Takaj “i xhindosur” pas humbjes, tifozët ikin pas golit të tretë. Ja pikantet e sfidës Skënderbeu-Laçi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 3, 2019 | 21:32

Takaj “i xhindosur” pas humbjes, tifozët ikin pas golit të tretë. Ja pikantet e sfidës Skënderbeu-Laçi

Skënderbeu e mbyll me turp javën e 11-të. Kur tifozët prisnin reagimin, ekipi pësoi një humbje të thellë. Me këto shifra kishin një vit e 8 muaj që nuk thyheshin në shtëpi. Kujtojmë javën e fundit me Vllazninë, kur shkodranët rrezikonin edhe mbijetesën. Asokohe humbnin në stadiumin e tyre pa shumë kushte, në shifrat 1-5.

skenderbeu laci

Por nëse nuk do ta llogarisim këtë 90-minutësh, me rezultat 1-4 (si ky i djeshmi) janë mposhtur 11 vite më parë. Në 10 maj 2008 ndaleshin ndaj Flamurtarit në mes të Korçës.

– Kjo humbje ka djegur shumë dhe duket se do të sjellë edhe “furtunë” në radhët e korçarëpve. Dhe “dënimi” i vetëm në kësi kushtesh mund të jetë vetëm stoli për ata që nuk kanë bindur.

– Ardjan Takaj ka dalë i vrenjtur nga stadiumi pas ndeshjes. Edhe pse gazeta u mundua që t’i merrte një prononcim, presidenti tha se do të fliste në një moment tjetër. Donte që të qetësohej, pasi shpërfytyrimi i skuadrës pas avantazhit e kishte inatosur pa masë.

– Pashk Laska në krahun tjetër ka zbritur menjëherë në dhomat e zhveshjes për të përgëzuar të tijtë për rezultatin e marrë në Korçë, një fitore e merituar dhe me lojë bindëse.

– Jo më pak i mërzitur ka qenë edhe trajneri Ilir Daja, i cili ka shmangur çdo lloj kontakti me lojtarët e tij, me qëllim që të mos rrëmbehej nga nervozizmi. Një gjë të tillë Daja e ka pranuar edhe për mediat, teksa ka qëndruar gjithmonë në dhomën e tij i rrethuar nga stafi teknik.

Skenderbeu-Laci5

– Për herë të parë pas kaq shumë kohësh, edhe tifozët braktisin ekipin. Megjithëse nuk kishte shumë të pranishëm (vetëm 1600), ata nisën që të fironin pas golit të tretë të kurbinasve. Korçarët janë larguar në masë nga stadiumi, duke akuzuar edhe ekipin për paraqitjen e dobët.

– Ilir Daja edhe këtë ndeshje nuk ka hezituar të merret me gjykimin gjatë ndeshjes. Në disa momente trajneri ka kërkuar faulle të shkaktuara si pasojë e lojës së rëndë të kundërshtarit dhe më flagranti ishte ai i pasinjalizuar nga Sino, para stolit të korçarëve. Trajneri në këtë çast acarohet keq me kryesorin dhe i kërkon llogari edhe të 4-tit.

– Cungu ka qenë më i qetë dhe i gjithi i fokusuar për të udhëzuar ekipin. Por në minutën e 60-të edhe ai e pati një moment “shfryrjeje”. Kur Laçi u tërhoq i gjithi pas, reagimi i trajnerit ishte i ashpër dhe kërkoi me urgjencë që t’i kthehej ritmit të mëparshëm.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"