Për ata që kanë harruar se çka kanë qenë Flamurtari i Vlorës dhe Dinamoja e Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 26, 2023 | 21:31

Për ata që kanë harruar se çka kanë qenë Flamurtari i Vlorës dhe Dinamoja e Tiranës

Nga BESNIK DIZDARI

* Një fragment kujtese i Flamurtarit 1991 dhe Dinamos 2008

ERRATA CORRIGE:  Këto janë dy pjesët në vazhdim të shkrimit “Për ata që kanë harruar se çka kanë qenë Flamurtari i Vlorës dhe Dinamoja e Tiranës”, të shkrimit të botuar në numrin e gazetës sonë të së mërkurës. Për një ngatërresë teknike në kompjuterin e autorit, këto shkrime kanë mbetur jashtë. Për korrektësi, me kërkesën e autorit, i cili u kërkon të falur lexuesve, po i botojmë sot.

ppopopo-1

FLAMURTARI – KAMPIONI I MADH 1991

“…Shqipëria ka kësisoj një kampion të ri, një kampion për herë të parë, një kampion më tepër: Flamurtarin. Pas Skënderbeut, Vllaznisë, Partizanit, Dinamos, 17 Nëntorit e Labinotit, ja dhe i 7-ti kampion i Shqipërisë, Flamurtari. Thotë Fishta: “Për me sundue nuk asht mjaft dhelpnija, dredhija, intriga, batakçilleku, rrena, tradhtija; duhet nder, dije, urti, burrni, qe se shka duhet. Po, por po dija, urtija, burrnija, u zejshin në shkollë e madje me shumë mund e djersë e jo nëpër kafeshantana t’Europës e mejhane të Tiranës, tuj luejtë ‘tavull’, ‘bixhoz’ e tuj pi…”

Shumë e shumë vite më parë e ka thanë edhe këtë.

…Flamurtari, megjithatë, nuk ka dashur të dijë për ta. I ka flakur tej dhe ka ecur në rrugën e vet. Madje, siç kemi thënë, duke filluar nga Europa. Ndërkohë, ata të cilët e kishin nënvlerësuar për vite të tëra, shpejtonin të dilnin në foto me të, të merrnin për vete famën e fitoreve të bujshme europiane. Ishin ngjarje të mëdha që fillonin me një Barcelonë të përmasave botërore duke u ngjitur në kulmin e vitit 1987, kur si askush në historinë e futbollit shqiptar ai mbërrin deri në tri ture të Kupës së Europës.

klkjlkjlkj-1

Nga Partizani i Beogradit brenda në stadiumin e Armatës Jugosllave te Vismut e RDGJ-së e prapë deri te Barcelona, përbëjnë jehonën më të gjerë të vetë futbollit shqiptar në Europë. Asnjëherë më parë në histori, gazetat sportive europiane, nuk u morën më shumë me Shqipërinë sesa në këtë periudhë. Jo rrallë Flamurtari zuri kopertinat e revistave të futbollit dhe Vasil Ruci me shokë, Kreshnik Çipi me shokë, Rrapo Taho me shokë, Latif Gjondeda me shokë, të cilët për çudi, prapëseprapë federata shqiptare mezi u bënte vend për ndonjë ndeshje të vetme në Kombëtare, ata papritmas i dhanë futbollit shqiptar atë që i mungonte: reputacionin europian.

Madje, në atë kohë kur Kombëtarja do të ndrydhej vetëm te 2-0 i Belgjikës, thjesht për paaftësi, miopi, akraballëk, lokalizëm, dembelizëm…

“…Dhe Flamurtari i viteve ‘80, 7 herë nënkampion i Shqipërisë, 2 herë fitues i Kupës së Shqipërisë, 5 herë finalist i saj, shkonte drejt titullit kampion 1991, do të thoja, me një densitet historik suksesesh, si pakkush. Dhe me një ndërrim brezash krejt origjinal, derisa mbërrijmë te sezoni i fundit kur pasi e kanë lënë Kushta e të tjerët, ai shfaqet me 11-shin e tij të ri, duke paralajmëruar se edhe vitet ‘90 mund të jenë histori e tij. Atë çka bëri trajneri Leonidha Çuri në rang europian e bën Edmond Liçaj në rang kombëtar. Kjo është shkurt historia e tij, historia e futbollit të tij teknik, të zjarrtë, sulmues, plot harmoni stili dhe mbi të gjitha, historia e një futbolli që mbijeton me talentet e tij të pafundme.

jjjjjjjjj-1

…Ky Flamurtar 1991 na dha një provë. Pasi mori kupën e medaljet e kampionit të Shqipërisë, pasi dha provën e madhe, një histori e mrekullueshme kjo, 10-vjeçare e tij, e viteve ‘80 që qenë të tijat më fort se të askujt tjetër, ai kërkon të shohë nga Europa pa komplekse klasike. Aty ku kërkon të hyjë vetë Shqipëria. Aty ku kërkon të hyjë për së mbari edhe sporti shqiptar, edhe futbolli shqiptar. Flamurtari e di shumë mirë edhe këtë. Ua kujton edhe të tjerëve.

Është ky çast kur dhimbja për futbollin mposhtet nga shpresa për futbollin, për sportin, si vetë shpresa për Shqipërinë e Re. “Nuk e kemi ba Shqypninë ta gëzojmë, por gëzojmë të jetë Shqypnija” (Fishta). Unë po e shndërroj kështu: “Nuk e kemi bërë Flamurtarin ta gëzojmë, por gëzojmë që Flamurtari i Vlorës të jetë ai që duhet të jetë”. Por sot, për çudi, jashtë kampionatit kombëtar të Shqipërisë.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"