Te Kukësi bëjnë gati gjobat, policët “ngushëllojnë” trajnerin Duro. Ja pikantet e ndeshjes në Gjirokastër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 24, 2020 | 0:12

Te Kukësi bëjnë gati gjobat, policët “ngushëllojnë” trajnerin Duro. Ja pikantet e ndeshjes në Gjirokastër

Barazimi në Gjirokastër ka trazuar sit uatën te Kukësi, për më tepër në prag të një ndeshjeje mjaft të vështirë si ajo ndaj Partizanit, që do të luhet të dielën në “Air Albania”. Dy pikët e lëna ndaj Luftëtarit pritet të shoqërohen me masa financiare nga kreu i klubit Safet Gjici, i cili kërkon të cilësohet tashmë si president nderi i Kukësit.

Kukesi 0-0

“Panorama Sport” mëson nga burime të sigurta në klubin kuksian, se pas ndeshjes së djeshme në Gjirokastër, Gjici ka telefonuar vartësit e tij, duke mos e kapërdirë këtë barazim. Gazeta zbulon se në bisedën që ka bërë me një nga drejtuesit, Gjici ka kërkuar që ekipit t’i komunikohet se do të gjobiten për hapin fals me Luftëtarin. Tashmë mbetet për t’u parë nëse kjo do të ndodhë apo ishte një mërzitje e momentit e Gjicit, që njëherësh është kryetar i Bashkisë Kukës.

PIKANTET

Ndeshja e djeshme në Gjirokastër, nisur edhe nga problematikat që kanë shoqëruar klubin bluzi në muajt e fundit, kishte pak interes nga tifozët. Thuajse 600 të tillë ishin të pranishëm duke u kënaqur me lojën e zhvilluar nga Luftëtari, që ndoshta i tejkaloi pritshmëritë. “Panorama Sport” ju sjell të gjitha pikantet e ndeshjes Luftëtari-Kukësi. *

Futbollistët e Kukësit ishin të parët që shkelën në fushën e lojës për nxehmjen e zakonshme para takimit. Klubi gjirokastrit kishte vendosur në foninë e stadiumit muzikë popullore dhe patriotike. Kënga e famshme “Xhamadani vija-vija” u përjetua me emocione dhe duartrokitje nga shikuesit e paktë, ndërsa u prit mirë edhe nga lojtarët e dy skuadrave, që e bënin nxehmjen me shumë dëshirë.

* Drejtuesit më të lartë të dy klubeve, Bekim Halilaj i Luftëtarit dhe Safet Gjici i Kukësit, mungonin në tribunën VIP, ndërsa ekipet përfaqësoheshin nga drejtorët sportivë dhe zyrtarë të tjerë.

* Takimi nisi me tri minuta vonesë për shkak se autoambulanca u shfaq në stadiumin “Gjirokastra” vetëm në orën 13:58.

* Heshtje dhe mërzi mes lojtarëve të Kukësit pas ndeshjes. Madje edhe picat e porositura nuk u konsumuan në dhomat e zhveshjes, por u morën nga stafi në autobus.

* Trajneri Shpëtim Duro u pa shumë i shqetësuar. “Profesor, mos u mërzit…”, iu drejtua një prej punonjësve të policisë në ambientet e brendshme të stadiumit. “Ky është futbolli, s’kemi çfarë të bëjmë”, ishte përgjigjja e Duros me kokë të ulur.

Shpetim Duro

* Në minutën e 17-të, trajneri Çoçlli vë duart në kokë, në një moment faulli që duhej akorduar nga gjyqtari. “Ore çfarë bën ky?! Është në vete…”, i drejtohet arbitrit të katërt, Emirjon Sino.

* Goli i Qatos, i anuluar nga kryesori Bastari, u kontestua ashpër nga lojtarët e Luftëtarit. Kapiteni Açka kërkoi sqarime nga asistenti Rexha, ndërsa tifozët në tribunat qendrore u acaruan së tepërmi.

* Lojtarët që presin të federohen si afrime të merkatos së janarit te Luftëtari, e ndoqën dje ndeshjen nga tribuna VIP.

TORMOR SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"