“Teuta shkon në Europë”, goleadori i durrsakëve: Po tregohemi solidë në fushë, ta mbyllim me sukses sezonin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 28, 2023 | 15:33

“Teuta shkon në Europë”, goleadori i durrsakëve: Po tregohemi solidë në fushë, ta mbyllim me sukses sezonin

Lorenco Vila beson tek arritja në turet e Ligës së Konferencës, teksa vlerëson Partizanin në ndeshjen e fundit, por gjithashtu shprehet për Panorama Sport se asgjë nuk është e pamundur. Goleadori i Teutës thotë se në ndeshjen e fundit nuk ka rëndësi nëse shkojnë për barazim apo fitore, por që blutë të bëjnë një mbyllje perfekte të sezonit.

lorenco vila

Sa vlerë merr trepikëshi ndaj Egantias, duke parë situatën ku ishit?

Jemi të kënaqur me paraqitjet që kemi bërë si skuadër. Në ndeshjen ndaj Egantias kemi marrë pikët dhe kemi bërë ndeshje mjaft të mirë. Ekipi mori gjithçka nën kontroll dhe arritëm të fitonim. Pra, këto rezultate dhe kjo ecuri na japin shpresë për të mbyllur vitin akoma më mirë.

Çfarë sfide prisni me Partizanin?

Është një moment i sezonit kur të gjitha ekipet kanë motivimet e veta. Do të jetë një ndeshje mjaft e vështirë, kundër një skuadre mjaft të përgatitur dhe një stadiumi plot entuziazëm. Gjithsesi, ne jemi gati për këtë sfidë dhe do të synojmë maksimumin, ashtu si në çdo takim tjetër. Presioni është edhe te ne, edhe te Partizani, për vetë pozicionet në klasifikim. Natyrshëm që jemi në vendin e katërt me 1 pikë larg. Ndeshja do të jetë e luftuar, sepse të dyja ekipet do të luajnë për ta fituar, por ne kemi pasur një ecuri të mirë dhe ndoshta kjo gjë na jep besim ta kurorëzojmë këtë vit më kapjen e Europës.

A do të kënaqeshit me një barazim në Tiranë?

Në Tiranë na kënaq vetëm kualifikimi në Europë, pavarësisht se si vjen ai. Mund të vijë me barazim apo fitore, sido që të jetë, unë dua vetëm që të shkojmë në Europë. Kemi arritur deri në këtë pikë dhe do të jetë gjynah që të humbasim në fund.

Si është gjendja e skuadrës?

Fizikisht jemi mirë. Janë vetëm dy ditë në dispozicion dhe po punojmë mirë. Ndoshta nuk po shënojmë shumë, por të paktën tregohemi solidë në fushë.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"