“Teuta është për titull, barazimi me Dinamon ishte i drejtë”, Kallaku: Peng momenti i shtyllës, s’luhet në vapë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 27, 2021 | 21:40

“Teuta është për titull, barazimi me Dinamon ishte i drejtë”, Kallaku: Peng momenti i shtyllës, s’luhet në vapë

Kapiteni i Teutës, Sherif Kallaku, mund të kishte bërë liderin nëse do të kishte shfrytëzuar dy raste që pati për shënim, gjithsesi mesfushori e udhëhoqi skuadrën durrsake mjaft mirë. Pas ndeshjes ai u shpreh i kënaqur me lojën e zhvilluar në tërësi, por jo për dy pikët e lëna nga Teuta ndaj Dinamos. Në prononcimin e dhënë pas ndeshjes, Kallaku pohoi se ai do të bëjë gjithçka që të zhbllokohet, pasi golat po i mungojnë. Edhe me golat që po i mungojnë shumë kapiteni beson se në vijim ekipi do të korrigjohet, në mënyrë që të shkohet edhe te rezultatet maksimale.

Kallaku

NDESHJA- “Me Dinamon u munduam të bëjmë një lojë sa më të mirë, pavarësisht se u arrit vetëm një barazim. Nuk ishim në ritmin e duhur, pasi ndikoi pak edhe orari që u luajt. Duhet të gjendet një orar tjetër më i përshtatshëm duke parë edhe kushtet, pasi vapa ndikon ndonjëherë te përqendrimi total. Nuk është për justifikim, por janë detaje që prishin pak ekuilibrat. U zhvillua një lojë shumë e fortë në të dyja pjesët. Krijuam shumë volum gjatë ndeshjes, por goli na mungoi”, u shpreh fillimisht kapiteni i Teutës.

PENGU DHE GOLAT

Kallaku pohon se i ka mbetur peng rasti i shpërdoruar ndaj Dinamos. “Unë bëra të pamundurën, aq sa më mbeti peng ai moment kur topi u përplas në shtyllë dhe nuk shkoi në rrjetë. Portën kundërshtare e vizituam shumë herë, por edhe fati na mungoi pak. Gjithsesi, duhet të shohim vetëm përpara për të bërë më të mirën. Nga mënyra se si shkoi 90 minutëshi barazimi mund të quhet rezultati më i drejtë. Golat? Rëndësi ka që Teuta të marrë tri pikët fillimisht, e më pas jam më i qetë kur shënoj. Golat vijnë në mënyrë të natyrshme, ndonjëherë duhet pritur edhe momenti”, vijoi Kallaku.

TEUTA PËR TITULL- I pyetur se a është sërish Teuta për titull, kapiteni Kallaku u shpreh: “E kam thënë edhe më herët se Teuta ka gjithmonë objektiva të lartë. Është kampione në fuqi dhe do të mbetet po e njëjtë. Ka gjithçka që i duhet, që nga stafi me përvojë, presidenca korrekte, si dhe përbërja cilësore. Tifozët durrsakë meritojnë të gëzojnë çdo moment, ndaj ne për ta luajmë kudo, në çdo fushë, për të qenë solidë. Besoj se do të rikthehemi te fitorja shumë shpejt”.

ALDO BUZI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"