Mikrofoni dhe ekrani i talentit dhe zotësisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 1, 2018 | 22:02

Mikrofoni dhe ekrani i talentit dhe zotësisë

BESNIK DIZDARI

50 “ANALISTË” NË NATË PËR KUPËN E BOTËS!

Për Shqipërinë, Kupa e Botës “Russia 2018” them se na la edhe një mësim “të madh” në fushën e gazetarisë. Shqipëria ishte i vetmi shtet në Europë, absolutisht i vetmi, i cili gjatë ditëve të Kampionatit, thuajse rregullisht, sapo mbaronin ndeshjet, i dhuronte publikut të vet plot 8 emisione televizive për Kupën e Botës! Në secilin prej këtyre emisioneve, kishte e pakta 6 të ftuar. Shto këtu edhe dy drejtues, rëndom një vajzë dhe një djalë, e gjitha kjo donte të thoshte se në një mbrëmbje të vetme, pothuajse pa asnjë mungesë në 30 ditë të tana, Shqipëria ishte i vetmi vend që i dhuronte telespektatorit të vet, pra opinionit publik, plot 50 analistë, komentues, ekspertë të Kupës së Botës!

YUAndpMCbXk_9hvX4xMDoxOjBzMTt2bJ

Do të isha i lumtur – besoj se jo vetëm unë – që në një seminar gazetarije të ballafaqohesha me të gjithë dhe të argumentoja jo me zotësinë time, por me faktet kryefortë, se e gjithë kjo propagandë “origjinale” shqiptare e Kupës së Botës, ishte jo një dështim, por gati–gati një mënjanim i qartë prej vetë gazetarisë së vërtetë. Për të mos mbërritur tek ajo tjetra, më e rënda: një mosrespekt ndaj shijeve dhe diturive të telespektatorit të sotëm shqiptar.

Siç e kujtoni, të gjitha këto emisione me “50 analistë”, e pakta përgjatë dy orëve të mbrëmbjes, përveç të tjerave ishin kopje e njëra- tjetrës. Qysh nga dekori e deri te kompozicioni i vendosjes e të të folurit. Pa shkuar te përmbajtja po monotone. Kur ndërkaq, ndonëse disi më pak se herët e tjera, prapë u dukën në rolin e analistëve deputetë, ministra e të ashtuquajtur politikanë. Vërtet, si nuk doli një burrë dhe ta ndalonte në rrugë një “politikan” kësisoji dhe ta pyeste:

“Zotni deputet, përse duhet të dalësh ti e të flasësh për Kupën e Botës, kur nuk je as gazetar, as telekronist, as studiues e historian i fushës në fjalë, aq më tepër që ne të kemi zgjedhur për punë të tjera, për punë jete e zhvillimi të Atdheut, madje?” Eshtë vërtet interesante të parashikoje sesi do të përgjigjej “politikani” – analist i futbollit. Me siguri do të vinte buzën në gaz, ndoshta mund të të rrihte shpatullat me “dashamirësi” dhe të thoshte:

“E pse jo, ç’të keqe ka!” E nëse do të qëllonte të ishte krejt i ndershëm, do të duhej të përgjigjej, pak a shumë kështu: “Ke të drejtë, nuk duhet të kisha shkuar, por ja që më thirrën dhe shkova”… Kush e thërret? Dihet, e thërret televizoni, televizionet, një pjesë e mirë e të cilëve servilizmi ndaj pushtetarëve apo qeveritarëve rrezikon të mbërrijë majat ndër ne. Kështu i prodhoi Shqipëria “50 analistët” në një mbrëmbje të vetme për 30 ditë me radhë, madje edhe në ato ditë kur Kupa e Botës bënte pushim. Sigurisht, kësaj është pak t’i thuash “kundërgazetari”. Pa shkuar te retorika e pyetjes tjetër:

A vërtet Shqipëria, e cila nuk e kishte skuadrën e vet në Kupën e Botës, e kishte këte ngjarje problemin më akut të saj, saqë patjetër i duheshin 8 emisione dhe “50 analistë” brenda dy orëve të çdo mbrëmbjeje? Mesa duket, kështu. Çka do të thotë se, bie fjala, Gjermania e Italia e kishin gabim që në televizionet e tyre publike apo kombëtare, për pasqyrimin e Kupës së Botës kishin vetëm një emision, transmetuar vetëm në një televizion. Atë, i cili kishte fituar edhe të drejtën e transmetimit të ndeshjeve.

