“Teuta duhet të marrë çdo ndeshje si finale”, Emiljano Vila: Jemi gati për Kukësin, vlen vetëm fitorja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 18, 2023 | 12:27

“Teuta duhet të marrë çdo ndeshje si finale”, Emiljano Vila: Jemi gati për Kukësin, vlen vetëm fitorja

Në vigjilje të ndeshjes të sotme në orën 16:00 ndaj Kukësit në stadiumin “Niko Dovana”, në një intervistë për “Panorama Sport” ka folur kapiteni i Teutës, Emiljano Vila, i cili ka analizuar këtë takim. Mesfushori shprehet se Teuta pas një jave jo të mirë ndaj Kukësit, do të kërkojë tri pikët. Kapiteni i bluve shprehet se në këto momente nuk duhet parë fare renditja, por t’i marrin ndeshjet një nga një dhe llogaritë të bëhen në javët e fundit.

emiljano vila

A është gati Teuta për duelin ndaj Kukësit?

Nuk ka ndeshje të lehta, pasi në Superiore çdo rival është i rrezikshëm. Kemi nxjerrë mësimet e duhura nga sfida si ajo me Erzenin dhe po mundohemi të jemi gati për në fundjavë. Pas një jave jo shumë të mirë si ajo e kaluara, duhet të marrim tri pikët.

Sa do ta ndihmonte Teutën një trepikësh në këtë fundjavë?

E dimë se është shumë e rëndësishme, sidomos pas asaj humbjeje në javën e kaluar. Kemi marrë katër pikë në sfidat e fundit. Duhet të vijomë të punojmë fort që të arrijmë te suksesi.

Si Teuta, edhe Kukësi vijnë në këtë ndeshje pas momenteve jo të mira. Sa ua vështirëson misionin ky fakt?

Sigurisht që për të dyja ekipet është një situatë pak e vështirë. Unë mund të flas për ekipin tim, jo Kukësin. Pavarësisht rezultateve jo të mira, në ekip mbizotëron besimi dhe entuziazmi, që na jep shpresë për të marrë rezultatin e pritshëm.

Ekipet pranë jush po fitojnë, mendoni se shkëputja është e rikuperueshme?

Në këtë moment që ndodhemi, nuk duhet të mendojmë për diferencën me ekipet e vendeve afër nesh. Duhet të mendojmë të fitojmë ndeshjet tona, duke rritur paraqitjet tona ndeshje pas ndeshjeje.

Cilat janë objektivat e Teutës deri në fund të sezonit?

Qëllimi primar është përmirësimi dhe deri më tani ia kemi dalë me sukses. Duhet t’i marrim ndeshjet me radhë e të fitojmë sa më shumë prej tyre. Llogaritë në fund të sezonit do të na tregojnë se çfarë kemi arritur.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"