Stijepoviç: Më pëlqen Shqipëria, shqetësimi i vetëm… renditja

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2018 | 17:48

Stijepoviç: Më pëlqen Shqipëria, shqetësimi i vetëm… renditja

Nikola Stijepoviç është një prej lojtarëve më të rëndësishëm te Kastrioti. Mbrojtësi iu bashkua krutanëve në verë nga malazezët e Sutjeskës. Deri më tani, 25-vjeçari ka luajtur pothuajse të gjitha ndeshjet si titullar absolut, duke bërë paraqitje mjaft të mira. Në një prononcim të dhënë ekskluzivisht për “Panorama Sport”, malazezi tregon se ndihet mjaft mirë në Krujë, por e vetmja gjë që e shqetëson është vendi i fundit në klasifikim.

“Në fillim e kisha të vështirë të ambientohesha, pasi ishte eksperienca ime e parë jashtë Malit të Zi, megjithatë me kalimin e javëve çdo gjë u normalizua. Më pëlqen Shqipëria dhe njerëzit këtu janë mjaft të respektueshëm dhe dashamirës të futbollit. Kategoria Superiore është një kampionat mjaft i fortë dhe në vitet e fundit është rritur ndjeshëm si nivel. Këtë e kanë treguar ekipet shqiptare që kanë marrë pjesë deri në grupet e Ligës së Europës.

kastrioti

Ky sezon me Kastriotin, pavarësisht nisjes me një fitore në Gjirokastër, nuk ishte sipas pritshmërieve, pasi pas asaj fitoreje gjërat nuk shkuan siç ne prisnim dhe në 12 javë arritëm të grumbullonim vetëm 4 pikë. Megjithatë, me ndryshimet në pankinë loja pësoi rritje dhe në javën e 13-të arritëm të merrnim më në fund një fitore të dytë, e cila na riktheu buzëqeshjen. Tri pikët e marra me Kamzën na kanë dhënë besim se në vazhdim, nëse do të luajmë kështu, mund t’i largohemi fundit. Për ta bërë këtë, duhet shumë punë dhe përkushtim, duhet të zbatohet me përpikëri çdo udhëzim i trajnerit. Për ndeshjen e radhës, kemi nisur përgatitjet prej disa ditësh. Laçi është një kundërshtar i fortë. E kam ndjekur dhe mund të them që janë një ekip që mund të hapin probleme, ndaj duhet pasur shumë kujdes. Megjithatë, ne do të futemi në fushë për të dhënë më të mirën, me shpresën që do të marrim maksimumin”, përfundoi Stijepoviç.

PËRGATITJET – Kastrioti dje ka zbritur në fushë për nisjen e përgatitjeve për ndeshjen e radhës, të cilën do ta zhvillojë në transfertë ndaj Laçit. Pozitiv është fakti se skuadra në këtë përballje vjen pas një fitoreje, por edhe e plotë në organikë. Trajneri Stavri Nica do t’i ketë të gjithë lojtarët në dispozicion për këtë 90-minutësh, prej të cilit kërkohet vazhdimësia.

Bujar Balliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"