MEGJITHATË, KISHTE NJË RISI ME VLERË

Megjithatë, “Russia 2018” i dhuroi Shqipërisë një risi me vlerë. Më në fund ndeshjet u transmetuan vetëm nga një televizion, ai publik RTSH, pa pagesë. Shumë mirë. Pra, jo si më parë, kur në mënyrën më të papranueshme, si në asnjë vend tjetër, transmetohej edhe nga një televizion tjetër, por me pagesë! Si anëtar i Këshillit Drejtues të RTSH-së (2006-2014), pata luftuar jo pak që kjo të mos ndodhte.

preview

Nuk ia arrita. Por, më mirë vonë se kurrë. Duhet përgëzuar RTSH-ja e tashme që ia arriti kësaj. Kësisoji, duke i qëndruar temës së këtij shkrimi, mbas kaq e kaq kohësh nuk u dëgjuan telekronistët e zakonshëm, të cilët natyrisht, jo për gabimin e tyre, prej vitesh kanë “monopolizuar” transmetimet kësisoji. Kësaj radhe ishin telekronistët e RTSH-së.

Zëra të tjerë. Madje, deri-diku mënyra të tjera transmetimi, një pjesë e mirë e të cilëve disi më të qetë, më modestë, pa protagonizëm, duke të lënë madje për ta shijuar më mirë ndeshjen. Sepse dihet, transmetimi televiziv nuk ka të bëjë aspak me atë radiofonik. Pra, është krejt e palejueshme në këte teori dhe praktikë të gazetarisë, që bie fjala, një trelekronist i jep një shpejtësi marramendëse transmetimit, deri aty saqë fjala i han fjalën. Në një kohë që jemi në televizon dhe jo radio. Çka do të thotë se telespektatori ndeshjen po e sheh në ekran, ashtu siç po e sheh edhe telekronisti ynë i famshëm, i mbyllur edhe ai në një dhomë. Kështu pra, risia e transmetimeve nga zëra të tjerë e Kupës së Botës qe një lloj freskie, që solli Radiotelevizioni Shqiptar – çka deridiku shpalosi një origjinalitet.

Tjetër punë mandej, që edhe ai, aty- këtu, nuk shpëtoi prej imitimeve të stilit të të tjerëve. E kam për te të shprehurit në një lloj inversi krejt kundërgjuhësor të tipit që e degdis foljen aty ku nuk duhet: “I fortë ai top”; “Icardi vrapon”; “faull është”; “portën përballë e kish”; “fundore është; “në duar e ka; “është brazilian ai”; “edhe ajo do të jetë”! Po për fat, edhe këta telekronistë, që po i quajmë “të rinj”, vazhduan të cenojnë po keqaz pastërtinë e gjuhës shqipe. Edhe ata, trajnerit thuajse kurrë nuk i thanë trajner, por vetëm “teknik”, duke i futur kështu gjuhës shqipe edhe një fjalë të huaj më tepër.

