Teuta-Parma, kur Zola çante rrjetën në Tiranë dhe Inzagi u shënonte durrsakëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 14, 2020 | 21:43

Teuta-Parma, kur Zola çante rrjetën në Tiranë dhe Inzagi u shënonte durrsakëve

 UVIL ZAJMI

Uvil_Zajmi

Kishte kaluar kohë e gjatë, dekada, që një përballje e tillë mungonte. Nga Partizani-Torino në 1968, turi i parë i Kupës së Kupave, dhe ekipit U-21 të Italisë me Roberto Mançinin, trajneri aktual i Italisë, që luajti në Tiranë në prill 1983, Shqipëri-Itali 0-1 (Vinjola), për 1/8-at e trofeut kontinental të kësaj moshe. Parma ishte skuadra e tretë italiane që vinte në Shqipëri, pas lufte.

Pra, saktësisht pas një gjysmë shekulli. Kurrë ndonjëherë më parë, një skuadër kombëtare italiane apo klub nuk kishte zhvilluar një miqësore apo zyrtare me futbollin shqiptar, përjashto tri sfidat që përmendëm. Ndryshe në lojërat me dorë: ku Virtus, Oransoda, Bari 2001, Skavolini, Sinudine janë ndeshur me klubet shqiptare, përfshirë edhe kombëtaret e basketbollit.

Inzagi kunder Teutes logo

 Abazi dhe Inzagi në dyluftim (PARMA- TEUTA 2-0)

Kurrë në Shqipëri para ’90-ës, Milan, Inter, Juventus, me të cilat dashamirësit e futbollit të Serisë A ishin tejet të lidhur, njohës, fansa të këtyre klubeve, ndjekës të rregullt të ndeshjeve në TV, emisioneve televizive, nga “90 minuto”, “Domenica Sportiva”, ai radiofonik i së dielës “Tutto il calcio minuto per minuto”, që tregonte një lidhje pasionante pa kufij për breza me futbollin përtej Adriatikut, aq afër dhe larg, do të qëndronte me shqiptarët.

Në prag të shortit për eliminatoret e Kupave të Europës, pritej me ankth një përballje me një skuadër italiane, por goglat ishin “të pamëshirshme”. Kurrë një herë ShqipëriItali. Krejt ndryshe me RF Gjermane, Austrinë etj., deri edhe Spanja, Anglia, Franca, përfaqësueset dhe klubet e të cilave mundën të vinin në Shqipëri në fundvitet ’80. Për të mbërritur te shorti i Gjenevës në korrik të 1995-ës.

Më në fund, në shtator do të luhej Teuta-Parma, Kupa UEFA, turi i parë. Në turin paraeliminator, Teuta kishte eliminuar TPS Turku Finlandë 0-1 dhe 3-0 (Vila, Koca, A. Bushi). Ndeshja vajtje u zhvillua jo në Durrës, por në “Qemal Stafa” e përcaktuar nga UEFA. 14 shtator, mesditë, kohë e keqe, shi, erë e fortë.

TEUTA-FC PARMA 0-2 (0-0)

GOLAT: Zola: ’75, ’85

TEUTA: Kapllani, Kola, Abazi, Zhai, Furxhi, Qëndro, Alliu (Estrefi 84′), Mehmeti, Vila, Begeja (Dashi 43′), Koca. (Në dispozicion: Shtama, Estrefi Begeja, Dashi, Canaku). Trajner: V. Ajazi (B. Koka ishte i dënuar).

FC PARMA: Buçi, Musi, Kanavaro, Apoloni, Benarrivo, Pin, Brolin, Sensini, Meli, Zola, Stoiçkov. (Në dispozicion: Bufon, D. Baxho, Kataneze, Inzagi, Di Kiara). Trajner. N. Skala.

KARTONË TË VERDHË: Begeja, Abazi, Furxhi.

GJYQTARË: D. Momirov, D. Bayaltzaliev, G. Balinov (Bull)

VËZHGUES: V. Riedeull (Gjermani)

Stadiumi plot me spektatorë, ndeshje e transmetuar direkt në “TVSH” me komentin e Vladimir Grillos dhe Neptun Bajkos. Terren i rënduar, topin e parë e luan Teuta e veshur me blu (Parma me të bardha), që sulmon nga porta jugore.

