“Teuta në formë, e kalojmë Tiranën në Kupë”, Kotobelli: Frymë pozitive në ekip

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 19, 2024 | 19:40

“Teuta në formë, e kalojmë Tiranën në Kupë”, Kotobelli: Frymë pozitive në ekip

Pas tri pikëve ndaj Kukësit, Teutën e pret një tjetër ndeshje e vështirë ndaj Tiranës, skuadër me të cilën po përballet shpesh këto javët e fundit, pasi shorti i Kupës i vuri përballë njëratjetrës në çerekfinale. Kapiteni i Teutës, Blerim Kotobelli, në një prononcim për “Panorama Sport” shprehet se ka besim se skuadra e tij do të ketë një vazhdimësi shumë të mirë dhe do të arrijë objektivin si në Kupë, ashtu edhe në kampionat. Mbrojtësi i durrsakëve ka një thirrje edhe për tifozërinë.

kotobelli

Si është atmosfera në skuadër para Tiranës?

Skuadra është gati për Tiranën. Po stërvitemi mirë dhe po bëjmë çmos t’ia dalim të marrim një rezultat pozitiv që në ndeshjen e parë. Nëse në fushë tregojmë se mund ta bëjmë, shanset janë të larta. Nuk i druhemi askujt dhe mund të mposhtim çdo skuadër, pasi jemi bashkë dhe kështu po shkojmë lart.

Teuta vjen në një formë mjaft të mirë. A është një sinjal pozitiv për këtë duel?

Nuk kam pse fshihem. Jemi në një moment të mirë, por çdo gjë të tillë duhet ta tregojmë në fushën e lojës. Kjo gjë ka sjellë një frymë shumë pozitive në ekip. Në jemi një skuadër e bashkuar dhe luajmë për njëri-tjetrin.

A është ekipi i motivuar para kësaj ndeshjeje deçizive?

Patjetër, një ndeshje si kjo me Tiranën ndoshta do të jetë testi më i mirë. Por ne për këtë ndeshje jemi përgatitur si për çdo sfidë tjetër. Jemi të vetëdijshëm se ka vlerë të madhe për rrjedhën e mëtejshme në Kupë. Ne si lojtarë gjithë kohën kemi folur dhe me njëri-tjetrin dhe jemi të vetëdijshëm se Teutës i duhet rezultat pozitiv për të vijuar dhe më e fortë në ndeshjet e tjera që na presin në kampionat.

Jeni optimistë se mund t’ia dilni të kaloni me sukses dy betejat me bardheblutë?

Sigurisht që të gjithë jemi optimistë, kemi folur shumë këtë periudhë. Të gjithë janë optimistë dhe të gatshëm për ta fituar këtë ndeshje. Të shpresojmë se edhe kësaj here Teuta do të marrë rezultat pozitiv.

Keni një thirrje për tifozët në lidhje me duelin kundër Tiranës?

Shpresoj që do të jenë në numër sa më të madh, sepse ata e dinë se sa të rëndësishëm janë për ne. Tifozët janë një “armë e fortë” e jona, një motivim ekstra. Shpresoj se me lojë dhe me rezultat të mirë t’i shpërblejmë për përkrahjen që po na japin në çdo ndeshje.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"