Dhe, siç kemi kritkuar kushedi sa herë, me radhë vazhduan të thoshin “avantazh” në vend të “epërsi, “aktivizim” në vend të “pjesëmarrje”, “premio” në vend të “çmim”, “totalisht” në vend të “plotësisht”, “devijim” në vend të “mënjanim”, “prezencë” në vend të “prani”, “brilante” në vend të “e ndritshme”, “direkt” në vend të “drejtpërdrejt”, “produktiv” në vend të “prodhues”, “prognozë” në vend të “parashikim”. Në një kohë që edhe këta i mbyti “ekskluziviteti”, “frenimi”, “garancia”, “grinta”, “kompeticioni”, “kontestimi”, “kontrata”, “krosimi”, “momenti”, “preparatori”, “tripleta”, “dopieta”, “eventi”, “sfida”, “supersfida”, “shanset optimale”! Këto barbarizma krejt të panevojshme, natyrisht që nuk u mënjanuan as edhe prej “50 analistëve” në fjalë.

VLERËSIMI I NJË PROFESIONI TË VËSHTIRË…

E ndiej të nevojshme të paraqes edhe këtu se sa bukur është portretizuar radiotelekronisti nga njëri prej më të mëdhejve të Europës, Sandro Ciotti: “… I pari,- shkruan ai,- i cili përshtati një formulë tjetër, të modeluar sipas specifikave karakteristike të televizionit, ishte Nando Martellini, i frymëzuar nga e folura e shtruar, gjakftohtë e spikerave anglezë: asnjë britmë, asnjë enfazë, asnjë histerizëm…. Edhe pauzat, të cilat në një radiokronikë do të dukeshin shkatërrimtare, në telekronikë shërbejnë për të çlodhur paksa si kronistin, ashtu dhe dëgjuesin, i cili do të arrinte të ndiqte me sytë e tij një seri të parëndësishme pasimesh në mesfushë apo një top, që pritet të vijë nga tribunat.

besnik dizdari

Duke patur gjithsesi respekt për radiokronikat e Amerit, këto të bazuara në enfazë, në ritmin, në si të thuash “cilësinë fizike” të tregimit, një telekronikë e Martellini-t është diçka tjetër, që vjen prej një “gjinie” tjetër. … Megjithatë, tregimi i një ndeshjeje nuk paraqet probleme të mëdha, kur kronisti zotëron një fjalor të besueshëm. Eshtë e vërtetë mandej, që gjithçka bëhet dramatike nëse kronisti punon vetëm me 70 fjalë, duke përsëritur po ato e duke e mërzitur dëgjuesin. Por nëse zotëron një fjalor të mirë, do të kesh një autonomi të sigurtë.

Tjetër problem është ai i ritmit. Ritmi nuk mësohet: është një e dhënë natyrale, ose e ke ose nuk e ke. Në këte rast, problemin e ritmit duhet ta zgjidhësh vetë: nëse e ke, ai rrjedh spontanisht, nëse nuk e ke, atëherë sa më parë ndërro profesion. Ndonëse emocioni i transmetimit të drejtpërdrejtë ka pasur pasoja krejt dramatike… Unë kam bërë 4000 trasmetime të drejtpërdrejta gjatë karrierës sime dhe secili prej tyre është një cikatrice e vogël mbi zemër”. Duket që kemi të bëjmë me një profesion tejet të vështirë, që mbasi kërkon talentin, kërkon edhe më fort punën e këmbënguljen për ta zhvilluar këtë talent. Edhe në Shqipëri, sidomos profesioni i telekronistit, ka marrë një zhvillim të vrullshëm, sidomos për shkak të transmetimeve të pafundme të ndeshjeve ndërkombëtare të futbollit.

