Start që ngroh, Partizani e di si fitohet në transfertën kurbinase

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 6, 2018 | 16:19

Start që ngroh, Partizani e di si fitohet në transfertën kurbinase

Një humbje minimale ndaj Skënderbeut dhe më pas dy fitore radhazi ndaj Kamzës dhe Kastriotit me po të njëjtin rezultat, 1-0. Partizani ka bërë një start shumë më të mirë se sezoni i kaluar, ku e nisi me një jehonë të madhe dhe mbi të gjitha prepotencë. Mirëpo, shifrat flasin qartë, pasi në tri javë të luajtura, skuadra e drejtuar nga Skënder Gega ka arritur të marrë 6 pikë, ndërsa në po kaq ndeshje në kampionatin e kaluar, të kuqtë grumbullonin vetëm një pikë me Mark Iulianin në krye të pankinës.

Partizani

Edhe pse Gega nuk ka mbetur shumë i kënaqur me lojën, duke iu referuar oshilacioneve të ekipit brenda 90 minutave, ato që vlejnë janë pikët. Një Partizan që është futur në kampionat me një profil më të ulët se sezonet e kaluara, por ama mbetet një pretendent për titull dhe afrimet e fundit janë një vlerë e shtuar. Krahët e sulmit janë forcuar shumë, sidomos pas ardhjes së shkodranit Eraldo Çinari. Me Asanin, Mensah, Bardhin dhe koreanin Hyon-Uk So, lufta për një vend në krahët e sulmit është bërë e ashpër.

NDESHJA – Në sezonin e kaluar Laçi u bë makth për tri ndeshje radhazi, duke fituar dhe barazuar nga një herë në kryeqytet dhe triumfuar gjithashtu në shtëpi. Mirëpo, faza e katërt ishte ajo që bëri diferencën, pasi Partizani arriti një fitore bindëse 0-3 në Laç. Pavarësisht se e mbylli kampionatin në vendin e pestë, të kuqtë morën pjesë në Europë. Megjithatë, tashmë është një histori tjetër dhe skuadrat shkojnë në këtë përballje me të kuqtë vetëm një pikë më shumë se Laçi.

Partizani55

Kjo është një provë shumë e rëndësishme për vazhdimësinë e kampionatit, për të dyja skuadrat. Të kuqtë presin shpërthimin e sulmuesit Rubin Hebaj, i cili në tri ndeshjet e para nuk ka arritur të tregojë asgjë nga cilësitë që ka. Shpesh është kritikuar nga Gega, por gjithashtu trajneri ka konfirmuar se beson shumë te shkodrani. Një fitore në Laç do të rriste edhe më shumë moralin e të kuqve, për më tepër që luajnë ndaj një kundërshtari në formë, i cili jo më larg se ndeshjen e fundit, arriti të ndalte Skënderbeun kampion në Korçë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"