“The Sun”: Januzaj zgjedh Anglinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 31, 2014 | 9:11

“The Sun”: Januzaj zgjedh Anglinë

Januzaj tek AngliaDuket se prestigjiozja britanike “The Sun”, në numrin e vet të datës 31 janar 2014, i ka dhënë përgjigje një dileme që ka ndezur mendjet dhe zemrat e tifozërisë kuqezi, të shqiptarëve anembanë botës. Adnan Januzaj jo vetëm që nuk e ka fare në “listë” kombëtaren e Shqipërisë, pra të kombit të vet, as atë të Kosovës, ku ka lindur babai dhe menaxheri i tij njëkohësisht, sikurse përflitej. Nuk do të ketë shanse as Belgjika, ku ka lindur dhe është evidentuar si futbollist në akademinë e Anderlehtit, para se të transferohej te Mancester Junajtid. Anglia duket se e ka bërë të vetin tashmë talentin 18-vjecar, jo vetëm si pjesë e “Premier League” me “Djajtë e Kuq”, por do t’i besojë e rezervojë edhe një fanellë të kombëtares së drejtuar nga Hodgson. “The Sun” publikon në numrin e sotëm një ekskluzive, ku u referohet burimeve pranë lojtarit dhe trajnerit të kombëtares angleze, duke zbuluar se Adnan Januzaj do të bëhet pjesë e “Tre Luanëve”. Me foton e djaloshit 18-vjecar në ballinën e suplementit sportiv, që mban veshur fanellën e kombëtares angleze, kjo gazetë prestigjioze britanike i jep zgjidhjen “fjalëkryqit” që ka mbajtur ngërthyer disa shtete njëkohësisht. Thënë shkurt e shqip, refuzimi i babait të Januzajt për të kontaktuar me drejtuesit e FSHF-së e ka një bazë konkrete dhe kjo ka të bëjë me përgjigjen pozitive që ai i ka dhënë kombëtares angleze. Kësisoji, nëse i referohemi deklaratës së “The Sun”, bien poshtë të gjitha përpjekjet e shqiptarëve, duke përfshirë këtu edhe angazhimin e Kryeministrit Edi Rama, apo të zv.kryeministrit të Kosovës, Behgjet Pacolli, për të veshur kuqezi një ndër talentet më të spikatura për momentin në botën e futbollit. Para dëshirës së madhe të De Biazit për ta pasur në skuadër, para nismave të shumta të tifozëve shqiptarë edhe në rrjetet sociale, para angazhimit shtetëror shqiptar, Adnan Januzaj ka zgjedhur jo kombin, por mundësinë më të mirë për karrierën e tij, Anglinë.
Mediat angleze Duke iu referuar të njëjtit burim të “The Sun, media të tjera angleze shkruajnë gjithashtu se “Adnan Januzaj është i gatshëm për ta lidhur të ardhmen e tij ndërkombëtare me Anglinë. “Yllthi” i Mancester Junajtid, 18-vjec , u ka thënë miqve të tij se është i prirur për të luajtur nën urdhërat e Roi Hodgson, me kombëtaren e “Tre Luanëve”. Megjithatë, mesfushori i lindur në Belgjikë pranon se babai i tij, Abedini, do të ketë fjalën e fundit në këtë vendimmarrje,” – citon “Mirror”.
“Adnan ndihet si në shtëpi në Angli, tani, – i tha një mik i 18-vjecarit “The Sun”. – Ai e do futbollin që luhet këtu, stadiumet dhe pasionin e tifozëve. Januzaj është i lumtur të presë derisa mund të luajë për Anglinë pa zgjedhur kombëtare tjetër.  E vetmja pengesë është babai i tij, sepse ai ka një ndikim të madh në jetën dhe karrierën e Adnanit. Vendimi , në fund të fundit do të merret nga babai i tij menaxher.  “Background “-i Januzajt e bën atë të kërkuar të luajë për Belgjikën, Shqipëri në, Turqinë, Serbinë apo edhe Kosovën, në qoftë se kjo e fundit do të njihet nga FIFA. Megjithatë, tani me sa duket është i gatshëm të presë për t’u aktivizuar me Anglinë. Sipas rregullave të FIFA-s, ai mund të presë edhe dy vite e gjysmë, që të plotësojë qëndimin 4-vjecar në Angli, për të pasur të drejtë të marrë shtetësinë e këtij vendi. Kujtojmë se Januzaj është transferuar te Mancester Junajtid që kur ishte 16-vjec.”