Asnjëherë në historinë e saj Shqipëria nuk ka pasur telekronistë sa sot. Dhe nëse kemi respekt për këtë profesion, nëse e duam gjuhën shqipe, nëse duam të ndikojmë te rritja e kulturës së gjuhës, pse jo edhe të mendimit, sidomos te brezi i ri, na duhet të luftojmë fort që krahas këtij zhvillimi të madh sasior, të mbërrijmë te zhvillimi i madh cilësor. E pra: si i formon Shqipëria telekronistët sportivë? Më shkurt: ata i marrim në punë me konkurs apo thjesht me miq , apo se dikush afrohet vetvetiu? Sigurisht, nuk po kërkojmë këtu mrekullinë që e kërkon filozofi e studiuesi i famshëm Sir Karl Raimund Popper, mbrojtës i madh i demokracisë, idealit e shoqërisë së hapur, kur thotë se për atë i cili don të bëjë një televizion, duhet të krijohet një patentë. Këtu ne po kërkojmë vetëm një konkurs të thjeshtë për të përzgjedhur ata që nëna natyrë ua ka dhënë talentin për këtë profesion dhe të cilët janë të gatshëm që këtë talent ta mveshin me punë e dije.

E pra: a keni dëgjuar diku një njoftim për organizimin e një konkursi për tele apo radiokronistë sportivë? Sot, kurrnjiherë! Këtu, gazetaria shqiptare e folur ka marrë një goditje të rëndë. Rikujtoj këtu një përshkrim shumë kuptimplotë, që ka bërë gazetari ndër më të shquarit sot në Itali – e cila dihet që ka një nga shkollat më të përparuara të teleradiokronikës – Ferrucio de Bortoli. Ai shkruan: “…Unë e kisha një kontratë me RAI-n. Madje, kisha dhe edhe teserën e bashkëpunëtorit. Sapo kisha lënë “Corriere”-n, marr një telefonatë nga Costanza Esclapon, e cila më kërkonte në emër të drejtorit të përgjithshëm, Luigi Gubitosi, të bëhem president i komisionit të provimit për gazetarët e rinj në RAI. Ishte një përvojë shumë e bukur. Zgjati disa muaj, nga qershori në tetor 2015. Ishin pesëdhjetë ditë të kaluara në Saxa Rubra, rezidenca e vjetër e TG1.

Katërqind kandidatë për 100 vende pune, të përzgjedhur mbas një provimi të parë përmes një formulari të 100 pyetjeve, një përzgjedhje e bërë në Fiera di Perugia, me mbi 3300 kandidatë, gazetarë profesionistë… Komisioni operoi me kulmin e lirisë. Nuk pati asnjë telefonatë për të na ndërhyrë për dikë apo për të na bërë trysni (presion). Kolegët që u përzgjodhën, disa madje me një karrierë të pasur nga mbrapa, treguan një përgatitje shumë të lartë… Madje, fituan kolegë, të cilët njihnin të paktën dy gjuhë. Njerëz që dinin deri dhe arabisht, rusisht, japonisht, kinezçe.

Ky konkurs mbeti një përvojë e një ndershmërie të madhe, duke treguar edhe një herë se RAI mbetet ndërmarrja kulturore më e madhe e vendit”. Kjo është RAI. Çka nuk do të thotë se TVSH, TV Klan, Top Channel apo Supersport të Shqipërisë së vogël 3 milionëshe, mund ta mbërrijë. Mirëpo, modelet mund të ndiqen. Dhe konkurset mund të bëhen. Sepse ligjet e gazetarisë, dihet, janë universale për çdo vend, shtet apo popullsi. Sigurisht, pa kërkuar që konkurruesi shqiptar të dijë deri dhe arabisht, rusisht, japonisht apo kinezçe.

