Suarez udhëheq Barçën, dëmtohet Lionel Mesi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 27, 2015 | 11:13

Suarez udhëheq Barçën, dëmtohet Lionel Mesi

suarezBarcelona ka marrë tri pikë shumë të rëndësishme në shtëpi, përballë Las Palmasit, por me një kosto të madhe. Lionel Mesi doli nga fusha e lojës i dëmtuar dhe tashmë do të mungojë për tetë javë. Për të udhëhequr katalanasit te triumfi mendoi Luis Suarez, i cili i ndëshkoi dy herë kundërshtarët.

Lionel Mesi Kishte plot dy vite që “pleshti” nuk dëmtohej (më 28 shtator 2013, hera e fundit), por ndodhi pikërisht ditën e djeshme. Sulmuesi pati dhimbje në ligamentin e gjurit të majtë dhe doli nga fusha që në minutën e dhjetë. Një dëmtim që shqetësoi jo pak pjesën tjetër të skuadrës, por jo aq sa të mos realizonin objektivin në këtë ndeshje. Pas zhvillimit të analizave mjekësore, futbollisti argjentinas do të qëndrojë jashtë fushave për tetë javë.

Ndeshja Pas një ngërçi psikologjik të skuadrës, mendoi Luis Suarez për të rikthyer qetësinë, në minutën e 25-të. Pas një krosimi në zonë, ai goditi saktë me kokë, duke shkundur rrjetën e Las Palmasit. Miqtë e patën shumë të vështirë që të reagonin, por ia dolën që të mos pësonin më gol në 45 minutat e para. Gjithsesi, për të vulosur fitoren mendoi sërish sulmuesi uruguaian. Vetëm nëntë minuta pasi kishte filluar pjesa e dytë, ai shënoi edhe golin e sigurisë. Këtë herë finalizoi saktë një pasim brenda zonës nga Munir. Nejmar, i cili ishte protagonist me aksionet e vazhdueshme në krah, duket se nuk i solli fat modeli i ri i flokëve (i kishte prerë totalisht), pasi në të 66-n gaboi nga pika e bardhë e penalltisë. Alkaraz preku topin me dorë brenda zonës, por gjuajtja e brazilianit nga 11-metërshi kaloi mbi tra. Sa për të minimizuar humbjen, dy minuta para fundit, Viera ngushtoi diferencën për miqtë. Gjithsesi, një gol sa për statistikë. Fitore me vlera e katalanasve, por që duhet të bëjnë mirë llogaritë në dy muajt e ardhshëm, pa yllin e ekipit, Leo Mesin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"