Duka dhe De BiaziDuka: Kemi një kontakt me Januzajn
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka pohuar gjatë emisionit “Fakt” për gazetarin Çim Peka se federata ka vënë tashmë një kontakt me Januzajn. Sipas Dukës, një nëpunës i FSHF-së e ka takuar një herë të vetme babanë e futbollistit. “Po, një nëpunës i federatës e ka takuar një herë babanë e Januzajt dhe gjërat kanë mbetur aty. Ne kemi pasur gjithnjë dhe kemi dëshirën për të folur me këtë talent, por kemi hasur në vështirësi komunikimi. Së fundmi është interesuar për të edhe vetë kryeministri i vendit, Edi Rama, i cili tregoi gatishmërinë e tij për t’u bërë pjesë e grupit të punës që merret me afrimin e Januzajt. Më shumë se kaq nuk di se çfarë mund të bëjmë”, – ka thënë Duka. Sakaq, mediat kosovare para pak ditësh zbuluan një skenar që e çonte Januzajn te Belgjika për Botërorin e këtij viti dhe më pas, kur Kosova të ishte pjesë pa kushte e FIFA-s, ai të luante për këtë skuadër. Madje, thuhet se kanë nisur tashmë kontaktet e para mes përzgjedhësit të përfaqësueses së Kosovës dhe familjarëve të afërt të Adnanit. Bunjaku ka biseduar me xhaxhanë e Januzajt, Nexhmedinin. Ky i fundit e ka marrë përsipër organizimin e një takimi mes krerëve të FFK-së dhe Abedin e Adnan Januzajt. “Bunjaku ka diskutuar me xhaxhanë e futbollistit rreth së ardhmes së lojtarit, por edhe rreth mundësisë së organizimit të një takimi të përbashkët mes tij, Fadil Vokrrit dhe krerëve të tjerë të FFK-së me babanë e lojtarit, Abedinin, por edhe Adnanin. Xhaxhai i Adnanit i ka premtuar Bunjakut se shumë shpejt do e organizojë një takim të tillë. Tani ka mbetur që Nexhmedin Januzaj të flasë me të vëllanë, Abedinin, rreth caktimit të datës për takim. Kështu që FFK-ja dhe Bunjaku tani po presin vetëm ftesën nga babai i Adnanit”, – theksoi një burim i sigurt për mediat kosovare.

studentjaStudentja: Januzaj, sa i pasjellshëm dhe koprrac!
Një studente 25-vjeçare, Melissa McKenzie,ka sulmuar në media talentin kosovar të Mancester Junajtid, Adnan Januzaj. Shkak për këtë deklaratë publike të saj, publikuar edhe nga prestigjiozja britanike “The Sun”, është bërë mënyra e pritjes dhe sjelljes së 18-vjecarit gjatë takimit në një…restorant popullor (restorant Nando). Ajo thotë se pati fatin të takohej me Adnan Januzaj, megjithatë ky i fundit nuk u tregua i sjellshëm dhe kavalier, duke e lënë vajzën të paguajë edhe parkimin. “Unë kurrë nuk kam takuar një njeri aq dorështrënguar si ai, deri tani, – shprehet Melissa. – Isha shumë e gëzuar që po takohesha me të. U njohëm përmes internetit dhe ramë dakort për t’u takuar. Shpenzova 30 paundë për t’u rregulluar dhe shkuar në takim. Në fakt shpresova se ai do të vinte të më merrte me ndonjë makinë luksoze, por u desh që unë të shkoja tek ai me makinen time “Fiesta”. Më priti në një vend të thjeshtë, një restorant popullor, ndërsa më la të paguaja edhe parkingun”. Mediat angleze raportojnë i mëshojnë faktit se talenti i Junajtid e dërgoi Melissan për drekë në një vend të thjeshtë, ku gjithcka i kushtoi vetëm 18 paundë. “Unë zakonisht shkoj në atë lokal për ndonjë ushqim të shpejtë, për të ngrënë me bashkëmoshatarët e mi. Nuk e prisja të përfundoja atje me një futbollist të Mancester Junajtid, veçanërisht me atë veshje speciale timen për ndonjë hotel me 3 yje dhe në këmbë,” – ironizon studentja e zhgënjyer nga sjellja e Januzajt.
