Te Lushnja bëjnë prova për “shënjestrën”, Lajthia: Do korrigjohemi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2021 | 17:22

Te Lushnja bëjnë prova për “shënjestrën”, Lajthia: Do korrigjohemi

Lushnja po e shfrytëzon ndërprerjen e kampionatit për t’u përmirësuar në aspektin e finalizimit. Skuadra ka shënuar vetëm një gol në katër javë të luajtura kampionat, ndërsa rastet e shpërdoruara kanë qenë të panumërta.

lajthia

Të gjithë kanë humbur mundësi flagrante, por “kampioni” mbetet braziliani Hugo da Silva. Stafi teknik ka qenë tejet kërkues këtë javë dhe shpreson që duke filluar nga Kupa, të çlirohen. Mesfushori Xhonatan Lajthia është optimist dhe paralajmëron se shumë shpejt do të tregojnë një tjetër “pamje”. Ai është një nga debutuesit në stadiumin “Roza Haxhiu” dhe ka luajtur deri më tani 340 minuta. Lojtari nuk e ka shijuar ende golin e parë dhe pret që shpejt të shënojë.

Në një prononcim për gazetën “Panorama Sport”, 22-vjeçari u shpreh: “Këtë periudhë po stërvitemi me intensitet të lartë. Kemi treguar që jemi ekip dominant dhe mbetet për t’u përmirësuar finalizimi. Edhe mua më mungon goli i parë. Pata një mundësi shumë të mirë me Butrintin, por topi përfundoi jashtë. Situata është e mirë në ekip dhe besoj se do të na ecë mbarë. Te Lushnja kërkohet shumë më tepër, ndaj po punojmë për rezultate më të mira”.

Lushnjarët do të zhvillojnë një takim miqësor para rifillimit të kampionatit. Skuadra e drejtuar nga Ilir Gjyla do të udhëtojë drejt Kuçovës, për të luajtur në stadiumin “Bashkim Sulejmani” me Naftëtarin vendës. “Nuk besoj se do të luaj, sepse nuk e kam mirë këmbën. E kam pak të ngarkuar”, është shprehur Lajthia. Javën e ardhshme, lushnjarët kanë dy përballje. Fillimisht do të luajnë në transfertë me Tomorin, ndeshja e kthimit e vlefshme për Kupë, dhe më pas do të sfidojnë Besën në kampionat.

ALBAN ALUSH-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"