Ut_HKthATH4eww8X4xMDoxOjBzMTt2bJ

Ndërkaq, shtrohet pyetja tjetër: si janë marrë në punë? Bie fjala, kur janë marrë në punë, të paktën a u pa se shumë prej tyre nuk kanë zë radiofonik, diksion të qartë e të tingëllueshëm folësi; që nuk shprehen mirë shqip; që fjala iu han fjalën; që thërrasin pa ia nda në kupë të qiellit, ndonëse të shumtën ndodhen në një dhomë si dhe ne që shohim e dëgjojmë para ekranit të vogël; që nuk pushojnë asnjëherë; që merren me informacione të pandalshme, krejt të kota, ndonëse ai që po e dëgjon apo e sheh ndeshjen, mund të ketë kulturë e dije më shumë se ai vetë? Çka do të thotë se mund të jetë ulur pranë televizorit mbasi ka hyrë në internet e ka printuar formacionin e skuadrave, madje deri edhe historinë e tyre e të gjitha të dhënat për to. Siç t’i jepte FIFA në çast përmes faqes së saj të internetit edhe në këte Kupë të Botës. E vërteta është se në Shqipëri rrezikon të denatyrohet profesioni i telekronistit sportiv. Shpesh krejt i personalizuar, jo rrallë madje, i kapërthyer prej një protagonizmi thuajse banal apo të një vetkënaqësie shpesh të papërshkrueshme, që siç mund të jetë përmendur edhe herë të tjera, të duket sikur kërkon të thotë se “ndeshja nuk ka rëndësi që po luhet, por ka rëndësi që po e transmetoj unë”.

SHKOLLA E GABUAR E GAZETARISË SË FOLUR…

Po rrezikojmë të na krijohet kështu, shkolla e gabuar e telekronikës. Ngaqë, për fat, në këtë zhvillim sasior të sotëm, qofsha i gabuar, por më duket se edhe atë shkollë që patën themeluar pionierët tanë në rrjedhën e kohërave të njëmbasnjëshme nga mikrofoni tek ekrani i vogël, Anton Mazreku, Ismet Bellova, Skifter Këlliçi, po e humbasim. Kjo do të ishte fatkeqësi. E vërteta është se ky stil i sotëm po imitohet në mënyrë të gabuar edhe prej atyre që po transmetojnë bie fjala, edhe ndeshje basketbolli apo volejbolli. Çuditërisht, edhe këtu po përjetojmë të njëjtën emfazë, të njëjtën eufori, të njëjtën thirrje, të njëjtën pasthirmë gjoja “braziliane”, që zgjat deri në mërzi, teksa asesi nuk i përket as fonetikës, as morfologjisë, as ritmit, as nuk e di se çka tjetër të gjuhës shqipe. Jeta përreth nesh të tregon ndërkaq, se djem të rinj të talentuar ka edhe në Shqipëri, të rinj që e ëndërrojnë një synim të tillë, por që nuk guxojnë.

Edhe ngaqë iu janë mbyllur dyert prej një monopolizimi shembullor. Nuk po shkoj mandej tek ata pak radio e telekronistë të brezit të vjetër, të cilëve jo vetëm që nuk iu dëgjohet zëri – madje si prej atyre të futbollit e po aq edhe të basketbollit a volejbollit – po as që mund t’i gjesh sadopak, qoftë edhe në këshilla a anëtarë konkursesh, doemos nëse këto të fundit do të ekzistonin në Shqipëri. A mos ndoshta kemi mbërritur deri aty saqë mjafton që kam gjithë ato abonime në TV, nuk dua të di për të tjerat? Pra, që nuk dua të di as për cilësinë e transmetimeve, as se çka thotë ai, “padroni” legjendar i përjetshëm, që është dëgjuesi apo teleshikuesi. E di, sigurisht, që në Shqipëri nuk ka vend thënia e famshme, disi me “eufemizëm” e Indro Montanelli-t: “Nuk ka rëndësi se sa kopje gazetash më shiten, por sa kopje gazetash gjenden çdo ditë mbi tryezat e njerëzve të mençëm”.

