“Strakosha nuk është në merkato”, flet Tare: Kontributi i Vatës dhe Kolës i pamohueshëm, momenti i gabuar për…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 11, 2020 | 23:50

“Strakosha nuk është në merkato”, flet Tare: Kontributi i Vatës dhe Kolës i pamohueshëm, momenti i gabuar për…

Ish-bomberi i Kombëtares dhe i cili ka luajtur gjatë në elitën e futbollit italian, u rikthye edhe një herë në fushë me takat e futbollit dhe me tutat e futbollistit. Igli Tare krijon ovacione edhe në stadium sapo i përmendet emri në foninë qendrore dhe është ai shtatlarti që edhe në ditët e sotme bën bashkë dy qendërmbrojtësit kundërshtarë për ta markuar. Del nga fusha për shkak të një dëmtimi pas fare pak minutash.igli tare

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-bomberi flet për organizimin, mundësinë e krijimit të një ekipi legjendash në vazhdimësi, ecurinë e Lacios, paraqitjet dhe planet për Thomas Strakoshën.

Rikthimi në ish-stadiumin “Qemal Stafa”, çfarë ndjesie ishte për ju?

Kjo nuk ka fare lidhje me “Qemal Stafën” e shkuar. Tashmë kemi arritur në nivele shumë, shumë të larta.

Impakti në një impiant të tillë në Shqipëri, që brezit tuaj i ka munguar?

Ndoshta do të ishte mirë që të kishte përfunduar, sepse tashmë që kemi një shtëpi të tillë për Kombëtaren, duhet që të jetë e përfunduar. E them këtë, sepse shoh që është akoma i papërfunduar plotësisht. Është me të vërtetë diçka e bukur dhe Kombëtarja e meriton.

Organizimi për një kauzë si ajo e bamirësisë për të prekurit nga tërmeti…

Ky organizim për një kauzë të tillë është absolutisht një ide shumë e bukur nga ana e Sindikatës së Futbollistëve Shqiptarë, ndoshta edhe nga ana e federatës. Por, do të kisha dëshirë që kjo të kishte një lloj vazhdimësie, sepse duke vijuar, mund të shërbejë edhe për kauza të tjera, në mënyrë që ne të japim kontributin tonë, edhe minimal. Sado i tillë, është gjithmonë i vlefshëm.

Shumë vende e kanë kombëtaren e veteranëve. Mund të ketë edhe Shqipëria një të tillë?

Absolutisht që po! Besoj se do të ishte një ide shumë e bukur. Tani është fillimi dhe ndoshta mund të ketë edhe vazhdimësi në të ardhmen.

Së fundmi, Igli Tare pyetet vazhdimisht për objektivat e Lacios, duke parë që skuadra po tregon rritje…

Objektivat nuk mungojnë. Për ne, objektiv është arritja e Ligës së Kampioneve. Është objektiv kryesor për ekipin tonë.Tare

Lacio në vend të tretë, pas Interit dhe Juventusit. E kishit menduar në start të sezonit që mund të shkonte kaq lart?

Po, absolutisht që po! Madje, e kam deklaruar edhe në fillim që objektivi ynë duhet të ishte pikërisht ky pozicion dhe qëndrimi mes vendeve që na dërgojnë në Champions.

Ka pasur kritika nga Vata, Kola, Haxhi etj. për mënyrën si është bërë lista e ekipit të Shqipërisë dhe se nuk janë bërë zgjedhjet me meritë. Komenti juaj?

Nuk kam pse ta komentoj atë anë. Janë mendimet e tyre dhe unë i respektoj. Por, ndoshta është momenti i gabuar për t’u bërë këto vlerësime, sepse askush nuk mund ta mohojë kontributin që ka dhënë Vata, Kola e të gjithë të tjerët. Ndoshta është thjesht një çështje brezash, por absolutisht që kontributi i dhënë prej tyre është i padiskutueshëm.

Strakosha po bën një sezon fantastik me elozhe edhe në Itali. Cilat janë pritshmëritë për të nga ju si drejtues dhe nga klubi?

Ai po jep maksimumin e tij dhe është një nga pikat kryesore të skuadrës, kështu që nuk kam se çfarë të them më tepër. Emri i tij është shpesh në lajmet e merkatos.

Cila do të jetë e ardhmja e Thomasit?

Jo, jo! Në këtë moment s’ka merkato!

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"