Teuta kërkon të parakalojë ballshiotët, portieri Qirko beson te tre pikët: I mundim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 7, 2023 | 10:51

Teuta kërkon të parakalojë ballshiotët, portieri Qirko beson te tre pikët: I mundim

Teuta luan sot në orën 16:00 në stadiumin “Niko Dovana” kundër Bylisit, një ndeshje që konsiderohet si finalja e radhës për durrsakët. Vetë pozicioni në klasifikim i të dyja skuadrave e bën shumë të rëndësishëm këtë takim. Dje foli për “Panorama Sport” portieri i bluve, Pano Qirko, i cili në të kaluarën ka qenë pjesë e Bylisit. Ai beson shumë se Teuta do të vazhdojë ecurinë pozitive në kampionat, duke iu larguar sa më shumë zonës së ftohtë. Për trajnerin Edi Martini janë sot të gjithë lojtarët në dispozicion.

qirko

Pano, kaluat me sukses Erzenin. Ishte kjo ndeshje një shtysë për vazhdimësinë?

Ndaj Erzenit luajtëm për të dhënë maksimumin dhe për të marrë kualifikimin. Ishte një ndeshje e luftuar nga të dyja palët dhe fitorja më se e merituar. Tashmë shpresoj të marrim maksimumin në ndeshjen e radhës.

Do të luani kundër Bylsit. Si e shikoni këtë takim?

Duke parë që nga vendit i fundit deri tek ekipet në pjesën e sipërme të tabelës, askush nuk mund të thotë se ka ndeshje të lehta. Ndaj Bylisit do të jetë një ndeshje e fortë, që ne e kemi përgatitur për ta fituar dhe vazhduar ecurinë e mirë. Duam të largohemi sa më shpejt nga zona e ftohtë, për të qenë më të qetë në vazhdimësi.

I druheni kundërshtarit, që ndoshta në Durrës mund të kënaqet edhe me një pikë?

Ata kanë objektivin e tyre, por unë shpresoj që sot të gjithë çunat të japin maksimumin dhe të dalim më sukses. Jemi përgatitur shumë mirë gjatë javës dhe uroj që këtë ta reflektojmë në fushë.

Te Teuta erdhët pas aventurës me Bylisin…

Normalisht që në Ballsh kam kaluar një pjesë të karrierës dhe ruaj kujtime të bukura, por tani mendoj të bëj sa më mirë me Teutën.

Deri ku mund të shkojë skuadra durrsake këtë sezon?

Ky është një kampionat shumë i fortë dhe me pak diferenca. Rëndësi ka që të kalojmë me sukses ndeshjen me Bylisin.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"