“Na bënë pritë në rrugë”, rrëfehet asistenti Pjetrushi në Apolonia-Tirana: Vëzhguesi u nxeh, “sot e gjete të hash peshk?”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 13, 2019 | 19:49

“Na bënë pritë në rrugë”, rrëfehet asistenti Pjetrushi në Apolonia-Tirana: Vëzhguesi u nxeh, “sot e gjete të hash peshk?”

UVIL ZAJMI

Asistenti ndërkombëtar i FIFA-s, Engjëll Pjetrushi, nga Kolegjiumi i Lezhës, ka qenë njëri nga vijërojtësit në atë takim. Si i kujton dhe i rrëfen për “Panorama Sport” momentet kur i ndalën në rrugë, debati që u shoqërua me dhunë, vajtja në stadium, ndryshimi i arbitrit, ndeshja dhe largimi, kthimi në mesnatë në shtëpi.

engjell pjetrushi

Si e kujtoni atë moment?

Nuk e prisnim, kur papritur disa persona na dolën para në rrugë, bashkë me një inspektor policie dhe na urdhëruan të ndalnim. Kujtoj se Astriti që drejtonte mjetin, nga befasia, bëri një lëvizje të nxituar, të rrezikshme. Kujtoj që pasi na ndalën, i kërkuan ndeshjen Astritit: “Do na ndihmosh ta fitojmë”, ne i thanë. “Nuk mundem”, u përgjigj Astriti. “Mirë, atëherë lëre se e zgjidhim ne. Ti do bësh si i sëmurë”. Kur anësori Kraja i kundërshtoi, njëri prej tyre e goditi me shpullë.

Dhe shkuat gjithsesi në stadium apo jo?

Ndeshja ka qenë rreth orës 15:00. Sigurisht, ishim të trembur dhe të pasigurt kur mbërritëm aty. Ndërkohë, Astriti e kishte vendosur që nuk do të arbitronte, por i detyruar do shtirej si i sëmurë, i helmuar.

astrit isufi

Kush do e drejtonte takimin atëherë?

Arbitri i katërt, pasi kështu e lejonte rregullorja dhe ne do të ishim asistentët e tij. Kur kemi shkuar në dhomë kemi gjetur Enver Meçen duke bërë nxemjen. Dikush i kishte thënë që “përgatitu, do arbitrosh ti se arbitri është i sëmurë”.

Vëzhguesi kishte informacion?

Në dhomën e zhveshjes erdhi mjeku i Apolonisë… “Duhet ta çojmë në spital”, tha. Jemi nisur ma makinën tonë dhe e kemi lënë në urgjencën e spitalit. Me ne ishte edhe vëzhguesi që nuk kishte kuptuar asgjë. I sinqertë, ai pyeti: “Astrit, çfarë ke ngrënë në drekë?” “Peshk”, i thamë ne. “Po peshk gjete të haje para ndeshjes, duke e ditur që të helmon?”

Ndeshjen e fitoi Apolonia, a pati ndikim arbitri?

17 Nëntori ishte skuadër shumë e mirë. Ndonëse ajo u zhvillua e tensionuar deri në minutën e fundit, për fatin tonë nuk pati problem në gjykim, ose pretendime për një arbitrim të njëanshëm që të ndikonte në rezultat. Kujtoj, golat ishin të rregullt, një penallti normale për fierakët, që nuk pati kontestime. Të parët shënuan vendësit, pastaj barazoi Tirana. Ishin ende vitet e zjarrta, me një tifozëri agresive, tension, pasiguri për lojtarë e arbitra, ku dominonin fitoret vendëse. Apolonia fitoi dhe kujtoj se në atë sezon i shpëtoi rënies.

E vërtetë është që u kthyet në mesnatë në shtëpi?

U lamë, u veshëm dhe ashtu pa na shoqëruar askush, pasi vendësit fituan dhe të gjithë u larguan, kemi shkuar në spitalin e Fierit ku Astriti na priste. Sigurisht, i pashqetësuar sepse nuk kishte asgjë, ishte krejt në rregull nga shëndeti. Pastaj jemi nisur, lamë pas qytetin, ndeshjen, ngjarjen… Ai kthim ka qenë i veçantë në fakt, krejt ndryshe nga çdo kthim tjetër. Nuk kemi ndaluar askund, por drejt për në shtëpitë, familjet tona. Me ne ishte edhe vëzhguesi, që i befasuar aty e mori vesh çfarë realisht kishte ndodhur. Bënim pak humor për ta çdramatizuar situatën që na kishte tronditur.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"