Thesi i gënjeshtarëve…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 1, 2022 | 16:01

Thesi i gënjeshtarëve…

Nga OLSI KARAGJOZI
Verë e nxehtë, rekord prej dekadash, temperatura që shkrijnë asfaltin, thajnë liqene dhe shterojnë burime. Me të tilla lajme jemi mësuar tashmë prej disa javësh dhe ky është një realitet që në Shqipëri shqetëson dyfish, pasi në vendin tonë korriku i zjarrit zhveshi lakuriq edhe trupin e futbollit, duke nxjerrë në pah skeletin e deformuar të lojës, që e tillë nuk është më prej kohësh për tifozët, aktorët në skenë dhe regjisorët pas kuintave.

Topi i Superiores

E trishtueshme se si kjo verë shkriu bojën e telajos fasadë që kemi ndërtuar prej 30 vitesh. Thesi i gënjeshtrave duhej hapur një ditë dhe ndoshta ajo erdhi në periudhën më të keqe të mundshme, sepse, si për dreq, sot duhet të durojmë jo vetëm vapën, por edhe poshtërimin nga kundërshtarë modestë që përfaqësojnë madje edhe vende që ne “elitarët” i konsiderojmë ende të prapambetura. Tirana, Vllaznia apo Laçi e Partizani sot tregohen me gisht, por në të vërtetë janë fundi i një kalvari të gjatë rënkimesh, realiteti që është ndërtuar mbi gënjeshtrën e madhe se futbolli në këtë vend ka një kulm dhe ai është pikërisht tani, në vitet që po jetojmë mes pandemisë dhe krizës së madhe financiare.

Dështimi i kampiones së Shqipërisë në Mostar ishte thjesht skuadra që mbushi thesin e gënjeshtarëve, që me aq mjeshtëri na i kanë servirur dhe po me aq mjeshtëri i kemi pranuar. 36 javët e një sezoni të gjatë në Superiore i përjetojnë apo na shiten si finale, por të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që kjo është një skemë e ndërtuar keq, jo për rreshtimin e gabuar, por për shkak të aktorëve të vendosur në pozicione që nuk u takojnë.

Futbolli në Shqipëri nuk është sot loja argëtuese e njerëzve që e rrethojnë dhe e duan dhe nuk është as loja fitimprurëse për ata që e ushqejnë me para. Sot futbolli në Shqipëri është mjeti perfekt për të kënaqur egon e dikujt apo gjithkujt që pranon të futet në pazarin e pistë ku shiten e blihen topat dhe fanellat e lojës që kemi shpikur ne. Fanella që ndryshojnë ngjyra apo sponsorë, por mbeten të vdekura dhe të shkëputura nga historia. Tifozët sot e kanë kuptuar dhe gradualisht kanë vendosur të mos bëhen pjesë e një shëmtie të tillë, duke refuzuar madje edhe fasadat e stadiumeve moderne të cilëve u mungon dhoma e çmuar e muzeut të kujtimeve.

Refren i përsëritur në vazhdimësi, vit pas viti me bojkote, klube që falimentojnë pas Europës dhe të tjerë që nuk mbijetojnë dot në “xhunglën” me rregullat e Superiores. Një rreth vicioz që po e shteron edhe atë pikë të fundit djerse të derdhur dikur nga Flamurtari, Partizani apo Tirana e Vllaznia për të mbajtur lart flamurin shqiptar. Në raundin e tretë të Ligës së Konferencës, që shumëkush e konsideron si një kompeticion për të vegjlit, gjen me shumicë skuadra nga Malta, Ishujt Faroe, Kazakistani, Moldavia dhe madje edhe nga Lihtenshtejni, por asnjë gjurmë nga Superiorja, që prej vitesh del në tregun ndërkombëtar me mallin në limitet e skadencës.

Asnjë skuadër në Europë prej atyre që gjatë gjithë vitit bëjnë zhurmën shurdhuese me polemika, akuza, përplasje fizike, konflikte në ekrane dhe media. Të gjithë sot ata janë të heshtur, jo për të reflektuar, por të zhytur në qetësi për ta ngrënë turpin me bukë. Sot, askush nuk beson më te loja e fushës, ndërsa të gjithë po bëhen tifozë të lojës së zyrave. Futbolli i baltës është një epokë e humbur, që po e fshijmë me dashje, me urrejtjen që kemi për baltën dhe vuajtjet që të shkakton ajo, por asnjëherë me vullnet për të luftuar dhe fituar në një fushë sakrificash ku të gjithë janë të barabartë. Shembuj suksesi? Zero! Dëshirë për të mbajtur radhë përpara ndeshjeve historike që në fund përfundojnë në koshin e zhgënjimit? Shumë!

Shembuj të tillë na jep çdo sezon Kombëtarja, ndërsa Skënderbeu sot është zvogëluar në formatin e një skuadre rajonale, edhe pse pak vite më parë preku magjinë e grupeve në një kompeticion europian. Dikush preferon ta konsiderojë sot një pikë referimi, por historia është mizore, sepse bardhekuqtë janë tkurrur në një skuadër periferie, jo për shkak të asaj që bënë në fushë, por si pasojë e lojës jashtë katërkëndëshit të gjelbër.

Si për ironi, skuadra nga vende edhe më modeste si Luksemburgu, Moldavia dhe prej shumë vitesh edhe nga Bjellorusia, grupet e Champions apo Europa League i kanë kthyer në një traditë, ndërsa në Shqipëri, epoka post-Skënderbeu ka lënë pas vetëm hirin e djegur të një modeli që nuk funksionon më. Tani që më në fund u hap, thesi i gënjeshtrave duhet të zbrazet i gjithi, ndoshta për të filluar nga zeroja, sepse tregimi me shkëlqimin propagandues të garës së fortë, akademive solide dhe infrastrukturës moderne nuk arrin të bindë më, dhe këtë nuk e thonë më zëra të veçuar në faqe rrjetesh sociale, por rezultatet në fushë.

Kombëtarja sot nuk ka asnjë damar lidhës me futbollin shqiptar. Hysaj? Model suksesi i ndërtuar në Itali! Asllani? Më mirë të mos flasim për talentin që nga “Elbasani” e perifrazojmë sa herë na intereson! Broja? Ndoshta vetëm mbiemrin ka shqiptar, sepse sot ai trazon mendimet e Tuhelit, jo sepse është kuqezi në gjak, por sepse ka arritur në këtë pikë falë këmbënguljes dhe sakrificave të familjes së tij. Çfarë shembulli jep sot Kategoria Superiore?! Po e Para?! Po emra konkretë për eksport në vitrinën e futbollit të rëndësishëm a premtojmë? A mund të konkurrojë brumi ynë minimalisht me atë luksemburgas, boshnjak, maltez apo maqedonas e madje edhe kosovar?

Këtë pyetje duhet t’ia bëjmë seriozisht vetes. Skuadra pa fat në Europë? Askush nuk e thotë dot këtë, por me bindje të gjithë sot mund të thonë njëzëri që futbolli shqiptar është një film i harruar i viteve ’50 apo ’60 që nuk arrin madje të përçojë as magjinë e një epoke të caktuar. Pa ide dhe trajnerë revolucionarë, por me të gjithëditur në çdo shezllong e tavolinë. Futbolli i verës shqiptare është ky që është: i vërtetë, i pakamufluar, edhe pse të ngjall dëshirën për mëshirë. Askush nuk bën dot më shumë. Ata do të vazhdojnë të bëjnë sikur luajnë, ne, të gjithë bashkë, do të vazhdojmë të bëjmë sikur i duartrokasim.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"