Tirana/ Akord me Nikën, nisin negociatat me qendërmbrojtësin e Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 25, 2016 | 13:08

Tirana/ Akord me Nikën, nisin negociatat me qendërmbrojtësin e Partizanit

Tirana “blindon” Ansi Nikën. Bardheblutë kanë arritur parimisht akordin me mesfushorin shkodran dhe, sipas të gjitha gjasave, prej ditës së hënë ai mund të vihet nën urdhrat e Ilir Dajës.

13321855_143286339420094_1977860919892170762_n

Burime të sigurta në klub zbulojnë për “Panorama Sport” se dje lojtari është takuar me presidentin Refik Halili. Palët kanë diskutuar për të gjitha detajet kontraktuale, përfshi edhe ato financiare. Në finish të bisedës ka pasur edhe një shtrëngim duarsh.

Mësohet se kontrata që 25-vjeçari do nënshkruajë do të jetë sezonale, por me opsion rinovimi për një tjetër vit, ndërsa oferta në parà e bërë nga klubi ka qenë e kënaqshme për shkodranin. Në të tilla kushte, e vetmja gjë që mbetet është që të hidhet edhe firma, e cila me sa duket nuk do të vonojë.

Bicaj

Përtej “firove” që kanë pasur deri më tani, Tirana nuk po qëndron në heshtje. Ata dje kanë nisur negociatat edhe me Ditmar Bicajn.

Palët janë takuar dhe përgjegjësit e merkatos mësohet se ia kanë bërë të qartë mbrojtësit se e kanë në plane për sezonin e ri. Megjithatë, për të shkuar deri tek akordi duhet ende punë. Sikundër dihet, për llogari të shtatlartit lezhjan ka oferta edhe nga Flamurtari e Vllaznia, megjithatë kreditet e bardhebluve shtohen, pasi Bicajt nuk do t’i duhet që të ndryshojë qytet.

Mbrojtësi sezonin e mbylli te Partizani, ndërsa zyrtarisht kontrata i skadon më 30 qershor. Ndaj, nëse ky “operacion” merkatoje mbyllet me sukses, atëherë Ditmar Bicaj do të bëhej i dyti afrim që vjen prej rivalët e përjetshëm. Kujtojmë që jo më larg se një javë më parë, Tirana mbylli marrëveshjen me Asion Dajën.

Ky i fundit, zyrtarisht do të vishet bardheblu më 1 korrik. Nëse gjithçka shkon siç duhet, atëherë Bicaj dhe Daja mund të “zbarkojnë” në të njëjtën ditë në “Skënder Halili”.

Ndikumana

Tirana po pret edhe Selemani Ndikumanën. Ky i fundit më në fund ka dhënë përgjigjen që të gjithë prisnin. Kapiteni i Burundit parimisht ka thënë “po”, megjithatë, para se të marrë formë të prerë rikthimi i tij në Shqipëri, mbeten për t’u diskutuar edhe disa detaje të vogla. Sikundër është shkruar edhe më herët, bardhebluve u është bërë “fiksim” sulmuesi, ndaj kanë bërë gjithçka mundeshin për ta joshur.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"