Shqipëria nuk është në këtë fazë. Shqipëria është ende në fazën e “masivizimit” edhe në këtë fushë. Masivizim kaq i qëndrueshëm, saqë për një çast të duket qartë se e ka fituar përjetë duelin me cilësinë. Edhe për këtë, prapë fajtori është vetëm një: pronari, ai i cili ka marrë përsipër të bëjë televizion. Duke iu kthyer prap RAI-t italian, vërej se kohët e fundit ka bërë një tjetër ndryshim në organizimin e rubrikës më të famshme dhe më të parë (qysh nga 1953) televizive të tij: “La Domenica Sportiva”. “Edhe një tjetër ndryshim”, sepse kjo rubrikë mitike e themeluar dhe e drejtuar për vite prej firmave më të shquara të gazetarisë italiane, prej të cilëve po veçoj: Enzo Tortora, Lello Bersani, Alfredo Pigna, Paolo Frajese, Adriano De Zan, Tito Stagno, Sandro Ciotti, të cilët në gazetarinë e brezit tim kanë ndikuar jo pak.

Ka qenë krejt befasuese kohët e fundit, kur RAI mori si opinionist të drejtpërdrejtë një nga firmat më të shquara të gazetarisë sportive të shkruar në Itali, Mario Sconcerti, madje drejtues gazetash e revistash më në zë. Për çka madje u bë dhe një zhurmë prej një klani të atyshëm për rrogën që i ishte caktuar këtij “pensionisti” krejt të kthjelltë. Mirpo, ja tek mbërrin edhe befasia tjetër e sezonit 2017- ’18. Krejt papritmas, drejtues i të famshmes “La Domenica Sportiva” caktohet i mirënjohuri tjetër, Riccardo Cucchi, i sapodalë në pension. Madje, i përcjellë stinën që shkoi me një ceremoni lamtumire drejtpërsëdrejti nga fusha e blertë para një ndeshjeje të Serie A. I diplomuar në Letërsi, Riccardo Cucchi ka hyrë në RAI më 1979 mbasi fitoi konkursin për radiotelekronist. Ma fatin e madh për të punuar pranë Sandro Ciotti-t, Enrico Ameri-t e Alfredo Provenzali-t. Ku përveç futbollit, është për vite edhe i kanotazhit, skermës, atletikës së lehtë.

Kur Ciotti merr përsipër të drejtojë “La Domenica Sportiva”, Riccardo Cucchi bëhet zëri i parë i emisionit ndër më të zëshmit në Europë “Tutto il calcio minuto per minuto”, që për fat u bë aq i dashur edhe për brezin tim qysh në themelim, falë asaj që e kanë quajtur “cara mia amica radio”. Ai bëhet zëri i parë i Kombëtares së Italisë, ndërkohë që ndjek gjashtë Olimpiada dhe katër Botërorë të futbollit. Radiokronika e tij e Italisë Kampione e Botës më 2006, u bë mitike për sot e kësaj dite mbas një përhapjeje të pamatë në internet.

Dhe tash, m’u në çastin e lamtumirës së tij pensionuese, Cucchi ricaktohet për të drejtuar “La Domenica”-n. Dituri të plota, kulturë, kompetencë profesionale, ritëm, pa frazeologji tejzgjatëse, lakonizëm dhe domeos zë, diksion, qartësi fjale. (Eshtë interesante ajo që ngjet në Shqipëri: askush nuk do t’ia dijë se ka humbur profesioni i vërtetë i spikerit, i folësit. Ose më qartë: ka humbur rregulli i madh i pashkruar se për të qenë spiker a folës duhet të kesh zë pra, diksion pra, qartësi pra, pse jo tingëlluese, si bie fjala, puna e tenorit në opera). Dhe tash, ky “pensionisti”, Riccardo Cucchi, është ulur (sepse i ulur qëndron) në poltronin e “”La Domenica Sportiva”. Çështje vlerash, natyrisht.

