Stadiumi i ri i Kukësit, projekt i “vjedhur” në Gjermani me kosto 30 milionë euro

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2017 | 11:30

Stadiumi i ri i Kukësit, projekt i “vjedhur” në Gjermani me kosto 30 milionë euro

Klubi kampion i Shqipërisë duhet të jetë një shembull për të gjithë në futbollin shqiptar. Ashtu siç ndodh në çdo vend të Europës, shembujt e skuadrave kampione janë për t’u ndjekur, mirëpo, në rastin e Kukësit, nuk ndodh e njëjta gjë. Aktualisht, skuadra verilindore ka një impiant që vetëm tribunat i kanë mbetur, pasi tapeti me bar artificial është degraduar plotësisht.

kukesi stadiumi3

Projekti i prezantuar nga Kukësi

Thuajse çdo javë në fushën e Kukësit dëmtohen lojtarë. Por, sikur të mos mjaftojë kjo, kampionët në fuqi të Shqipërisë nuk kanë asnjë terren stërvitor të vetin, teksa çdo ditë degdisen në Pezë-Helmes. Për më tepër, fizikisht skuadra e Kukësit është në qytetin verilindor vetëm kur luan ndeshjet si pritës, pasi gjatë gjithë kohës rezidencën e ka në kryeqytet.

Mirëpo, pas ankesave për fushën nga vetë stafi teknik të Kukësit, për të vazhduar më pas me ato të skuadrave të tjera që janë përballur këtë sezon me kampionët, klubi publikoi pak ditë më parë një projekt për ndërtimin e stadiumit të ri mbi atë aktual, me një kapacitet prej 10 mijë vendesh.

Deri këtu gjithçka “OK”, pasi bëhet fjalë për një iniciativë për t’u përshëndetur, edhe pse, sipas vetë klubit, gjithçka mbetet në dorë të qeverisë shqiptare, që duhet të miratojë një fond prej 3.5 milionë eurosh për stadiumin e ri. Mirëpo, nëse nis të kërkosh në internet për projektin që ka zgjedhur të “shesë” Kukësi për opinionin në lidhje me stadiumin e ri, rezulton një “copy paste” i stadiumit që po ndërton klubi i Ligës së Tretë gjermane, VfB Oldenburg.

oldenburg

Faksimile e lajmit të botuar në Gjermani për stadiumin e ri të Oldenburgut

Këta të fundit kanë prezantuar projektin e stadiumit të tyre që në muajin mars, ndërsa në klubin verilindor ky projekt është prezantuar pak ditë më parë, por bëhet fjalë për të njëjtin. Ndoshta, drejtuesit e klubit mund të kenë rënë edhe pre e ndonjë mashtrimi të një studioje arkitekturore, e cila i ka paraqitur të njëjtin projekt si ai që ka bërë klubi gjerman.

DETAJET

Të vetmet gjëra që bëjnë detajet në këtë projekt janë shpenzimet që do të duhen për ndërtimin e këtij impianti, pasi klubi i Kukësit ka parashikuar rreth 3.5 milionë euro, ndërsa klubi gjerman parashikon një ndërtim që shkon deri në 30 milionë euro.

Kapaciteti është i njëjtë, pra stadium 10 mijë vendesh dhe i gjithi i mbuluar. Ndërkohë që drejtuesit e Oldenburgut kanë parashikuar që të shtojnë edhe 5 mijë vende në impiantin e tyre, në rast se skuadra do të ngjitet sezonin e ardhshëm një kategori më lart. Ndërsa te Kukësi ende nuk u kanë hyrë detajeve të tilla.

kukesi stadiumi2

DEKLARATAT

“Stadiumi i ri do të ketë një kapacitet prej 10 mijë vendesh dhe është i mbuluar krejtësisht edhe në tribunat e tifozëve. Ky impiant kap vlerën e 3.5 milionë eurove dhe do të jetë pa dyshim ndër më modernët në Shqipëri. Stadiumi do të jetë një qendër multifunksionale, pasi do të përfshijë të gjitha kushtet e nevojshme për skuadrën, nga palestra etj.

I njëjti komoditet do të ofrohet edhe për tifozët që do të gjejnë shërbime të ndryshme”, lexohej në deklaratën e klubit kampion, që është pothuajse e njëjtë me atë që thonë drejtuesit gjerman, të cilët synojnë të zhvillojnë gjithashtu zonën rreth stadiumit me ndërtimin e tij.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"