Çfarë pati thënë babai dhe menxaheri i tij për “KTV”
Abedin Januzaj: FSHF ia ka mbyllur vetes derën

Abedin Januzaj, babai i talentit të njohur Adnanit, ka akuzuar krerët e FSHF-së se kanë dezinformuar opinionin publik dhe se për aq kohë sa të jenë këta punonjës në federatë, ai nuk do të pranojë asnjë negociatë. Në një intervistë dhënë për televizionin kosovar “KTV”, babai i Januzajt, njëherazi edhe menaxheri i tij, ka thënë se nuk ka pasur kurrfarë interesimi zyrtar nga ana e FSHF-së. Ai ka thënë gjithashtu se federata ka gënjyer kur ka thënë se ka kontaktuar me lojtarin 8 muaj më parë.
Ajo që më së shumti diskutohet në Kosovë e Shqipëri besoj e dini, angazhimi i tij në ndonjë kombëtare. Situata e tij është paksa e komplikuar, duke e ditur se ai ka shumë mundësi të zgjedhë. Cilën do të zgjedhë?
Do e publikoj në ditët e ardhshme. Kohët e fundit është folur shumë në mediat shqiptare se Adnani ka profil në “Facebook”. Adnan Januzaj nuk ka profil në “Facebook”, e as unë nuk merrem me të. Në “Facebook” po bëhet një fushatë “Adnan, thuaj po Shqipërisë”. Këtu dua ta sqaroj sepse është një temë më delikate.
Unë deri më tani nuk kam pasur asnjë… nuk do të them ofertë se ofertë është diçka tjetër, por nuk kam pasur asnjë thirrje nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit për Adnan Januzajn së paku të bisedojmë. Këtë opinioni shqiptar duhet ta dijë qartë, këtu është duke folur babai i tij. Dhe, menaxheri i tij njëkohësisht….
Dhe menaxheri i tij në disa çështje që unë i kontrolloj. Federata Shqiptare e Futbollit asnjëherë nuk ka bërë thirrje. FSHF-ja vetëm ka bërë dezinformata se e ka kontaktuar Adnan Januzajn. Madje, nuk i di edhe emrat si i kanë ata. Kohët e fundit vëllezërit më thanë ka qenë një nënkryetar i FSHF-së që ka thënë se kemi biseduar me babanë e Adnan Januzajt, që është totalisht gënjeshtër. Para dy netësh më thanë se ishte bërë një emision në “Klan” dhe se duhet ta shikoja patjetër për të parë se çka u fol aty. Jo, Januzaj nuk e ka refuzuar FSHF-në, se nuk kam pasur kë të refuzoj, pasi nuk kam biseduar me askënd. Dikush mund të thotë se nuk e ka hapur telefonin. Nuk është vetëm numri i telefonit një provë. Është Mançester Junajtid ku duhet të shkojnë dhe ta bëjnë kërkesën si e kanë bërë të gjitha shtetet e tjera, por ata nuk e kanë bërë as atë punë. Para dy ditësh klubi më tha se një zyrtar i Ministrisë së Shqipërisë kishte tentuar të fliste me Adnan Januzajn, çka është absurde dhe që nuk mund ta bëjnë jo ata, por askush nuk mund ta bëjë, pasi duhet të kalojë në bazë të instancave, njerëz të cilët kanë kompetenca mbi Adnanin, sepse Adnani nuk mund dhe nuk merret me këtë punë dhe kështu ia kanë mbyllur derën vetes. Madje, ka shkuar në emision presidenti apo kush është ai dhe tha “nëse e ndien flamurin le të luajë për Shqipërinë, nëse jo le të luajë për Serbinë”. Kjo nuk të lë mundësi që t’i japësh një rast ekipit nacional të Shqipërisë që ta inkuadrojë Adnan Januzajn.
