Telushi dhe Romero bastet e “demave”, Hoti ndez me të parën/ Merkatoja e kuqe si miks, ja “skaneri” i afrimeve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 21, 2022 | 22:23

Telushi dhe Romero bastet e “demave”, Hoti ndez me të parën/ Merkatoja e kuqe si miks, ja “skaneri” i afrimeve

Partizanit pas mbylljes së sezonit iu desh të përballej me disa largime titullarësh dhe drejtuesit u detyruan të ndërhynin shpejt për të zëvendësuar lojtarë si Marku, Zhunior apo Mala, që lanë boshllëk të madh në formacion.

PARTIZANI5

Deri më tani, te të kuqtë janë konfirmuar plot tetë afrime: Bekim Rexhepi, Edison Ndreca, Aristoteles Romero, Bruno Telushi, Engjëll Hoti, Viktor da Silva, Arçenjxh Bintsuka, Matej Cvetanoski dhe David Atanaskoski.

Nëse i bëjmë një analizë aktivizimit të këtyre lojtarëve në sezonin e shkuar, mund të themi se vetëm një pjesë e tyre kanë qenë titullarë në ish-ekipet e tyre dhe në këtë mënyrë janë të gatshëm t’i shërbejnë menjëherë skuadrës së re.

TITULLARËT – Një prej tyre është padyshim Bekim Rexhepi. Portieri ishte pjesë e Skënderbeut në sezonin e shkuar dhe luajti titullar në pjesën më të madhe të ndeshjeve, duke treguar edhe aftësitë e tij dhe bindur Partizanin për ta afruar. Gardiani nga Shkupi është pa dyshim një nga mundësitë më të mira që tregu ofronte për portën. Edison Ndreca do të jetë te Partizani vetëm në ndeshjet e Ligës së Konferencës.

Aktivizimi i tij rregullisht te Kukësi dhe fakti se është një nga mbrojtësit e majtë më të mirë të Superiores ishin arsyet që Partizani e afroi të kontribuonte, edhe pse për një kohë të shkurtër. Viktor da Silva gjithashtu ka qenë një pikë e fortë për Vllazninë në sezonin e fundit dhe me shpërthimet e tij i ka vënë të gjithë mbrojtësit në vështirësi. Ardhja e brazilianit, mbulon disi hapësirën e lënë bosh nga golashënuesi i sezonit të shkuar, Stenio Zhunior.

REZERVAT – Matej Cvetanoski ishte një dëshirë e Tiranës në sezonin e shkuar, por në këtë verë përfundoi në anën tjetër të kryeqytetit. 24-vjeçari njihet për zhdërvjelltësinë dhe shpejtësinë e tij në lojë, por në sezonin e fundit, veçanërisht në pjesën e dytë të tij, nuk ka luajtur vazhdimisht. Cvetanoski luajti rregullisht me Shkupin, por me transferimin në Hungari te Girmot, gjërat ndryshuan.

Aktualisht ai ka një problem fizik dhe po stërvitet i veçuar në fazën përgatitore, që po zhvillohet në Slloveni, duke vënë në dyshim praninë e tij ndaj Saburtalos. Ndërkohë, një alternativë te Tirana ka qenë edhe Engjëll Hoti, por duket se forma fizike e ish-mesfushorit bardheblu është e një tjetër niveli, ndoshta më e mira mes afrimeve. Këtë ai e tregoi ndaj Murës në miqësore, ku shënoi edhe një gol shumë të bukur.

AFRIMET E PARTIZANIT LOGO

“BASTET” – Në rastin e Aristoteles Romeros dhe Bruno Telushit duhet të flasim me “nëse”. Telushi u kthye te Partizani pas dy vitesh, me barrën e një dëmtimi të rëndë në ligamentin e gjurit dhe në rast se do të arrijë të kthehet i dikurshmi, mund të bëhet një nga më të mirët e Superiores në mesfushë. Nga ana tjetër, për Romeron është një mundësi e dytë, pasi e “dërrmoi” të parën. Ai nuk luan prej thuajse një viti.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"