Tirana kthehet e para, vulos Elis Bakaj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 28, 2014 | 9:22

Tirana kthehet e para, vulos Elis Bakaj

Teuta-TiranaTEUTA-TIRANA  0-1
GOLAT: Bakaj 75′
TEUTA: Rizvani, Kotobelli, E.Hoxha, Krasniqi (Turtulli 68′), Ahmataj, Hodo, Hoxhallari (Dita 86′), Nika, Deliallisi, Korreshi (Fall 77′), Rafael; (në dispozicion: Osmani, Ulluri, Hysenbelliu, Pepa). Trajner: H.Lika.
TIRANA: Frashëri, Kërçiku, Curri, Pashaj (Olaki 46′), Kalari, Taku, Bulku, Malaj (Hyshmeri 64′), Karabeci, Morina (Bushiç 79′), El.Bakaj; (në dispozicion: Ed.Bakaj, Muça, Kagere, Gavazaj). Trajner: G.Magani.
KARTONË TË VERDHË: Kotobelli 51′, Dita 86’/ Taku 51′, El.Bakaj 80′
VËZHGUES: Myrteza Allkja (Elbasan);
DELEGAT: Enton Lita (Tiranë)
GJYQTARET: K.Meta, R.Avdo, N.Bregasi (Tiranë)

MINUTAT
1′ Rafael kthen një top për Koreshin në zonë, mesfushori gjuan nga një pozicion i prirët, por nuk gjen kuadratin.
6′ Goditje dënimi, ekzekuton Krasniqi, por Frashëri kontrollon pa problem topin.
22′ Nika gjuan nga këndi, provon Hoxhallari me kokë, pret Frashëri.
25′ Goditje dënimi, Bakaj gjuan, por topi përfundon shumë larg kuadratit.
31′ Nika ekzekuton një goditje dënimi, por portieri i Tiranës është në krye të detyrës dhe pret topin i pashqetësuar.
34′ Bakaj merr një kros nga e djathta, gjuan nga një pozicion jo fort i prirët, por topi prek vetëm rrjetën e sipërme.
35′ Rafael provon nga jashtë zone, por nuk gjen portën.
46′ Bulku nga këndi, Pashaji gjuan me vështirësi, topi preket me dorë nga Erand Hoxha, por gjyqtari nuk sinjalizon faull.
47′ Olaki merr krahun, futet në zonë, gjuan, por mbrojtja e Teutës neutralizon rrezikun.
60′ Goditje dënimi, gjuan Bulku, Rizvani zotëron topin.
72′ Curri kros në zonë, Bakaj me kokë, pret Rizvani.
75′ Kros perfekt i Takut nga e djathta, Bakaj gjuan bukur me të majtën dhe e dërgon topin në rrjetë, 0-1.
86′ Goditje dënimi për Tiranën, provon Curri, por nuk gjen kuadratin.
93′ Taku nga e majta, futet në zonë, driblon E.Hoxhën, gjuan, por topi devijohet nga mbrojtja e vendësve.