E kjo edhe në ruajtjen “fanatike” të tyre, RAI mbetet i pari, duke përmbysur përfundimisht shikueshmërinë e së famshmes tjetër, asaj private, Mediaset. Riccardo Cucchin, përveç gjithë atyre cilësive, e karakterizon edhe një modesti e tanë. Kam komunikuar me të për shkak të librit të mrekullueshëm për historinë e “Il calcio…”, ku me aq vlerësim e përkushtim shkruan për të gjithë kolegët e tij. Dhe pa thënë asgjë për veten, ndonëse është njëri nga më të mëdhenjtë. Kishte hyrë në RAI me konkurs, jo me miq. Më shkruante: “Shpresoj të takohemi. Nuk kam qenë kurrë në Shqipëri. Dhe më pëlqen të premtoj që një ditë të vij në Tiranë”. Ia vlen ta ftosh Ricardo Cucchin, jo për turizëm, por për një seminar gazetarie si një shembull për të mbërritur edhe ne te zotësia. Shqipëria sapo ka hyrë në 80-vjetorin e themelimit të radiokronikës së saj (1 shtator 1938). “Rekordi” i përket mû gazetarisë sportive dhe një gazetari të famshëm edhe si radiokronist, themeluesit tonë Anton Mazreku.

Ka qenë ndeshja SK Tirana – Iraklis e Kavallës 7-0. Me sa duket, mbas Mbretërisë Jugosllave, Mbretëria Shqiptare është e dyta në Ballkan në këtë themelim. Nuk jemi fort të rinj në këte gjini, çka viti 1938 madje na rendit në elitën e Europës. Kësisoji, nuk na falet prapambetja… Për fat, nuk kam asnjë ambicie për t‘u shfaqur në ekranin e vogël, çka do të thotë se nuk jam rival i askujt. Pata edhe në këtë Kupë të Botës një ftesë dhe duke i falënderuar, nuk pranova. Tjetër gazetaria e folur, tjetër gezetaria e shkruar… Sidoqoftë, ndoshta në këtë vit 2018, të 80- vjetorit të radiokronikës shqiptare, do të dëgjojmë njoftimin se “me datën kaq apo aq do të mbahet një konkurs për radio apo telekronistë”. Ndoshta!… Që të guxojmë e të ëndërrojmë edhe ne atë që ka thënë profesionisti i madh: “Asgjë nuk kam vendos unë. Gazetaria ka vendosë për mua”.

POST SCRIPTUM…

Po më pëlqen ta mbyll duke përgëzuar një gjuhëtar të shquar të mjedisit akademik shqiptar të shkencës gjuhësore: Prof. Ferdinand Leka. Këto ditë ai ka botuar një “doracak” (libërth) me titullin “A mund të flasim e të shkruajmë pak më shqip?” Një lloj libri xhepi me nja 70 faqe, që them se duhet ta marrin të gjithë. Sidomos, të gjithë ata që i thonë vetes gazetarë. Libri nuk është një “përsëritës i vjetër”, në kuptimin e mirë të këtij përcaktimi. Eshtë diçka krejt aktuale që kërkon të ftojë, sidomos gazetarinë, për të ndalë sadopak, rrënimin që po i bëjnë mjetet e informimit publik, pra gazetaria, pastërtisë së gjuhës shqipe. Megjithatë, e pata një peng të vogël. Në doracakun në fjalë, thuajse nuk zinte vend shkatërrimi që po i bën pastërtisë së gjuhës shqipe gazetaria sportive e folur. Nuk i vë faj profesorit të nderuar, megjithatë.

Gazetarisë sportive të folur i mungon një Anton Mazrek, për ta bërë më të rëndësishme e më të ndjekur atë, sidomos prej intelektualëve shqiptarë. Sidomos gjuhtarëve tanë, të cilëve ashtu si prof. Ferdinand Leka, iu takon të shqetësohen për çka po ngjet me pastërtinë e gjuhës edhe në gazetarinë tjetër… Megjithatë, ndoshta një herë tjetër… Me këtë shkrim, po e mbyll ciklin tim: “Mësimet e historisë së Botërorit 2018”. Sigurisht, pa qenë fort i bindur edhe kësaj radhe nëse do të mund të kem ndikuar sadopak…

Ky artikull është ekskluzivisht për Panorama Sport. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"