Suarez është “fikur” te Barça, “pistoleta” e uruguaianit nuk shkrep në Champions

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2018 | 16:08

Suarez është “fikur” te Barça, “pistoleta” e uruguaianit nuk shkrep në Champions

Barcelona nis sot rrugëtimin për të bërë realitet “urdhrin” e kapiten Mesit. Argjentinasi kërkon patjetër Champions-in, por për ta fituar atë duhen edhe golat e Suarezit. Një temë që është e nxehtë në kampin katalanas, pasi uruguaiani nuk po kalon një moment të mirë në Ligën e Kampionëve.

suarez

Ai e nisi kompeticionin shumë mirë kur erdhi në Katalonjë dhe fitoi trofeun, ndërsa nga viti në vit e ka humbur shkëlqimin përpara portave kundërshtare. Kur bëhet fjalë për ndeshjet e Europës ai duket i “fikur”. Vitin e kaluar shënoi vetëm një gol në Champions, ndërsa ditën e sotme ai do të ketë përballë një nga “viktimat” e preferuara. PSV-së i ka shënuar 5 gola në 9 ndeshje kur luante me skuadrën e Ajaksit dhe do të shpresojë që të lërë mënjanë momentin negativ. Por Suarez e ka nisur mirë këtë sezon në Spanjë dhe duket që është në moment të mirë, prandaj sot mund të shënojë.

Capture

VALVERDE- Trajnerit të Barcelonës, Ernesto Valverde, i pëlqen fakti që në skuadër ka një motivim ekstra për të fituar Ligën e Kampionëve. Në konferencën për shtyp, ai e vlerësoi këtë gjë, por tha se skuadra duhet të punojë shumë për t’i shkuar deri në fund këtij kompeticioni. “Na pëlqen Champions-i dhe duam ta fitojmë. Dhe sigurisht që këtë gjë do ta thonë edhe skuadrat e tjera si Atletiko, Valencia, Siti apo Reali. Por më pëlqen shumë që  në skuadër ka motivim për të fituar këtë kompeticion”, tha fillimisht Valverde. Më tej, trajneri katalanas foli për orarin dhe për rivalin.

Capture1

“E kemi ndjekur me vëmendje PSV-në dhe është një ekip i madh në vendin e tij. Ata kanë iniciativë dhe dëshirë për të bërë futboll sulmues në çdo ndeshje dhe përpiqen të ruajnë stilin. Duhet të mbrohemi mirë dhe të mos lëmë hapësira. Shpresoj që orari të mos ndikojë në performancën tonë. Nuk do të luajmë si gjithmonë në 20:45, por më herët. Shpresoj që të ketë njerëz në stadium”, vazhdoi më tej numri një i katalanasve. Valverde thotë se sforcimi në transfertën me Sociedadin nuk do të ndikojë aspak sepse skuadra e ka pasur kohën e nevojshme për të gjetur forcat. “Ne e dimë që duhet të luajmë shpesh në këtë kohë dhe lojtarët janë të përgatitur. Skuadra ka punuar mirë gjatë këtyre ditëve. Unë e dija këtë, prandaj e lashë jashtë Kutinjon dhe Busketsin. Lozano? Është një lojtar shumë i mirë dhe i shpejtë, por ai është i PSVsë. Unë flas vetëm për lojtarët e Barcelonës”, përfundoi fjalën e tij trajneri Valverde.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"