Tirana thyen Teutën dhe e mbyll fazën e parë në krye të renditjes. Bardheblutë nuk falin as në “Niko Dovana”, teksa një gol i Elis Bakajt u ka mjaftuar për të siguruar një tjetër tripikësh. Ndeshja është kontrolluar totalisht nga kryeqytetasit, të cilët, edhe pse nuk kanë vizituar rrallë portën e mbrojtur nga Rizvani, kanë shfaqur hapur supremaci në fushën e lojës. Nga ana tjetër, durrsakët, të “montuar” në mbrojtje, kanë rrezikuar vetëm nga distanca, por pa mundur që të gjejnë rrjetën.
Pjesa e parë Loja nis vrullshëm për Teutën, e cila rrezikon që në sekondat e para. Rafael kthen një top për Koreshin në zonë, i cili kishte rastin ideal për të shënuar, por mesfushori gjuan nga një pozicion i prirët, por nuk gjen kuadratin. Tirana shfaqet më e organizuar dhe e kujdesshme në fushë dhe mundohet që të fitojë terren ndaj kundërshtarit. Në të 6-n ka një goditje dënimi për durrsakët, ekzekuton Krasniqi, por Frashëri kontrollon pa problem topin. Në të 22-n ka një tjetër tentativë të vendësve, Nika gjuan nga këndi, provon Hoxhallari me kokë, pret Frashëri. Duhet të vinte minuta e 25-të që bardheblutë t’i drejtoheshin zonës së vendësve. Ka goditje dënimi, Bakaj gjuan, por topi përfundon shumë larg kuadratit. Pas 6 minutash provon Nika një goditje dënimi, por portieri i Tiranës pret topin i pashqetësuar. Momenti më i mirë i bardhebluve ishte i të 34-s minutë, teksa Bakaj merr një kros nga e djathta, gjuan nga një pozicion jo fort i prirët, por topi prek vetëm rrjetën e sipërme të portës së Teutës. Kur pritej mbyllja e këtij fraksioni, Tirana rrezikon. Në të 46-n, Bulku kroson nga këndi, Pashaji gjuan me vështirësi, topi preket me dorë nga Erand Hoxha. Ka penallti, por gjyqtari Meta nuk sinjalizon faullin. Dhe për pasojë skuadrat u drejtohen dhomave të zhveshjes me barazim të bardhë.
Pjesa e dytë Tirana e nis me ndryshime këtë pjesë, teksa në vend të Pashajit futet Olaki. Rrjedhimisht ka edhe lëvizje në skemë, teksa Bulku i bashkohet Currit në qendër. Më tej, futet edhe Hyshmeri në vend të Malajt që sposton Karabecin në pozicionin e tij natyral. Ritmi i lojës rritet, po ashtu edhe dyluftimet në mesfushë. Olaki, i sapofutur në fushë, ka një rast të artë në të 46-n, por mbrojtja vendëse neutralizon rrezikun. Në të 60-n provon kapiteni Bulku nga një goditje dënimi, por Rizvani zotëron topin pa problem. Bardheblutë shtojnë presionin në të 72-n, teksa Curri kroson në zonë, Bakaj godet me kokë, por portieri kontrollon në kohë. Loja e mirë e Tiranës shpërblehet në të 75-n. Kros perfekt i Takut nga e djathta, Bakaj gjuan bukur me të majtën dhe e dërgon topin në rrjetë, 0-1. Ky gol ngre peshë mbi 1 mijë tifozë që kishin udhëtuar drejt Durrësit, në përkrahje të kryeqytetasve. Tirana ndihet më e qetë pas avantazhit dhe kjo i jep më shumë lirshmëri në lojë. Rastet nuk mungojnë, teksa Curri në të 86-n dhe Hoxha në 93-n rrezikojnë, por pa gjetur kuadratin. Ekipi i Maganit merr kështu një tripikësh deciziv dhe i komplikon situatën në renditje Teutës së Likës që e mbyll fazën me 7 pikë.

MË I MIRI
Elis Bakaj ishte pa dyshim njeriu i ndeshjes. Falë golit të tij tripikësh, skuadra e Tiranës ruajti kreun e renditjes. Sulmuesi, përveç shënimit të golit, punoi fort në mesfushë e sulm, duke u përpjekur të gjente hapësira në mbrojtjen vendëse. Notë pozitive meriton Bulku dhe Curri, ishin të pagabueshëm në prapavijë përgjatë gjithë ndeshjes. Madje kapiteni, në të dy rolet që u aktivizua, bëri më të mirën.

