Teuta përgatit kurthin ndaj Granadës, durrsakët bëjnë të njëjtën gjë si para ndeshjes me Beitar Jeruzalemin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2020 | 11:08

Teuta përgatit kurthin ndaj Granadës, durrsakët bëjnë të njëjtën gjë si para ndeshjes me Beitar Jeruzalemin

Teuta do të kërkojë një tjetër mrekulli më 17 shtator, ora 16:00, në stadiumin “Niko Dovana”. Këtë herë është Granada, një klub i La Ligës spanjolle që natyrisht tremb jo pak duke parë kampionatin dhe vendin që përfaqëson. Por, gjithsesi të besuarit e Edi Martinit nuk kanë se çfarë të humbin.

Teuta

Drejtuesit e klubit nuk e kanë vendosur asnjëherë nën presion skuadrën, për më tepër që Teuta e ka kaluar tashmë një tur dhe ndaj Granadës do të luajë të gjitha shanset për të bërë një surprizë. Frymëzimi është pikërisht nga ndeshja e parë kundër izraelitëve të Beitar Jeruzalemit, aty ku durrsakët treguan se ndonjëherë diferenca e madhe në buxhet nuk bën punë nëse gjatë 90 minutave vrapon më shumë dhe shfrytëzon rastet para portës.

Deri më tani përgatitjet në kuadër të ndeshjes së vlefshme për turin e dytë të Ligës së Europës kanë shkuar mirë për “djemtë e detit”. Spostimi i stërvitjes në fushën me bar natyral të stadiumit “Tofik Jashari” në Shijak ishte një kërkesë e stafit teknik, në mënyrë që lojtarët të përshtaten sa më mirë, aq më tepër kur temperaturat vazhdojnë të jenë të larta.

Teuta stervitje

Ndërkohë, një javë para ndeshjes me Granadën, Teuta ka vendosur të bëjë provën gjenerale ndaj Vllaznisë, pikërisht sot në orën 16:00 në stadiumin “Loro Boriçi”. Është zgjedhur ky kundërshtar, edhe për çështje fati, pasi edhe përpara sfidës me Beitar Jeruzalemin, Teuta të vetmen miqësore e zhvilloi ndaj shkodranëve në stadiumin e Pukës. Trajneri Martini do të shikojë sot në Shkodër gjendjen e secilit lojtar, ndërsa do të provojë edhe disa skema me të cilat mendon se mund t’i përballojë spanjollët.

Për fat të mirë, skuadra nuk ka pasur dëmtime në këtë periudhë dhe të gjithë lojtarët janë në dispozicion të stafit në prag të ndeshjes.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"