Supersfida në Angli, Klop ironi me Junajtid: Askush nuk e do Liverpulin përballë!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2019 | 10:36

Supersfida në Angli, Klop ironi me Junajtid: Askush nuk e do Liverpulin përballë!

Muajin e shkuar, në Samitin e Futbollit Botëror në Madrid, administratori i deleguar i Liverpulit, Piter Mur, tha: “Jemi rikthyer në majën tonë”.

klop solskjaer

Ai i referohej deklaratës legjendare të Sër Aleks Fergusonit me t’u ulur në stolin e Mançester Junajtid në vitin 1986, duke premtuar se do t’i zbriste “reds”-at nga froni i skuadrës më të mirë të Anglisë. Tani është koha për t’u rikthyer atje dhe Liverpuli udhëton sot drejt “Old Trafford” me statusin e superfavorites, si asnjëherë tjetër në historinë e Premier Ligës këto tri dekada.

Por Klop nuk mendon kështu. “Bota për momentin është si një cirk dhe ne jemi në qendër të skenës, por unë jam 100% i sigurt për forcën e Mançester Junajtid. Ata thanë se ne jemi rivali perfekt. Nuk mendoj se ka shumë skuadra që do të donin të luanin kundër nesh për momentin. Duket sikur Junajtidi është i vetmi ekip që do. Duhet të sigurohemi që ky të jetë një keqkuptim. Ata kanë një ekip shumë të mirë dhe janë në një situatë që duan ta ndryshojnë. Por ne duhet ta shtyjmë daljen e tyre nga kjo situatë për javën tjetër”, tha tekniku i Liverpulit, i cili solidarizohet edhe me situatën ku ndodhet kolegu i tij Solskjaer: “Nuk e di se cili është pozicioni i tij. Nuk ka shumë rëndësi ajo që shkruhet. Rëndësi ka ajo që bordi, administratori Uduard dhe familja Glejzër i thonë atij. Nuk kam asnjë opinion për këtë”.

STATISTIKAT – Junajtid është i pamposhtur në 6 ndeshjet e fundit në shtëpi kundër Liverpulit, përfshirë 5 përballjet e fundit në kampionat: 3 fitore, 2 barazime. Kjo është seria më e gjatë e ndeshjeve pa fitore të “reds”-ave në “Old Trafford”, që prej 10 ndeshjeve mes vitit 1991-2000. Humbja e vetme e “djajve të kuq” në 10 ndeshjet e tyre të fundit në kampionat kundër Liverpulit ishte ajo e sezonit të shkuar në “Anfield” 3-1, një rezultat që solli shkarkimin e Zhoze Murinjos dy ditë më vonë.

Katër nga 6 përballjet e fundit në Premier Ligë mes dy rivalëve më të mëdha kanë përfunduar në barazim (tre prej tyre 0-0). Vetëm katër nga 36 takimet e mëparshme ishin mbyllur në ekuilibër. Me një fitore në “Old Trafford”, Liverpuli do të festonte triumfin e 18-të radhazi në kampionat, duke barazuar rekordin që Mançester Siti vendosi mes gushtit dhe dhjetorit 2017.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"