Pra, ju jeni të mllefosur me mënyrën si ata e kanë menaxhuar këtë situatë?
Po, ky është problemi, se ata ia kanë mbyllur vetes derën. Tek unë duhet të vijnë vetëm njerëz që janë të përgatitur profesionalisht dhe korrektë.
A do e pranonit zotin Duka. Ai është kryetar i Federatës Shqiptare të Futbollit?
Jo.
Pse?
Sepse kanë bërë disa dezinformata. Nuk e njoh zotin Duka, por flas se si FSHF-ja ka reaguar në mënyrë totalisht të paautorizuar dhe joprofesionale.
Do të thotë se gjasat janë minimale që Adnani të luajë për Shqipërinë një ditë?
Tani për tani nuk do t’ia mbyll derën krejtësisht ekipit nacional të Shqipërisë, sepse ne jemi shqiptarë. Unë kam lindur në Kosovë, në Istog. Një deputet i Kosovës thotë se ekziston një dokument se Januzaj ka shkuar nga Kroacia. Unë nëpër Kroaci kaloj vetëm kur vij me pushime, sepse unë kam dalë nga Kosova në vitin ’90 drejt Belgjikës me pasaportë jugosllave në atë kohë dhe kështu që atje jam martuar, shoqen e kam shqiptare nga Istogu. Nuk e di se si qarkullojnë se shoqen e kam nga Kroacia. Ato janë gënjeshtra.
Shqipërisë përfundimisht nuk i thoni jo?
Nuk do t’ia mbyll derën asnjë kombëtareje, e posaçërisht ekipit shqiptar. Por, derën e kanë mbyllur vetë, sepse kanë bërë dezinformata të çmendura. Thonë që e kemi ftuar në moshën 13-vjeçare, çka është çmenduri. Për këtë arsye, njerëzit që punojnë në FSHF nuk kanë shanse të negociojnë me Adnan Januzajn. Duhet të vijnë njerëz profesionistë dhe të përgatitur. Nuk kanë efekt tek unë. Kanë provuar edhe përmes Lorik Canës. Unë e respektoj atë lojtar. Ka bërë karrierë të mirë, por ai nuk ka influencë që djali të luajë për Shqipërinë, aspak. Jo ai, por askush. Vetëm njerëzit, të cilët janë profesionalistë dhe punojnë ashtu siç duhet, mund të vijnë të ulen të bisedojnë me mua.
Me Belgjikën si qëndron puna?
Për Belgjikën tani për tani nuk do të luajë. Do të përqendrohet totalisht për klub. Ka pasur disa tentativa të trajnerit të Belgjikës që ta marrë Januzajn, sidomos kundër Kroacisë.
Trajneri i Anglisë, Roi Hoxhson, ka thënë se dëshiron që Adnani të luajë për Anglinë?
Ka pasur disa zëra. Nuk ka thënë se do e marrë, por ka thënë se e përcjell dhe në qoftë se ka mundësi juridike do ta bëjë kërkesën që eventualisht të bëjë diçka për të. Por ka shumë për t’u bërë në këtë drejtim, edhe në drejtimin e Shqipërisë e Belgjikës. Jam i fokusuar për momentin me Mançester Junajtid.
Normalisht, shumica dëshirojnë që Adnani të luajë për Kosovën, për vendin e vet?