Teuta 1995 logo

Teuta, në këmbë nga e majta: M. Furxhi, B. Koka, A. Bazi, Kapllani, E. Dobi, Xhai, Alliu, V. Ajazi. Ulur majtas, A. Qendro, Koka, E. Koca, Mehmeti, Vila

Të gjithë janë kureshtarë për të parë Teutën në një konkurrim të veçantë, historik, por më shumë italianët e Parmës me lojtarë klasi, dominuese në Itali, fituese e Kupës së Italisë 2-1 ndaj Juventusit (1991-1992), Superkupën e Italisë (2-1 ndaj Milanit) dhe në Europë fituese e Kupës së Kupave (1992-1993, në Uembli 3-1 ndaj Antverpit), duke e përsëritur finalen europiane të këtij trofeu, por të humbur 0-1 me Arsenalin një sezon me vonë.

Në formacionin e Parmës janë Kanavaro, Zola dhe Stoiçkov në fushë, ndërsa në stol qëndrojnë Bufon, D. Baxho dhe Inzagi. Bufon, Kanavaro dhe Inzagi do të shpalleshin kampionë bote me Italinë në Botërorin “Gjermani 2006”. Ndërsa Stoiçkov, që shkëlqeu në USA ’94, ish-lojtar i Barcelonës, i transferuar te Parma në atë sezon dhe Kanavaro janë edhe fitues të “Topit të Artë”.

Xhanluixhi Bufon, Fabio Kanavaro dhe Stoickov logo

Xhanluixhi Bufon, Fabio Kanavaro dhe Hristo Stoiçkov kur luanin me Parmën

Pra, një skuadër e jashtëzakonshme me plot futbollistë të shquar të Serisë A, kampionë bote, “Topa të Artë”, do të zbresë e luajë në “Qemal Stafa” atë mesditë shtatori. Ndërsa: Apoloni, Sensini, Meli, mbi të gjithë Xhanfrako Zola, lojtar i kombëtares italiane, i Çelsit e më pas dhe trajneri i saj. Në “Tardini” të Parmës luan si titullar edhe mbrojtësi portugez, i famshmi F. Kuoto, që nuk erdhi në Tiranë, si dhe Pipo Inzagi, autori i golit të dytë në atë takim, por në Tiranë nuk u aktivizua.

Nga i paharruari Mikel Janku në “Sport Expres” lexojmë: “Teuta ishte vendosur në rreshtimin taktik 5-3-2 dhe prioritet u ka dhënë veprimeve mbrojtëse në mesfushën e vet dhe gradualisht e ka lëshuar iniciativën sulmuese vetëm në këmbët e Kocës, që ka mbetur i vetëm përpara. Skala me formulën 4-3-3 ka alternuar sigurinë në mbrojtje me agresivitetin në sulm. Ndërsa ‘tredhëmbëshi’ Meli-Zola-Stoiçkov është mbështetur gjithnjë më shumë në qendër nga Sensini, mjaft i lëvizshëm në të majtë nga shpërthimet e krosimet e Benarrivos. Por, përballë kanë pasur një ‘mur’ të lëvizshëm, të kudondodhur të lojtarëve vendës.

Kjo e shoqëruar me komentin e Zolës pas ndeshjes se ‘shqiptarët vraponin si të çmendur’, ndërkohë që Meli ka humbur një rast të pastër me portën bosh. Kurse shkëndijëzat sulmuese të Teutës shuhen shpejt përballë sigurisë së Kanavaros e Apolonit, të cilët në qendër të mbrojtjes nuk rrezikojnë ndaj sulmeve sporadike të Kocës. Terreni është tepër rrëshqitës dhe në pjesën e dytë, epërsia e Parmës bëhet gjithnjë e më e thellë. Luhet tërësisht në gjysmëfushën e Teutës, duke zotëruar topin dhe iniciativën. E ndërsa mendohej se po shkohej drejt barazimit të bujshëm, Zola e ka gjetur më në fund çelësin e portës së mbrojtur aq mirë deri në atë çast nga Kapllani dhe në pak minuta ka shënuar dy gola”.

