Starton sezoni i ri në volejboll, ish-trajneri Gurabardhi bën skanerin: Ja favoritët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2019 | 14:00

Starton sezoni i ri në volejboll, ish-trajneri Gurabardhi bën skanerin: Ja favoritët

Volejbolli shqiptar do të ngrejë siparin nesër me trofeun e parë sezonal, siç është Kupa e FSHV-së, event që do të mbahet në Korçë në datat 20- 22 shtator.

hasan gurabardhi

Pas një jete të tërë në sportin e rrjetës, trajneri Hasan Gurabardhi këtë herë do ta shikojë volejbollin nga jashtë parketit, pas largimit nga Barleti Volej, skuadër me të cilën fitoi gjithçka. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Gurabardhi flet për jetën e tij jashtë volejbollit, si dhe bën skanerin e edicionit të ri.

Pas shumë e shumë vitesh nuk jeni më pjesë e volejbollit aktiv. Si po e përjetoni këtë periudhë?

Normalisht është e vështirë, por ashtu siç isha shprehur që para një viti, kisha marrë vendimin për t’u larguar, duke iu përkushtuar një pune tjetër. Nuk jam më pjesë e volejbollit si sportist apo si trajner, por unë vazhdoj të jetoj me këtë sport dhe e ndjek si në arenën kombëtare ashtu edhe në atë ndërkombëtare. Jam i rrethuar nga një shoqëri që është pjesë e këtij sporti dhe sigurisht që volejbolli është në qendër të diskutimeve tona të përditshme.

A do të vazhdoni të jeni i pranishëm në sallat sportive?

Pa diskutim që po. Madje, mendoj që këtë fundjavë në finalet e Kupës së Federatës, të udhëtoj drejt Korçës dhe t’i ndjek ndeshjet nga afër. Gjithashtu, do të jem i pranishëm në aktivitetet e tjera kombëtare në vijim.

Këtë fundjavë starton zyrtarisht sezoni i ri me trofeun e Kupës së Federatës. Cili është parashikimi juaj për këtë edicion?

Partizani dihet që është një skuadër e fortë, e cila do të marrë pjesë edhe në Kupat e Europës. Këtë sezon është përforcuar edhe më shumë. Një skuadër e mirëmenaxhuar që e ka dëshmuar këto dy vitet e fundit dhe mendoj se është favorite kryesore.

Për sa i përket Mirditës, mund të them që largimi i Nezajt sigurisht që e dëmton, por mbase kanë zgjedhur një strategji për t’u përforcuar në fazën e dytë me lojtare të huaja, siç bënë sezonin e kaluar. Tirana mbetet një ekip i rrezikshëm si gjithnjë, me një grup lojtaresh me eksperiencë, të alternuara me elementin e ri. Ndërsa Barleti Volej është po e njëjta skuadër si sezonin e kaluar. Janë larguar Picaku dhe Gjermeni, por është rikthyer Braho, një nga lojtaret që i ka dhënë tonin volejbollit. Në Kupën e FSHV-së do të kemi gjysmëfinale të bukura, por favorit mbetet Partizani.

Po në radhët e meshkujve, cilat skuadra shikoni më të avantazhuara?

Partizani dhe Erzeni janë skuadra të cilat do të marrin pjesë në Europë, ku deri tani nuk kanë afruar lojtarë të huaj. Partizani ka marrë dy volejbollistë kosovarë, ndërsa Erzeni ka pasur disa largime të rëndësishme nga viti i kaluar, ku mendoj se largimi i Bërdufit te Partizani i ka prishur shumë punë. Tirana është po ajo, ndërsa Vllaznia gjithashtu ka pasur largime lojtarësh. Kështu që, në sfidën Partizani-Erzeni mendoj se nuk kemi favoritë, ndërsa në gjysmëfinalen tjetër Tirana-Vllaznia i shikoj bardhebultë më të avantazhuar.

Për cilën skuadër do të bëjë tifo Gurabardhi?

Normalisht që unë do të mbështes skuadrën e Universitetit “Marin Barleti”. Aty kam punuar shtatë vite dhe kam arritur suksese të jashtëzakonshme, ku edhe u konfirmova si trajner. Është një skuadër që ka kontribuuar për mua ashtu siç kam bërë edhe unë për të.

Këtë edicion, klubet shqiptare rikthehen të marrin pjesë në Kupat e Europës. A është gati volejbolli ynë për t’u përfaqësuar denjësisht në arenën ndërkombëtare?

Mendoj se është shumë e nevojshme që skuadrat të përforcohen me lojtarë të huaj, duke qenë se në këto ndeshje nuk ka kufizime të numrit të lojtarëve. Nëse nuk bëjmë afrime nga jashtë, është vërtet problem, duke parë këtë brez lojtarësh që kemi. Pa harruar që këtë verë kemi pasur largime të rëndësishme, ku për shembull te meshkujt: Troka, Bakiri, Arapi apo Osman Qepa. Këto largime i bëjnë mirë ekipit kombëtar, por nga ana tjetër sigurisht që i dëmtojnë klubet. Ndërsa në radhët e femrave, duhet parë se çfarë niveli kanë blerjet e reja nga jashtë, por nga informacionet që kam, besoj se janë lojtare të mira.

ARTIN LLESHAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"