Me çadra dhe krevatë me vete, pushimet verore të lojtarëve në monizëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 8, 2018 | 22:40

Me çadra dhe krevatë me vete, pushimet verore të lojtarëve në monizëm

UVIL ZAJMI

uvil zajmi

Ka qenë një ritual, kur në përfundim të aktiv iteteve kombëtare, sportistët, kryesisht të futbollit, por edhe të disiplinave të tjera, i drejtoheshin periudhës post-kampionat të ndarë në dy faza: pushimet verore dhe faza e dytë ajo përgatitore. E para ishte më e veçantë, argëtuese për nga “liria” që i shoqëronte kur ata zbarkonin në plazh, por edhe për mënyrën e akomodimeve të rralla për kohën: nga çadrat e mëdha masive me krevatet e marinarit, te kabinat, konviktet, kapanonet e repartet ushtarake. Si e kujtojnë disa nga protagonistët atë dyjavësh, nga shëtitjet provokuese përgjatë bregdetit, deri te njohjet, dashuritë fshehurazi, tallonat e guzhinat portative? Pastaj në male e lartësi, faza e dytë, ku ndryshon gjithçka: Stërvitje lodhëse e sfilitëse, vrap paradite e në mesditë, ngjitje e zbritje, mërzitje dhe gjumë, që për sportistët ajo periudhë për nga izolimi, larg qyteteve, familjeve, konsiderohej si koha “e vetmisë së madhe”.

basketbollistet 17 nentori plazh

PUSHIMET VERORE, “LIRI KOLEKTIVE E PAKUFIZUAR”

Frekuentimi i plazhit nga sportistët në mënyrë të organizuar ka filluar rreth viteve ’60, kur klubet i dërgonin pranë detit, duke e konsideruar si pushim, por aktiv. Ndërsa, për vetë sportistët ajo ishte “liri e madhe”, shumë e dëshiruar që i mungonte gjatë vitit, për nga aktivitetet, angazhimet punë-familje-shkollë-sport e stërvitje që kishin. Ajo programohej në muajin qershor, madje shumë sportistë edhe dasmat i zhvillonin në këtë periudhë, thuajse bosh, pa impenjime, ndonjë kupë, turne të rastit, apo përvjetor. Klubet shfrytëzonin afërsitë me plazhet e qyteteve të tyre dhe shumë i frekuentuar ka qenë deti Adriatik, nga Velipoja, Shëngjini, Patoku, Currilat, plazhi Durrësit, Golemi, Divjaka, Semani dhe ai i Vlorës, (shumë pak bregdeti jonian, për arsye udhëtimi e të kushteve). Pjesa më e madhe e sportistëve ishte në punë dhe mundësi për të pushuar kishin vetëm 15 ditë, përjashto studentët.

dinamo ne malin e dajtit

FUTBOLLI I PRIVILEGJUAR, TË PARËT NË PLAZH

Të parët që çelnin sezonin e pushimeve verore ishin futbollistët, pasi të tillë i kishin të planifikuar kalendarët vjetorë, pasi në fillim të vjeshtës ishin ato që e hapnin sezonin sportiv, madje edhe të fundit që e mbyllnin. Qershori shfrytëzohej edhe për faktin se dita ishte më e gjatë dhe se në atë muaj nuk kishte fluks të madh të pushuesve. Ndryshe disiplinat e tjera, ato të lojërave me dorë. Evitohej një grumbullim e qëndrim djem e vajza dhe ato shkonin pasi largohej futbolli. Transporti vajtje-ardhje bëhej me automjetin e klubit. Akomodimi nga çadrat, në kabina, konvikte, e kapanone ushtrie nuk ka qenë si sot e me kushte moderne që të ofron koha. Rreth periudhës së viteve ’60-’70, por edhe më vonë në mungesë të hoteleve, kushteve komode për akomodim, janë aplikuar të tjera mundësi e alternative, dhe skuadrat sistemoheshin duke shfrytëzuar kryesisht çadra të mëdha tipike cirku, ku mund të qëndronte një numër i madh sportistësh në krevatë dyshe tip marinari. Çadrat e montuara që ishin të përkohshme pasi hiqeshin në fund të sezonit, vendoseshin në zona të lira të plazhit. Një tjetër variant apo mundësi fjetjeje kanë qenë konviktet e shkollave si ajo e Marinës në Vlorë apo repartet ushtarake në afërsi të bregdetit, si ai i përtej shinave te “Plepat në Durrës”.

38823907_2631799597044611_2912062318600781824_n

PARTIZANI DHE DINAMO NË KONVALESHENCË, 17 NËNTORI TEK “ILIRIA”

Këto dy klube, duke qenë të varura nga dy ministritë, e Mbrojtjes dhe e Brendshme, kanë shfrytëzuar Konvaleshencat përkatëse, shumë pranë njëra-tjetrës në Plepa për akomodimin e sportistëve të tyre. Partizanin, kryesisht futbollistët apo ata të lojërave me dorë i sistemonte aty, fillimisht edhe në çadra brenda këtij territori, deri kur u ndërtua një hotel për to, ku edhe trajtoheshin. Për sportet e rënda ishte rezervuar mjedisi i kapanoneve te reparti ushtarak përballë shinave. Klubi i 17 Nëntorit, fillimisht me çadra, pastaj ka shfrytëzuar kabinat me kushte aspak komode, vetëm fjetje në Sektorin e Ilirisë, disa të dorës së dytë në zonën midis Apolonisë e Hekurudhës, deri kur klubi mori ndërtesën e ishpolicisë matanë rrugës tek Iliria, ngjitur me kinemanë. Historikisht, ky klub e ka patur në Durrës qëndrimin e sportistëve për pushimet verore. Sportistët shkonin pa familjet (në raste të veçanta përjashtim bënin drejtuesit, trajnerët, apo ndonjë sportist i vjetër, për të cilët sigurohej një vend më i përshtatshëm fjetjeje).

fosten futbollisti i beselidhjes

KUZHINË PORTATIVE, TALLONA E ME “LUGË” NË BREZ

Shfrytëzohej qershori, më pak i preferuar nga qytetarët dhe mundësia për të gjetur kabina apo mjedise të mëdha boshe ishte më e lehtë. Për trajtim ushqimor shfrytëzoheshin restorantet e afërta, mencat e konvikteve apo organizoheshin mjedise të përkohëshme gatimi. Mjaft klube merrnin edhe guzhinën e klubit me vete. Në raste të tjera, sportistëve u jepej një tallon ditor, me të cilin paraqiteshin në restorantin e prenotuar, ku u garantohej trajtimi tri herë në ditë. Pas viteve ’70, kur dolën televizorët me autorizim, klubet dërgonin edhe televizorin, i cili vendosej në mjediset ku qëndronin sportistët. Sidomos në atë muaj kur zhvilloheshin botërorët, europianët, lojtarë të grumbulluar në mbrëmje ndiqnin evenimentin sportiv.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"