Teuta një “makth” për Kukësin, verilindorët kanë 6 vite pa fituar në Durrës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 14, 2024 | 9:13

Teuta një “makth” për Kukësin, verilindorët kanë 6 vite pa fituar në Durrës

Çdo ndeshje që luhet është një finale më vete për Kukësin, sepse çdo javë që kalon pa marrë pikë i afron edhe më shumë me Kategorinë e Parë.

Kukesi stervitje

Në Kukës nuk kanë ndërmend të dorëzohen sa i përket kësaj situate, edhe pse vijnë pas 13 ndeshjesh radhazi pa fitore dhe për më tepër pesë të fundit kanë dalë me zero pikë. Paraqitjet pozitive nuk i kanë munguar dhe është ky fakt që i mban ende me shpresa se edhe kthesa do të vijë, në mënyrë që ekipi të rivalizojë deri në fund. Një tri pikësh i mundshëm këtë të premte në Durrës do të bënte që Kukësi t’i harronte gjithë këto ndeshje pa fitore.

MAKTHI DURRËS – Kukësi vërtet synon të dalë me tri pikë nga “Niko Dovana”, pasi është i vetmi rezultat që e largon nga vendi i fundit, por përpara kanë një “mal” me pengesa. Ajo që bie më shumë në sy është fakti që blutë kanë afërsisht gjashtë vite që nuk dalin me tri pikë nga ky stadium. Për herë të fundit, kanë fituar më 15 shtator të vitit 2018 në shifrat 0 me 1 dhe atëherë shënonte sulmuesi Rexhinaldo. Respektivisht, kanë luajtur edhe 14-ë herë të tjera midis tyre gjatë kësaj periudhe, duke përfshirë edhe Kupën dhe bilanci është tërësisht në favor të durrsakëve që kanë koleksionuar shtatë fitore dhe po kaq barazime. Të premten është ndeshja e 15-të në “Niko Dovana” që nga fitorja e fundit e Kukësit dhe bëhen plot 1980 ditë që verilindorët tentojnë të mundin durrsakët në shtëpinë e këtyre të fundit. Me pak fjalë, mund të thuhet se Durrësi është një makth më vete për Kukësin, të cilit këtë javë i nevojitet më shumë se asnjëherë tjetër fitorja në kampionat.

SITUATA – Për ndeshjen me Teutën, pritet që Emiljano Çela ta ketë të plotë skuadrën, pasi nuk ka asnjë lojtar që nuk luan për arsye kartonësh, nga ana tjetër, edhe situata me dëmtimet paraqitet e mire. Kohët e fundit janë rikthyer pas një dëmtimi të gjatë edhe dy lojtarët e huaj, mesfushorët Daniel Momoh dhe Abdou Mbarak, të cilët u grumbulluan edhe në përballjen në Korçë, me nigerianin që luajti disa minuta në fund.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"