MË PAK AKTIVI
Sulmuesi i Teutës, Rafael Magalhaes, nuk ishte në ditën e tij më të mirë. Ai ishte në hije përgjatë gjithë kohës, ndoshta edhe për faktin se ishte i vetëm në majë të sulmit të Teutës. Rafael nuk e ka gjetur ende rrugën e rrjetës me skuadrën durrsake. Gjatë ndeshjes së djeshme, braziliani pati disa raste të pastra përballë portës mike, por nuk diti t’i shfrytëzonte. Edhe pjesa tjetër e skuadrës nuk ishte në një mbrëmje të mirë.

hasan lika“Krijuam raste, por nuk ditëm t’i shfrytëzonim”
Trajnerit Hasan Lika i ka lënë një shije të hidhur humbja, e cila mund të justifikohet me mungesat e shumta që skuadra e tij kishte në këtë përballje. “E nisëm mirë ndeshjen, duke rrezikuar disa herë Tiranën përgjatë minutave të para, por nuk i shfrytëzuam rastet si duhet. Përveç pësimit të golit dhe duke marrë parasysh faktin që kishim mungesa të shumta, mendoj se skuadra luajti mirë. U mbrojtëm mirë deri në momentin e golit, por nuk ishim rezultativë në ofensivë. Ishte një humbje, e cila duhej të ishte evituar. Gjatë pjesës së parë ishim mirë dhe patëm disa raste për shënim, por, sikurse theksova, nuk i shfrytëzuam rastet e krijuara. Por, tani ka përfunduar gjithçka dhe ajo që mund të bëjmë është të shikojmë përpara. Nuk e kemi mbyllur mirë fazën e parë të kampionatit. Skuadra nuk ka marrë atë që ka dhënë në fushën e lojës përgjatë këtyre nëntë ndeshjeve të para. Shpresoj të rikthehemi sa më shpejt te rezultatet pozitive, pasi renditemi në vendin e tetë dhe ky vend nuk na shkon për shtat. Meritojmë më shumë, nisur nga loja që kemi zhvilluar”, tha Lika.

Magani ne konference shtypi“Fitore me vlera, e mbyllëm fazën në krye”
Trajneri i Tiranës, Gugash Magani, u shpreh i kënaqur nga paraqitja e skuadrës dhe fitorja e arritur në “Niko Dovana” përballë ish-skuadrës së tij. “Skuadra arriti të fitonte përballë një kundërshtari tejet të motivuar. Hasëm vështirësi përballë Teutës, e cila u mbrojt mjaft mirë deri 15 minuta para përfundimit të ndeshjes. Pjesa e parë ishte disi e balancuar dhe nuk po gjenim dot hapësira në zonën kundërshtare. Ndërkohë që gjatë pjesës së dytë mendoj se dominuam në pjesën më të madhe të minutazhit. Loja ndryshoi dhe nisëm të gjenim hapësira kur ndryshova rolet e disa lojtarëve. Bulku e nisi lojën përpara mbrojtjes, ndërsa gjatë pjesës së dytë u rreshtua në qendër dhe në vend të tij vendosa një lojtar me tipare më sulmuese. Si përfundim, erdhi edhe goli që të gjithë prisnim dhe morëm një fitore me shumë vlera, përballë një kundërshtari shumë të fortë si Teuta. Jam shumë i kënaqur me këtë fitore, pasi e kemi mbyllur fazën e parë në krye. Por janë edhe tri faza të tjera për t’u luajtur, kështu që kemi shumë punë të bërë”, përfundoi Magani.

Bakaj Elis, lojtar i TiranesBakaj: Goli, për familjen time dhe tifozët
Autori i golit të vetëm të ndeshjes, Elis Bakaj, e ka konsideruar një fitore të merituar atë të arritur në transfertën e Durrësit. “Mendoj se ishte një fitore e merituar. Thuajse e dominuam totalisht ndeshjen, krijuam volum të madh loje, por nuk po gjenim dot hapësira në zonën e Teutës, e cila deri në momentin e golit u mbrojt shumë mirë. Ishte një ndeshje shumë e vështirë, por fatmirësisht arritëm të dilnim fitimtarë. Duhet të ecim me këto ritme edhe përgjatë pjesës së mbetur të sezonit. Sa i përket golit, jam i kënaqur. Atë ia dedikoj familjes sime, e cila më ka mbështetur në çdo hap të jetës, gjithashtu tifozëve tanë që ishin të magjishëm në shkallët e stadiumit. Prania e tyre na motivon gjithnjë”, u shpreh pas ndeshjes Bakaj.
LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"