Strategjia e Dritan Mehmetit, ja lëvizjet që ndezën Partizanin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 18, 2022 | 19:55

Strategjia e Dritan Mehmetit, ja lëvizjet që ndezën Partizanin

Partizani më në fund funksionon. Të kuqtë arritën të fitojnë ndeshjen e parë të këtij viti në mënyrë bindëse duke “përulur” Egnatian me tre gola dhe një lojë të mirë, sidomos në pjesën e dytë, kur u shënuan edhe rrjetat.

Mehmeti

Gjithsesi, te Partizani deri në derbin ndaj Tiranës nuk ka qenë loja e bukur mangësia, por elemente të tjerë. Aspekti psikologjik dhe humbja e rasteve ishin dy problemet më të mëdha të Partizanit, që e penguan të ringrihet nën drejtimin e Dajës. Me ardhjen e Mehmetit, një frymë e re ka ardhur në skuadër dhe shumë gjëra kanë ndryshuar. Ndeshja ndaj Egnatias ishte “skena” ku u materializuan gjithë këto ndryshime, që Dritan Mehmeti ka vendosur t’i bëjë në skuadër.

Gjëja e parë që trajneri i ri ka bërë ka qenë rikthimi i shpresës te një pjesë e lojtarëve, që Daja i kishte kaluar në plan të dytë dhe nuk i aktivizonte. Dean Liço ishte i pari. Mesfushori i ardhur nga Askoli nuk u aktivizua nga ish-trajneri në asnjë ndeshje, madje në ditët e fundit të Dajës në krye, u dërgua në ekipin e dytë për shkak të një mosmarrëveshjeje mes tyre në stërvitje. Gresild Lika ishte një tjetër lojtar, që Daja e kishte kaluar në plan të dytë, megjithëse alternativat në sulm ishin shumë të pakta. Të dy këta lojtarë morën minuta në ndeshjen ndaj Egnatias.

Aktivizimi i tyre, përveç çështjes taktike, ishte më shumë edhe një mesazh i Mehmetit për të rikthyer harmoninë në grup dhe për të treguar se të gjithë janë të rëndësishëm për skuadrën, por gjithashtu, askush nuk është i pazëvendësueshëm. Strategjia kryesore e Mehmetit duket qartë se ka qenë rikthimi i qetësisë psikologjike dhe vendosja e kapitenit Alban Hoxha mes katërkëndëshit, e cila i dha një dorë të mirë punës në këtë aspekt.

Partizani i Dajes dhe Mehmetit

Në anën teknike, lëvizjet më vendimtare të Mehmetit kishin të bënin padyshim me Malën dhe Zhuniorin. Zhvendosja e këtij të fundit në krah tregoi një version tjetër të brazilianit dhe e bëri më të rrezikshëm Partizanin. Aktivizimi i Malës pas treshes së sulmit ishte gjithashtu një lëvizje “shah-mat” e Mehmetit, pasi vetë loja e mesfushorit e tregoi qartë këtë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"