“Të riaprovohet ligji i basteve”, ja si Seria A kërkon t’i shpëtojë gropës së 700 milionëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 26, 2020 | 11:06

“Të riaprovohet ligji i basteve”, ja si Seria A kërkon t’i shpëtojë gropës së 700 milionëve

 Me jetën e njerëzve nuk luhet, por as me humbjet ekonomike të një biznesi multimilioner, për të mos thënë multimiliarder, të futbollit italian.

Serie-A

Prandaj disa vendime duhen marrë me shumë, po shumë kujdes… Do të mbyllet apo jo sezoni aktual kjo nuk dihet, por gjithsesi duke parë faturat që janë përllogaritur dhe me krizën financiare që mospërfundimi i sezonit aktual do të sillte, sidomos për klubet e Serisë A, sigurisht që duhet gjetur një zgjidhje me çdo çmim, që ashtu siç u ngrit në gusht, sipari i sezonit të ulet sipas programit.

Sipas vlerësimeve paraprake flitet për një humbje minimale prej 700 milionësh, por rivlerësimi i ri nënvizon se shifra mund të shkojë edhe 780 milionë euro në total. Por më shumë sesa kjo gropë, duke mos mbyllur sezonin aktual, Seria A do të vinte në rrezik serioz të gjithë sistemin e ngritur në vitet e fundit, një plan i suksesshëm, që falë kontratave multimilionere me televizionet, për shitjen e të drejtave televizive, arritën të ringrihen ekonomikisht dhe sot t’i lejojnë vetes blerje si Kristiano Ronaldo, Romelu Lukaku etj.

Gjithsesi, nëse kontratat nuk respektohen sivjet, Seria A ta harrojë se sezonin e ardhshëm do të marrë të njëjtat çmime të majme (në aspektin e të drejtave televizove Anglia është thjesht e pakapshme) me të cilat mund të mbyllin pa telashe shpenzimet e sezonit. Lufta në tryeza Edhe pse Italia po kryen një luftë në terren për të ndaluar dhe më pas të kalojë makthin COVID-19, klubet italiane kanë vënë “maskën” dhe kanë veshur “dorezat” duke dalë në terren që të mendojnë edhe për momentin kur situata do t’i rikthehet normalitetit.

seria a

Liga e Serisë A ka dërguar një listë të qartë me kërkesa në Federatën Italiane të Futbollit, duke renditur një seri kërkesash të qarta, ku sigurisht që parësorja është ajo e mbylljes së këtij sezoni në mënyrë të rregullt. Federata nga ana e saj është e vënë me shpatulla pas murit, sepse rebelimi i klubeve të Serisë A, që në vitin e fundit i kanë sjellë asaj 211 milionë euro si “taksë” nga arkëtimet, biletat dhe të drejtat televizive, tashmë i kërkohet që të luftojë edhe me qeverinë.

Arsyeja? Sido që të jetë, edhe sikur sezoni të mbyllet, klubet e mëdha, por edhe ato të vogla, do të kenë gjithsesi një gropë jo të vogël lidhur me shitjen e biletave. Pasi sezoni edhe nëse rifillon, ai pritet të vazhdojë me dyer të mbyllura. Prandaj, zgjidhja e 20 klubeve elitare është ajo e riaprovimit të ligjit për reklamimin e kompanive të basteve dhe jo vetëm.

Miliona nga bastet

Në vitin 2018, qeveria “Konte”, me këmbënguljen e fortë të De Maios, Ministrit të Punës dhe Zhvillimit Ekonomik, firmosi dekretin “Dinjitet”, i cili ndaloi në Itali reklamimin në sport, direkt ose indirekt, të çdo kompanie bastesh apo lojërash që kishin lidhje me fitimin e parave.

Sigurisht që ky ligj, vërtet në një formë të tijin mund të quhet dinjitet sportiv, por sigurisht që dinjitet financiar nuk ka, pasi shumë klube humbën kontrata milionerë (Juventusi nga Betwin humbi 18 milionë euro neto në vit, duke mos e pasur sponsor kryesor) me shumë kompani që reklamonin logot e tyre në skuadra të caktuara. Dhe duke parë emergjencën totale me të cilat përballen, por duke u mbështetur mbi të gjitha që bastet janë të lejueshme në Itali dhe ato nuk kanë pse të privohen nga sporti, aq më tepër në këtë periudhë krize financiarë që paralajmërohet në këtë pjesë të dytë të sezonit e në vazhdim, kërkesat e presidentëve kanë qenë mëse të qarta.

Federata pasi ka dëgjuar palët është gati që të nisë kërkesën e saj në qeveri, sepse në të njëjtën kohë edhe vetë Liga e Serisë A ka bërë gati kërkesën e saj unanime, pasi përllogaritet se humbjet për klubet italiane, nga viti 2018 e në vazhdim ka qenë 100 milionë euro në sezon. Dhe jo më kot, duke parë shifrat që qarkullojnë, Seria A është e detyruar që t’i kërkojë qeverisë anulimin e ligjit dhe lejimin e kompanive të basteve në sport, në mënyrë që kriza të ndihet sa më pak që të jetë e mundur. Por klubet nuk do të kënaqen vetëm me paratë e sponsorizimit. Ja më poshtë kërkesat që pritet të zyrtarizohen ndaj qeverisë italiane:

1) Anulimi i dekretit “Dinjitet” nga qeveria italiane për moslejimin e sponsorizimit nga kompanitë e basteve sportive dhe të çdo lloj kompanie tjetër që lidhet me fitimet në para.

2) Një buxhet i veçantë për futbollin nga ana e qeverisë për të limituar dëmet ekonomike të ardhura nga ndërprerja e kampionatit pas efektit koronavirus. Ose një shtyrje të pagesave të taksave të këtij sezoni për pak vite më vonë, ose të ndahen me këste.

3) Rikthimi i sponsorizimit për kompanitë e basteve në klubet italiane të futbollit, por në të njëjtën kohë, në fund të sezonit, këto agjenci të jenë të detyruara që një përqindje të fitimeve (mendohet kuota nga 5-10 për qind), vetëm nga bastet mbi futbollin, t’i shkojnë 20 klubeve të Serisë A. Kjo, përveç kontratave që agjenci të ndryshme do të lidhin me klube të ndryshme.

4) Të jepet urdhri i prerë nga qeveria dhe federata që pagesat e futbollistëve për muajin mars të anulohen, ose të shtyhen për një periudhë të mëvonshme, ose pagesa me këste. 5) Krijimi i një loje (basti) të re, skedine “TotoCalcio”, me parashikime për futbollin dhe të tri kategoritë profesioniste italiane, ku fitimet e saj të shkojnë vetëm dhe vetëm për futbollin.

Shkurt, kërkesa të vështira në kohë shumë të vështira, jo vetëm për jetën e italianëve, por edhe për “jetën” e futbollit në gadishullit Apenin, i cili tashmë dridhet që të përfundojë në kolaps kanionik financiar, nga i cili do të duheshin shumë vite për të dalë.

Jeton Stamolla – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"