GJUAJTJA E ZOLËS ÇAN RRJETËN, “GOL-JO-GOL”…

Në moviolën e “La Gazzetta dello Sport”, pas ndeshjes, nuk ka asnjë parregullsi në golin e parë të Zolës. I dyti ka ngjallur mjaft “polemika”, pasi topi i goditur nga Zola në gjysmë lartësie, çan rrjetën dhe del jashtë. Por goli është i sigurt, megjithëse shqiptarët kërkojnë ta mohojnë atë, duke treguar se topi ka dalë jashtë porte. Në Itali, kishte ndodhur një vit më parë në takimin Viçenca-Ankona, pasi gjyqtari që nuk e kishte parë të çarë rrjetën e anuloi golin, komenton “La Gazzetta”.

“DELLO SPORT”: TIRANA, KU LUHET VETËM PËR TË JETUAR

Në një shkrim të gazetarit Andrea Skianti në “La Gazetta dello Sport, lexohet: “Shqipëria, ndërmjet futbollit dhe varfërisë”. Për të vijuar: “Fëmijë këmbëzbathur kërkojnë një mijë lireta, lypja është një punë për atë që është i varfër në Tiranë, ashtu si në gjithë botën.

Në trotuar përballë hotel ‘Europapark’, ku ka zënë vend skuadra e Skalës, njerëz të shumtë që kërkojnë një autograf, një bluzë. Mbrëmjen përpara ndeshjes, 8-9 lojtarë të Tiranës, që tani sponsorizohet nga ‘Parmalat’, vijnë të vizitohen pranë mjekëve italianë. Njëri prej tyre titullar i ekipit kombëtar, luan prej disa vitesh me një dëmtim në këmbën e djathtë. Askush nuk i thotë se nuk duhet të luajë, por e detyrojnë.

Parma 1995 logo

 

Parma 1995 me Gali, Kouto, Bufon, Inzagi, Kanavaro, Zola, D. Baxho, Stoiçkov etj

Kur masazhatori i Parmës, Klaudio Bozeti, i vendos duart mbi këmbë, ai lëshon një klithmë të tmerrshme. Ai merr 500 mijë lireta në muaj, një rrogë prej të pasuri, po aq sa merr edhe një ministër. Dhe për këtë ai nuk mund të braktisë futbollin.

Dikush i rëndësishëm në qeveri u ka premtuar lojtarëve të Teutës 2 mijë dollarë, nëse ata barazojnë kundër Parmës. Më të lumturit janë ata që largohen. Përfitojnë nga një udhëtim jashtë shtetit dhe nuk kthehen më. Kjo i ka ndodhur Fortuzit, sulmuesit të Tiranës disa muaj më parë.

Një drejtues i ‘Parmalatit’, që kujdeset për tregun e futbollistëve të Lindjes, kishte menduar ta dërgonte te Videotoni, skuadër hungareze që sponsorizohet nga ‘Parmalat’. Ky mund të ishte rast ideal për futbollistin, por asgjë. Mendimi se do të luante në një vend të Lindjes e kishte frenuar atë, duke u arratisur në Austri. ‘Parmalat’, sponsor i Tiranës, po mendon të ndërhyjë në Tiranë, me një fabrikë qumështi, por duhet kohë, shumë kohë”.

NDESHJA E KTHIMIT 28 SHTATOR 1995, ORA 20:45, STADIUMI “TARDINI”.

PARMA-TEUTA 2-0 (1-0)

GOLAT: Meli 9′, Inzagi 91′

PARMA: Buçi, Benarrivo, Di Kiara, Sensini, Apoloni, Kuoto (43’Kanavaro), Meli (Zola 46′), Broli, Kripa (Kataneze 73′), Brambila, Inzagi. Trajner: N. Skala.

TEUTA: Kapllani, Xhai, Abazi, Furxhi, Qëndro, Koka (89 Bushi), Alliu, Dobi, Mehmeti, Vila, Koca. Trajner: B. Koka.

KARTONË TË VERDHË: Kouto, Dobi, Abazi, Furxhi, Kapllani

GJYQTARË: M. Mitroviç, Vidali, Hvaliç (Slloveni)

 

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"