Sqarim i “Panorama Sport” për akuzat e klubit të Skënderbeut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2017 | 15:20

Sqarim i “Panorama Sport” për akuzat e klubit të Skënderbeut

Nuk është hera e parë, por gjithmonë shpresojmë që të jetë e fundit, që një klub shqiptar justifikon “bëmat” që kanë pak lidhje me futbollin duke sulmuar “Panorama Sport”. Nuk është hera e parë që Skënderbeu, Kukësi, Partizani, Tirana apo kushdo tjetër që nuk pëlqen të dëgjojë të vërtetën, e cilëson të vërtetën si shpifje vetëm për t’u hedhur sy tifozëve, duke shpresuar që këta të fundit t’u besojnë verbërisht.

Skenderbeu tribuna

Por reagimi i sotëm i Skënderbeut mund të jetë unik në llojin e tij. Përballë një raportimi korrekt të asaj që ndodhi në stadium në ndeshjen ndaj Vllaznisë, klubi korçar mori mbi vete barrën e “të akuzuarit” edhe pse askush nuk ka raportuar se “çorba” që u gatua dje i përkiste këtij ekipi.

“Panorama Sport” ka raportuar në shkrimet e saj se si ekipi i Vllaznisë, ndonëse duke fituar në minutat e fundit, në vend që të mbrohej ndaj kampionëve në fuqi siç do të bënte çdo skuadër tjetër, ndërmori aventura që sollën humbjen e ndeshjes. Gazeta gjithashtu ka raportuar me saktësi të plotë fjalët e trajnerit Cungu që fajëson publikisht mbrojtësin e tij për këtë humbje dhe e përjashton nga ekipi, një rast i rrallë ky në futbollin tonë.

Po me të njëjtën saktësi është raportuar edhe atmosfera në stadium, ku tifozët e pranishëm filluan të thërrasin “estradë, estradë”. Asgjë nga këto të mësipërmet nuk janë shpifje apo “komplote” të hartuara nga redaksia e “Panorama Sport”.

Nuk besojmë se Enis Gavazaj apo Tefik Osmani janë bërë pjesë e “ndonjë klubi tjetër” ose janë kthyer në “pseudogazetarë” që prodhojnë gjëra të tilla, siç pretendon klubi korçar. I pari u konfliktua me tifozët pikërisht pas këtyre thirrjeve. I dyti deklaroi tekstualisht pas ndeshjes “jam i mërzitur me pjesën e tifozëve që në fund të takimit filluan të bërtisnin ‘estradë, estradë’”. Skënderbeu duhet të sqarohet një herë me futbollistët e vet, para se të bëjë reagime të pakuptimta dhe tërësisht të trilluara.

Skenderbeu tifozet

Skënderbeut, ashtu si edhe të gjithë klubeve të tjera, duhet t’u kujtojmë se “Panorama Sport” i ka bazuar gjithmonë lajmet e saj mbi vërtetësinë e asaj që ndodh dhe nuk është faji i gazetës që klubet shohin gjithnjë e më pak tifozë në tribunat e stadiumeve për shkak të bëmave të tyre ndër vite.

Nuk është faji i gazetës as kur institucionet ndërkombëtare japin vendime disiplinore që njollosin shumë rëndë imazhin e futbollit në vendit tonë. E aq më pak është faji i gazetës se indiferenca dhe paaftësia e institucionit që drejton futbollin në vendin tonë ka lënë që secili prej klubeve që ka dhuruar turp pas turpi në Shqipëri, ia ka hedhur paq deri tani.

I mirëkuptojmë tifozët e skuadrave të ndryshme që shpeshherë reagojnë të nxitur nga deklarata të tilla të papërgjegjshme të klubeve. Por kjo nuk do të ndalojë “Panorama Sport” të vazhdojë të raportojë me saktësi atë që ndodh në sportin shqiptar, sado e hidhur që të jetë për klube të ndryshme, sado që këta të fundit të mundohen të fyejnë inteligjencën edhe të atyre tifozëve të cilët shkojnë në stadium me shpresën që të shohin spektakël, e jo estradë.

Panorama Sport

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"