Tani quajeni “zona Spaleti” , 5 fitore në limite për Interin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 24, 2018 | 13:59

Tani quajeni “zona Spaleti” , 5 fitore në limite për Interin

Quajeni “zona Spaleti”, jo më “zona Çezarini” (shprehje kur fitorja arrihet në limit). Që nga momenti kur trajneri toskan është ulur në stolin e Interit, shumë sfida janë zgjidhur në frymën e fundit, e madje shpesh është dashur edhe koha shtesë. Në mendjen e shumë tifozëve mbetet fiasko me Juventusin, por në përgjithësi minutat e fundit rezultojnë shpesh vendimtare, në aspektin pozitiv, për zikaltrit: rastet janë të shumta për ta konsideruar thjesht një rastësi. Pasi përmbysën Totenhemin, në kampionat është regjistruar një tjetër fitore në shtesë. Këtë herë e vulosur nga Brozoviç (në të 94-ën). Dhe është vetëm i fundit nga precedentët.

Spaleti

BROZOVIÇ, VETËM I FUNDIT – Një ndeshje e vuajtur nga zikaltrit në Krotone: Interi, në krye të klasifikimit, has më shumë vështirësi nga se pritej për të mposhtur prapavijën e mirorganizuar kalabreze, që mbyll çdo hapësirë deri në minutën e 82-të, kur Shkrinjar gjen një boshllëk mes rrëmujës, duke kaluar Spaletin në avantazh e duke i dhuruar tri pikë të çmuara, të cilat i vendos në kasafortë Perisiç në shtesë.

Raporti mes Interit dhe minutave të fundit të lojës lind nga sezoni i kaluar, kur shumë ndeshje u zgjidhën apo zhbllokuan (por edhe u humbën) në momentin e fundit. Një nga më të bujshmet ishte fitorja me  Xhenoan: ndeshje e bllokuar deri në momentin kur D’Ambrozio gjen, në minutën numër 87, një goditje me kokë, duke kërcyer mbi mbrojtjen kundërshtare, që peshon shumë në klasifikimin e zikaltërve.

brozovic

Derbi i Milanos. Interi dhe Milani e luajnë me fytyrë të hapur: rezultati është një ndeshje spektakolare, që dhuron emocione të mëdha edhe përtej 90 minutave, kur faulli naiv i Rodriguezit shkakton penalltinë për zikaltrit. Topi peshon, por Ikardi e dërgon pas krahëve të Donarumës: 3-2, apoteozë interiste.

Pesë: Lojtari-Champions, e jo vetëm për golin e shënuar kundër Lacios që vlejti kualifikimin e zikaltërve në turneun prestigjioz dhe atë të tri pikëve kundër Totenhemit. Duhet kujtuar edhe ai që mbajti gjallë shpresat e zikaltërve në përballjen direkte kundër Romës, sezonin e kaluar: verdhekuqtë udhëhiqnin 1-0 deri, kur 240 sekonda nga fundi mesfushori amerikano-jugor gjen mënyrën për të mposhtur Alisonin.

DUHET PUNË – Pra, me Interin është rasti të thuhet: e nisim nga fundi. Por, megjithatë, Spaletit i duhet të gjejë edhe një zgjidhje taktike, në pritje që Ikardi të rikthehet edhe në kampionat pas perlës së shënuar kundër Totenhemit. Një nisje mund të jenë, me statistika në dorë, krosimet që vazhdojnë të jenë një shenjë e vërtetë dalluese e zikaltërve: sipas të dhënave të “Whoscored”, mbrëmjen e së shtunës krosimet drejt zonës së Sampit ishin plot 33 (12 të Kandrevës).

inter

Saktësia, megjithatë, është aspekti mbi të cilën duhet punuar: vetëm 7 prej tyre arritën në destinacion. Dakord për sa i përket lodhjes nga angazhimi mesjavor, por në pjesën e parë në “Ferraris” u pa një skuadër e paaftë të marrë frerët e ndeshjes nga minutat e para. Shpirti i grupit do ndihmojë, sigurisht. Ndërkohë, zikaltrit do vazhdojnë të besojnë deri në fund.

Përgatiti: LEDIO NASE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"