Po, sepse unë kam lindur aty. Mirëpo, situata politike tani për Kosovën është më delikate, sepse FIFA nuk e ka pranuar FFK-në. Por, këto janë çështje që duhet t’i shikojmë pak më vonë. Nuk përjashtohet që një ditë Adnani të bëhet edhe pjesë e kësaj kombëtareje.
Mediat ndërkombëtare kanë shkruar edhe për mundësinë që Adnani mund të luajë për Turqinë e Serbinë?
Këto dy opsione janë të pamundura. Nuk e di se si njerëzit e shohin inkuadrimin e Adnanit te Serbia. Nuk ka kurrfarë mundësie. Dikush thotë se edhe Kroacia. Turqia e Serbia janë të përjashtuara si mundësi.
Çfarë do t’u thoni njerëzve që janë krenarë me Adnanin?
Unë e kam përshëndetur gjithë popullin shqiptar për përkrahjen dhe i falënderoj të gjithë, edhe Adnani i përshëndet. 90 për qind e popullsisë dëshiron ta dijë se a do të luajë, apo jo për Shqipërinë. Njerëzit profesionistë e kanë derën të hapur të flasin me mua, por me ata që dezinformojnë nuk do të flas.
Kitchee FC v Manchester UnitedJanuzaj: Do luaj për atë kombëtare që kërkon babai
Talenti më i kërkuar në Europë, Adnan Januzaj, thotë se të ardhmen e tij do e vendosë babai. “Do të luaj për atë kombëtare që do të më thotë babai. Unë dua vetëm të bëhem lojtari më i mirë në botë me Mançesterin”, – ka thënë talenti kosovar i Mançester Junajtid për televizionin “KTV” në Kosovë.
Sa ka qenë i rëndësishëm për ju debutimi i plotë te Junajtid dhe shënimi i dy golave?
Shumë, prej fillimit kam dashur të luaja për Mançester Junajtid. Kam fituar rastin dhe kam shënuar dy gola, që është gjë shumë e mirë për mua, familjen e tifozët.
Si e keni përjetuar pas ndeshjes. Si kanë reaguar trajneri dhe lojtarët?
Shumë mirë, të gjithë erdhën e më uruan. Për mua ka qenë gjë shumë e mirë dhe jam i gëzuar që kam shënuar dy gola.
A keni pritur të kini këtë minutazh, duke ditur moshën që keni?
Po, kam punuar shumë në stërvitje dhe m’u dha rasti të luaja atë ndeshje. E kam ndier se do të shënoja dy gola.
Si prisni të vazhdojë sezoni me Mançester Junajtid?
Kam ardhur të luaj në Mançester, gjithnjë kam dhënë dhe do të jap maksimumin për t’u bërë lojtari më i mirë në botë. Si i keni marrëdhëniet me lojtarët.
Me cilin keni marrëdhënie më të mira?
Me Robin Van Persie, Patris Evran… të gjithë lojtarët janë të mirë, kemi marrëdhënie të mira, flasim, diskutojmë.
Nga kush mund të mësoni, meqë jeni i ri?
Nga Rajan Gigsi, pasi luan në pozitën ku aktivizohem edhe unë. E pyes atë, ai flet dhe unë e dëgjoj me vëmendje.
A keni pritur të keni edhe më shumë minutazh?
Kam dashur të luaja për Mançester Junajtid dhe kam dhënë çka kam mundur nga vetja dhe në fund jam shpallur lojtar i ndeshjes. Me siguri e dini se në Kosovë ju ndjekin shumë.
Çka do t’u thoni tifozëve prej këtu për suksesin tuaj?
I falënderoj shumë, ndoshta do të shënoj edhe më shumë gola për ta.
A e vizitoni Kosovën?
Po, vij në Kosovë për vizitë, pasi kam familjen, të gjithë i kam atje.
Kush vendos se për cilën kombëtare do të luani?
Babai im është për këto gjëra prapa meje. Po të më thotë babai “të luash për këtë kombëtare”, do të luaj. Do e dëgjoj babanë. Kam ardhur këtu me të dhe ai i di të gjitha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"