime në sulm të vlonjateve, duke arritur të fitojë të gjithë takimin 72-59. Në fund vjen trofeu i tretë i Superkupës dhe i dyti sezonal.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"