Teuta tenton kthesën, Martini kërkon një sforco nga lojtarët në duelin me Skënderbeun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 9, 2023 | 16:35

Teuta tenton kthesën, Martini kërkon një sforco nga lojtarët në duelin me Skënderbeun

Teuta luan të shtunën në Korçë një ndeshje delikate për vazhdimësinë në kampionat. Barazimi i fundit ndaj Laçit ka lënë një shije jo të mirë në kampin durrsak, prandaj dhe trajneri Edi Martini kërkon tashmë një sforco nga lojtarët në transfertën e radhës, ku do të kërkohet fitorja. Dje skuadra ka vijuar përgatitjet me ngarkesë të plotë, ndërsa stërvitja është zhvilluar nën reshjet e shiut.

martini dhe stafi

Por, kjo nuk ka penguar stafin për të marrë maksimumin nga lojtarët. Taktika dhe shpjegimet në fushë nga Martini kanë zënë një vend të rëndësishëm. Pas një vrapimi të lehtë, lojtarët filluan me ushtrime atletike, ndërsa tre portierët, Dema, Vata dhe Koci, ishin në kujdesin e përgatitësit Bledar Rizvani, duke bërë stërvitje veçmas. Fillimisht ekipi zhvilloi një kuadrat me vetëm dy takime me topin. Nuk munguan notat e humorit dhe mosdakordësitë sa u përket prekjeve të topit. Pas gjithë kësaj pjese të parë të seancës, e cila shërben për ngrohjen e muskujve, Martini u fokusua te puna me topin, teksa vendosi në një grup Kotobellin, Jazxhiun, Qaqin, Gjinollarin, Krujën, Beqjen, Dajën dhe Karabecin. Gjithçka kishte të bënte me anën taktike. Martini kishte vendosur 6 piketa në formë lojtari dhe një për një i udhëzonte se si duhet të pasonin apo vertikalizonin në këto lloj situatash që mund të ndeshen. Nuk u vonua shumë dhe Matrtini i vendosi lojtarët të zhvillonin një ndeshje kontrolli në gjysmëfushë. Teuta nuk do të ketë grup plotë në ndeshjen ndaj Skënderbeut, pasi për shkak dëmtimesh nuk do të jenë të gatshëm mbrojtësi Albi Alla dhe sulmuesi Realdo Fili, ndërsa për kartonë këtë herë do të mungojë mesfushori Ergis Arifi. Trajneri Martini ende nuk e ka kristalizuar formacioni antiSkënderbeu, por gjasat janë të mëdha që të ketë të paktën 2-3 ndryshime në krahasim me lojtarët që nisën titullarë ndaj Laçit. Martini kërkon më shumë përqendrim në fazën mbrojtëse nga skuadra dhe sigurisht eliminimin e gabimeve si ato të ndeshjes së fundit. Durrsakët do të kërkojnë me çdo kusht fitoren në Korçë.

ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"